E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, shpërthim tritoli në shtëpinë e shefit të krimeve

Një shpërthim i fuqishëm tronditi banorët e një lagjeje periferike të qytetit të Beratit mesnatën e së premtes, kur një sasi tritoli u hodh mbi banesën e shefit të krimeve në komisariatin e këtij qyteti. Burime të Komisariatit të Policisë së Beratit bëjnë të ditur se rreth orës 24:00 të natës së të premtes është marrë informacioni për një shpërthim të ndodhur në lagjen Uznovë të qytetit të Beratit. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekspertët e policisë, të cilët kanë nisur hetimet e rastit.

Nga hetimet e para mësohet se një sasi tritoli është hedhur mbi tarracën e banesës së shefit krimeve Përparim Dyrmo. Fatmirësisht, sasia e tritolit nuk ka shkaktuar dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale, duke shembur një pjesë të soletës si dhe të shkatërrojë disa orendi shtëpiake. Nga marrja në pyetje e familjarëve, dy bashkëshortët Dyrmo, si dhe dy fëmijëve të tyre, mësohet se rreth orës 24:00, ndërsa ishin duke fjetur, kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm, i cili ka tronditur gjithë ambientet e shtëpisë. Të tronditur, të dy bashkëshortët kanë rendur te dhomat e fëmijëve, ndërsa ata janë gjendur të shokuar nga shpërthimi.

Pas ngjarjes, drejtori i Policisë së Qarkut të Beratit, Bernard Caushi, është shprehur se menjëherë pas marrjes së informacionit, strukturat e policisë janë organizuar dhe nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e motiveve të ngjarjes kriminale.

"Po hetojmë në disa pista dhe së shpejti autorët e këtij krimi të turpshëm do të goditen me forcën e ligjit", tha Caushi. Ai shtoi se një nga pistat që po hetohet është atentati për shkak të detyrës. Në këtë linjë, policia dyshon te disa persona të përfshirë në ngjarjet e vitit 1997 dhe që janë vënë kohët e fundit në shënjestrën e policisë lokale, ku shefi krimeve ka pasur një rol aktiv. "Në polici janë shoqëruar disa persona, ndërsa kemi gjetur disa gjurmë, të cilat mund të çojnë drejt autorëve, emrat e të cilëve do t‘i bëjmë publikë", thotë drejtori i policisë.

Kjo është ngjarja e parë e këtij lloji që ndodh në Berat dhe po punohet për zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›