Një libër për çamët

Libri bazohet në arkivat më të pasur me dokumente domethënëse mbi Çamërinë, ato të Lidhjes së Kombeve dhe Misioneve Britanike, si dhe dokumentet e mbledhura nga misionet e tjera diplomatike midis viteve 1913 dhe 1960. Çamët, të njohur greqisht si Tsamides, janë shqiptarë, të cilët banojnë në pjesën më jugore të trevave shqipfolëse.
Krahina e tyre, Çamëria, është një zonë malore në kufirin greko-shqiptar. Pjesa më e madhe e Çamërisë ndodhet në rajonin e Epirit grek, i cili përfshin pak a shumë prefekturat e Thesprotisë dhe të Prevezës, por Çamëria përfshin edhe pjesën më jugore të Shqipërisë, d.m.th. zonën e Konispolit.
“Kur forcat greke morën Çamërinë dhe Epirin gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912, çamët përfunduan papritmas në Greqi, të shkëputur nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Kufiri i ri midis Greqisë në zgjerim dhe Shqipërisë së sapolindur mbeti i pacaktuar për një kohë dhe kjo shkaktoi paqëndrueshmëri politike afatgjatë në rajon”, u shpreh Elsie.
Ai shtoi se autoritetet greke mohojnë ekzistencën e çështjes çame, madje edhe ekzistencën e një pakice shqiptare në Greqi. Sipas tij, në një perspektivë afatgjatë, Europa duhet të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje të çështjes çame.