E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një letër për tri mësime historie

1.

Më mbërriti letra.

Ajo, pas kurtuazisë së zakonshme dhe elozheve me adresim si aktor, si mendim e veprim, më shikon si të kaluar, histori. "Keni qenë dëshmitar...", "...me veprimin tuaj intelektual...", "...do të përfitonim prej përvojës tuaj...".

Më ftojnë në një Universitet të njohur amerikan për një ligjëratë para studentëve të Kërkimeve Evropiane, në ciklin e ligjëratave vjeshtore për 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ku puqet edhe 10-vjetori i çlirimit të Kosovës me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.

Si duket, duhet të vijë një moment prerje, dhe këtë u përpoq ta bëjë letra. Të më tregojë se 20 vitet e kaluara shkuan, janë histori, kërkojnë rekapitulim, nevojitet të hyjnë në ligjëratë gjeneratave të reja, skeda, regjistër librash që do lexuar për semestrin e ardhshëm. Të më tregojë, po ashtu, se jam i liruar prej tyre, se 20 vitet e kaluara tashmë janë barrë për historinë, mund t‘i përjetoj 20 të ardhshmet pa këtë ngarkesë, me kushtin e blerjes së biletës, e ajo është të rrëfyerit e historisë, nxjerrja e konstatimeve, vlerësimeve, ndrydhja qoftë edhe e një pike të mençme nga ajo.

Kjo punë e historisë duhet të jetë tashmë serioze, meqë më mbërriti edhe si porosi letre, dhe anipse deri sa t‘i vijë koha ligjëratës duhet të kalojnë një pranverë e verë, mund të përdori ditët që vijnë për të, duke nxjerrë mësime edhe aty ku nuk vërehen me aq lehtësi, në roman.

I zgjodha tri romane të lexuara në këtë javë gripi, për tri leksione të thjeshta në atë që duhet të jetë ligjërata ime historike, me më shumë këso leksionesh të thjeshta.

2.

Njeriu nuk ka ftesë për në histori. Hyn vet, pa trokitur, shumë herë i pavetëdijshëm se bëhet fjala për histori. Para 20 vjetësh, isha në Horizontin e tetë të Minierës së Stan Tërgut të Trepçës, për të përcjellë ditët e fundit të grevës së minatorëve kundër ndryshimeve kushtetuese të Kosovës. Si gazetar, isha dëshmitar i ndryshimeve të mëdha që po bëheshin, të shembjes së rregullit të Jugosllavisë socialiste. Tetë muaj më vonë, do të gjendesha në krye të grupit tjetër të punëtorëve, tash të ndërtimtarëve të përjashtuar të "Ramiz Sadikut" me të cilët do të formonim sindikatën e parë të pavarur në Kosovë. Në atë vit, kur shembej Muri i Berlinit, në Kosovë përjetonim valë pas vale represioni prej pushtetit të Serbisë dhe përgjigja ndaj tij ishte kërkesa për më shumë liri. Unë shkruaja, shprehja mendimin, zbuloja lirinë brenda vetes.

Diçka nga kjo ndjenje përjetova ndërsa lexoja në romanin e shkëlqyer "Komo" (Samizdat, B92, Beograd 2007) të shkrimtarit serb Sërgjan Valareviq, procesverbalin e gjykimit të poetit rus Josif Brodski më 1963. Atëbotë u hodh në gjyq pasi u arrestua nga KGB sepse "ishte i dëmshëm për shtetin dhe "jetonte jetë paraziti duke shkruar poezi":

GJYKATËSI: Çfarë punoni?

BRODSKI: Unë shkruaj poezi, dhe përkthej, e besoj se...

GJYKATËSI: S‘ka këtu kurrfarë "besoj"! Rrini drejtë! Mos u mbështetni për muri, shikoni drejt gjykatësve! Përgjigjuni ndaj pyetjeve siç u thuhet! A keni punë me orar të plotë?

BRODSKI: Mendoj se kam pasur punë me orar të plotë.

GJYKATËSI: Përgjigjuni saktësisht!

BRODSKI: Kam shkruar poezi dhe mendoj se do të botohen dhe besoj...

GJYKATËSI: Ne nuk na intereson se çka "besoni" ju....Përgjigjuni, pse nuk keni punuar?

BRODSKI: Unë punoj, shkruaj poezi.

(....)

GJYKATËSI: Ku keni punuar?

BRODSKI: Në një fabrikë dhe në një ekspeditë gjeologjike.

GJYKATËSI: Çfarë është specializimi juaj?

BRODSKI: Poet. Poet dhe përkthyes.

GJYKATËSI: Kush ju ka emërtuar poet? Kush ju ka vënë në rangun e poetit?

BRODSKI: Askush. Kush më ka vënë në rangun e njeriut?

Brodski do të internohet, e pastaj, pas shumë kërcënimesh, do t‘i ofrohet ekzili. Do ta pranojë dhe me të do të vazhdojë rrugën në histori, të filluar atë ditë kur në gjykim do të ruante lirinë e tij të brendshme, lirinë e të besuarit në fjalët që i kishte të ruajtura në shkrim e ato që i kishte të ruajtura në zemër.

Më 1989, qindra miliona njerëz u revoltuan në Evropën Qendrore e Lindore, e në mesin e tyre ishim edhe një numër në Kosovë, që thyem paragjykimin themelor të Gjykatësit të Brodskit.

Ashtu siç nuk kishte nevojë Brodski që dikush t‘i japë leje të jetë poet, ashtu me qindra miliona njerëz kuptuan se nuk ka kush nevojë t‘u japë leje të jenë të lirë, atë e kanë të lindur në natyrë, por duhet thjeshtë ta zbulojnë.

3.

Historia është në një garë të përhershme jete për vete.

Në një drekë me ambasadorin e atëhershëm amerikan në Beograd Warren Zimermann, dr. Ibrahim Rugova dhe unë bisedonim për procesin e zhbërjes së Jugosllavisë . Shikonim kontekstet historike: dr.Rugova shpjegonte gjendjen e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore që e mbajti Kosovën në Jugosllavi, Zimermann fliste për ngjarjen e madhe që po ndodhë në tërë Evropën Lindore e që po e rrëzonte komunizmin, unë flisja për një regjim kolonial që po e vendoste Serbia në Kosovë dhe për legjitimitetin ë lëvizjes antikolonialiste, të vendosur që në tratativat e para të Revolucionit Amerikan. Zimmerman, që ishte profesor i historisë na tha, para 20 vjetësh:

"Kosova, historikisht, nuk mund të mbahet e shtypur dhe do t‘ia dalë mbanë!"

Këto fjalë nuk janë të shënuara. Rugova, njeriu që bëri emër në Kosovë falë librave e kritikës letrare, do të vdiste pa shënuar (ose së paku deri tani pa publikuar) këtë ngjarje. E pashënuar, ngjarja ishte e vdekur. Deri në këtë moment, kur rimori jetë.

Siç do të të rimarrë jetë detaji tjetër i para dhjetë vjetësh. I zhgënjyer me veprimet e disa anëtarëve të delegacionit në Rambouillet, në sallën e mbledhjeve të delegacionit të Kosovës vonë në mbrëmje do të hyjë ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer, i përcjellë nga dy diplomatë gjermanë. Do të na gjejë vetëm Blerim Shalën dhe mua. I brengosur thellë e me shenja të qarta dëshpërimi, do të ripërsërisë se çfarë janë objektivat strategjikë të Perëndimit, do të ngrisë duart lartë dhe të deklamojë, gati në formë teatrale:

"Ju duhet t‘i vendosni velat e Kosovës në drejtimin e erërave të Historisë!".

Të pashkruara, këto momente të historisë do të ishin të vdekura. Dhe si të këtilla, të vdekura, do t‘i bashkoheshin me pjesëve të panumërta që dikur ishin të gjalla por gjetën vdekjen e tyre. Të natyrshme, me mosshënim. Apo edhe të panatyrshme, me përpjekje për të fshehur kujtesë. Siç tërheq vërejtjen shkrimtarja kroate Dubravka Ugreshiq në "Sforcimin e romanit-lum" (August Cezarec, Zagreb 1989) nëpërmjet të gojës së një personazhi "dorëshkrimet në histori më së shpeshti janë zhdukur sepse këtë e ka dashur pushteti. Të kthehemi në vitin e largët 213 p.e.s., në mbretërinë e Shih-huang-ti, i cili urdhëroi që të digjen pothuaj të gjithë librat, duke konsideruar se kjo është forma më e mirë që historia të fillojë prej tij".

Ka ndonjë ngjashmëri me kohën tonë?

Në fakt përpjekja e kinezit për vendosjen e vitit të tij të pushtetit si vit 0 ka qenë pothuaj përpjekje e përhershme e të gjitha regjimeve postkomuniste, në pothuajse të gjitha vendet postkomuniste. Gara e historisë për jetë ende vazhdon.

4.

Historia e humb rrugës modestinë.

Do të kujtohen momentet heroike, do të vizatohen tabllo epike, do të përdoren fjalë të mëdha e të forta kur të përshkruhen 20 vitet e kaluara, duke përfshirë edhe ato vite të mërzitshme kur dy policë serbë kontrollonin tërë një mëhallë shqiptarësh, apo kur një milion shqiptarë do të tërhiqeshin zvarrë nëpër baltë e pranverës së vitit 1999, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni duke e mbajtur me lëkurën e dhëmbëve pikën e fundit të dinjitetit

Ndoshta është pjesë e kulturës sonë, mënyrës se si kemi mësuar historinë, qoftë nëpërmjet të manipulimeve, qoftë të nacionalizmit, qoftë të komunizmit. Ndoshta është pjesë e kulturës së religjioneve monoteiste dhe librave të tyre të shenjtë, që bëjnë të njëjtën gjë. Ndoshta është pjesë e natyrës njerëzore, që të kërkojë sensin heroik në çdo gjë, në radhë të parë në një jetë e padinjitetshme dhe joheroike çfarë është jeta nën represion apo nën okupacion.

Apo, ndoshta historisë i mungon liria e cinizmit çfarë mund ta ketë letërsia. Sepse, sado heroike mund të më duken 20 vitet e kaluara, përpiqem të ruaj baraspeshën, duke krahasuar kthimin kah 20 vitet e kaluara me përshkrimin e të kthyerit në shtëpi që bëri shkrimtarja irlandeze Anne Enright në "Përpuqja" (Black Cat, New York, 2007), fituese e çmimit Man Booker për vitin 2007:

"Shtëpia më njeh. Gjithnjë më e vogël se ç‘duhej të ishte; muret janë më të përbashkuara e të ndërlikuara se ç‘i mban mend vetja. Vendi është gjithnjë tepër i vogël".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›