Sesion shkencor për Hasan Tahsinin
Të hënën, në Akademinë e Shkencave në Tiranë, u mbajt një sesion përkujtimor me rastin e 130-vjetorit të vdekjes së Hasan Tahsinit. Ligjëruan studiues të Tahsinit, të cilët hodhën dritë mbi rolin e tij si dekan i rilindësve shqiptarë dhe për kontributin e Tahsinit në fushën e astronomisë, psikologjisë, filozofisë dhe gjuhësisë.
Konferencën “Hoxhë Hasan-Tahsini, dijetar i shquar e atdhetar pararojë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare” e hapi kryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Turke Hasan-Tahsini, Ibrahim D. Hoxha, e pas tij referoi drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, Dr. Ramiz Zekaj.
Sipas Zekajt, Tahsini i përkiste plejadës së patriotëve shqiptarë që luftuan për mësimin e gjuhës shqipe dhe për përhapjen e diturisë ndër shqiptarë.
Veprimtarinë intensive, së bashku me patriotët Sami Frashëri, Naim Frashëri, Jani Vreton, Koto Hoxhin, Pashko Vasën e gjejmë tek Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqipe, në vitin 1879.
Në këtë shoqëri, në komisionin për hartimin e alfabetit unik të gjuhës shqipe, Tahsini paraqiti alfabetin e tij metodik. Ndërkaq, në ‘Enciklopedinë Turke’ Tahsini cilësohet si njeriu që futi dijet e reja perëndimore në Perandorinë Osmane, gjegjësisht në Ballkan dhe Shqipëri. Hasan Tahsini vdiq më 4 korrik 1881.