E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një libër për historinë e SHBA-ve

Nga Express më 06 korrik 2011 në ora 08:47

Libri “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, i përkthyer në shqip nga Ukë Zenel Buçpapaj dhe Adela Buçpapaj, u promovua paraditen e së martës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve të Shqipërisë, me rastin e 235 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

Përkthyesi Buçpapaj u shpreh se tashmë që ky libër ka parë dritën e botimit, i vjen mirë që, në emër të kombit të tij, ka shprehur mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në promovimin e librit i pranishëm ishte edhe publicisti Enver Bytyçi, i cili e konsideroi librin ‘Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës’, si librin e historisë së një kombi të ri dhe të vjetër njëkohësisht.

‘Duke lexuar librin çdokush mëson historinë e përpjekjeve të panumërta për të ndërtuar një shtet të konsoliduar dhe demokratik, një shoqëri të lirë dhe moderne dhe një botë të vlerave dhe virtyteve’, tha Bytyçi.

Libri prezanton për lexuesit historinë e një shteti, si një rast shembull për vlerat civilizuese dhe jep mesazhin se janë parimet kushtetuese ato që e bëjnë një vend të qëndrueshëm.

‘Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës’, një libër me rreth 450 faqe, përshkruan Amerikën e hershme, periudhën koloniale, rrugën drejt pavarësisë, formimin e qeverisë kombëtare, si dhe lulëzimin e SHBA-ve dhe depresionin e madh që e pasoi deri tek ngjarjet e shekullit XXI.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›