E Diel, 1 Nëntor 2026

Një libër i vlefshëm për ekspertët mjeko-ligjorë dhe kriminalistë

15/06/2011  Prof. dr. Bardhyl Çipi, një nga antropologët dhe mjekët ligjorë më të njohur në vend boton librin “Identifikimi i personit”

• Në këtë libër të prof. dr. Bardhyl Çipi, autor i dhjetë teksteve e monografive, si dhe të rreth 200 artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit spikat kultura e të shkruarit, duke eliminuar inflacionin verbal dhe mungesën e substancës së mendimit; duke rritur dhe bërë nivelin e shprehjes të qartë, të kuptueshëm, të strukturuar dhe të mbështetur nga argumente të shumtë bindës.

• “Identifikimi i personit” do të jetë i dobishëm, në radhë të parë për studentët e mjekësisë, por dhe ata të drejtësisë, si material kryesor për lëndën e mjekësisë ligjore. Gjithashtu është dhe një libër i vlefshëm për ekspertët mjeko-ligjorë dhe kriminalistë, për punonjësit e drejtësisë dhe të policisë: gjyqtarët, prokurorët, oficerët e Policisë Gjyqësore, juristët e tjerë, mjekët e specialiteteve të ndryshme, biologët, sociologët.

Identifikimi i personit përbën një nga fushat ku mjekësia ligjore, në bashkëpunim me specialitete të shumta mjekësore dhe biologjike, ka bërë përparime të mëdha, duke u kthyer kështu në një shkencë dinamike në zhvillim të pandërprerë. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që prof. dr. Bardhyl Çipi, një nga antropologët dhe mjekët ligjorë më të njohur në vend, u ka kushtuar çështjeve të identifikimit vëmendje të veçantë gjatë aktivitetit të tij të gjatë profesional e shkencor si mjek ligjor. Tregues i kësaj vëmendje është dhe libri i ri “Identifikimi i personit –Antropologjia, Odontologjia, Biologjia Mjeko-ligjore” (Aplikimi i tyre në Shqipëri), ku prof. Çipi pasqyron jo vetëm studimin e tyre në hollësi, por dhe përvojën e pasur të zbatimit në zgjidhjen e rasteve të shumta të praktikës mjeko-ligjore në vendin tonë.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit shkencor gjatë stazhit të tij 40-vjeçar, prof. dr. Bardhyl Çipi, i cili ka drejtuar disa projekte kombëtare e ndërkombëtare në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe të Bioetikës, u ka përkushtuar pikërisht këtyre problemeve, të paraqitura në radhë të parë në disertacionin e tij të doktoraturës mbi antropologjinë mjeko-ligjore, i botuar më pas në trajtë monografie, si dhe në studime, referate e artikuj të shumtë shkencorë brenda e jashtë vendit në aktivitete ndërkombëtare. Të gjitha këto janë pasqyruar në librin e ri “Identifikimi i personit” që trajton më së miri problemet e antropologjisë, të AND-së, të odontologjisë, entomologjisë, biologjisë mjeko-ligjore etj, dhe që janë në shërbim të identifikimit të personit.

Referuar rasteve të shumta të gjetjes së skeleteve të kufomave të viktimave të genocidit komunist, si ato në Dajt para dy vitesh, apo dhe ato të kohëve të fundit në Shkodër, ky libër përbën një kontribut real në qetësimin e mijëra shpirtrave që kanë ende të paidentifikuara kufomat e të afërmve të tyre.

Dr. Çipi, i njohur jo vetëm brenda vendit, por dhe në institucionet shkencore prestigjioze ndërkombëtare, si autor i dhjetëra teksteve e monografive, si dhe rreth 200 artikujve shkencorë, pasqyron në mënyrë perfekte në tekstin e këtij libri edhe përvojën dhe punën e kolegëve të tij të tjerë shqiptarë apo të huaj, me të cilët ka bashkëpunuar. Për një pjesë të tyre si: dr. Spiro Çipi (babai i tij), prof. Roche, doc. Bashkim Çuberi, doc. Fiqiri Basha, prof. Skënder Begeja, të cilët, për fat të keq nuk jetojnë më, ky libër shërben si nderim i kujtimit dhe kontributit të tyre, të cilin ai e ka pasqyruar në 10 kapitujt.

Prof. dr. Bardhyl Çipi, anëtar i disa shoqatave ndërkombëtare të mjekësisë-ligjore, etikës, bioetikës dhe filozofisë së mjekësisë, falënderon gjithashtu për ndihmën, bashkëpunimin dhe nxitjen e tyre në përgatitjen e këtij teksti kolegët e huaj: prof. Malicier, dr. Kullman, prof. Ali Chadly, prof. Duarte Nuno Vieira dhe kolegët shqiptarë: doc. Ali Ylli, prof. dr.Drita Osmanlliu, prof. dr. Sazan Gabrani, prof. dr. Sokrat Meksi, prof. as. dr. Mehdi Alimehmeti, dr. shk. Agim Ramadani, dr. shk. Nikollaq Leka dhe shumë e shumë të tjerë.

Gjithashtu autori i këtij libri me vlera të shumta përshëndet dhe dy djemtë e tij, Pirron dhe Rezartin, për ndihmën në përkthimin dhe përgatitjen e fotografive të këtij libri.

“Identifikimi i personit” do të jetë i dobishëm, në radhë të parë për studentët e mjekësisë, por dhe ata të drejtësisë, si material kryesor për lëndën e mjekësisë ligjore. Gjithashtu është dhe një libër i vlefshëm për ekspertët mjeko-ligjorë dhe kriminalistë, për punonjësit e drejtësisë dhe të policisë: gjyqtarët, prokurorët, oficerët e Policisë Gjyqësore, juristët e tjerë, mjekët e specialiteteve të ndryshme, biologët, sociologët. Si përfaqësues dinjitoz i elitës intelektuale shqiptare, i cili ka kryer specializim në Institutin Mjeko-Ligjor në Paris dhe në Lion (Francë) dhe më 1997 në Institutin e Bioetikës “Hastings Center” në SHBA dhe si njohës në mënyrë perfekte i shkencës së Mjekësisë-Ligjore, prof. B. Çipi është dhe model i pedagogut që me një stil të veçantë transmeton tek kolegët dhe studentët risitë e kësaj shkence. Këto vlera të spikatura ai i ka shfaqur gjatë gjithë karrierës së tij profesionale si asistent dhe pedagog në lëndën e Anatomisë Normale të Fakultetit të Mjekësisë, si pedagog i lëndës së Mjekësisë-Ligjore në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Drejtësisë (UT), si dhe ekspert mjeko-ligjor i Shërbimit Qendror të Ekspertimit (sot Instituti i Mjekësisë-Ligjore) në të cilin gjatë viteve 1992-1998 qe drejtues i shërbimit, si përgjegjës i departamentit anatomi patologjike – mjekësi ligjore dhe i Seksionit (Shërbimit) të Mjekësisë-Ligjore të Fakultetit të Mjekësisë dhe që nga viti 1995 drejtues i lëndës së Etikës Mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë.

Edhe në këtë libër të autorit të dhjetë teksteve e monografive, si dhe të rreth 200 artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit spikat kultura e të shkruarit, duke eliminuar inflacionin verbal dhe mungesën e substancës së mendimit; duke rritur dhe bërë nivelin e shprehjes të qartë, të kuptueshëm, të strukturuar dhe të mbështetur nga argumente të shumtë bindës.

“Identifikimi i personit” ia vlen të lexohet e studiohet edhe për faktin se autori i tij është një nga personalitetet e njohura të botës akademike e shkencore, brenda e jashtë vendit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›