Kur themi skaf
Kur themi skaf, nënkuptojmë gomone. Janë dy emra të tejpërdorur, për të njëjtin mjet lundrimi. Përmendja, e skafit apo gomones, na e kthen kujtesën tetë vite pas, te flotilja-taksi e krimit të organizuar, përmes Kanalit të Otrantos, nën qeverisjen e gjatë të socialistëve. Pakkujt, ndër ne, gomonia ia çon mendimin te skafi, si mjet lundrimi për turizëm. Ky vjen gati-gati, si në skeçin e dikurshëm, me punëtorin e babëzitur të magazinës së paketimit të ushqimeve, i cili hante abuzivisht e fshehtësisht dhe, sa herë shqiptohej fjala “sheqer”, i binte alivani nga gërrdia e ngrënies me tepri. Kujtimi tragjik nga gomonet dhe opinioni famëkeq mbi skafet, ende nuk janë varrosur. Qeveria, ndër veprimet më të para, qysh në mandatin e parë, kundër krimit të organizuar pati ndërmarrë vendosjen e moratoriumit për ndalimin e përdorimit të skafeve. Opozita ka qenë kundër, atëherë, më pas, dhe tani, kur sapo ka propozuar në Kuvend një amendament, për të shfuqizuar moratoriumin. Arsyetimi i drejtpërdrejt i saj ngjan i thjeshtëzuar: ky ndalim është i tejzgjatur dhe dëmton turizmin. Por opozita nuk thotë më shumë, as nuk i intereson të futet më thellë, nga që synon të krijojë kapital politik nga problemi.
Ndaj moratoriumit, politika e çdo krahu qoftë, duhet të shfaqet hapur dhe të sillet e moralshme. Ndalimi ishte dhe mbetet një masë ligjore e ashpër, ndaj të cilës opozita duhet të ndërtojë qëndrimin njëlloj sikur ajo të gjendet në pushtet. Është e kotë pyetja, pse qeveria vendosi moratoriumin ndaj përdorimit të skafeve, për një afat kohor të pacaktuar. Edhe opozita që e kundërshtoi, do të kishte qenë e detyruar të miratonte moratoriumin nëse do të vazhdonte në pushtet. Ajo mund të mos e merrte masën e ndalimit nga interesat e saj, përderisa i kishte lejuar skafet të formonin një flotilje të shpejt të krimit, por do ta kryente ndalimin, e detyruar nga trysnia e madhe ndërkombëtare, të cilët vuanin pasojat e krimit që vinte nga Shqipëria.
Në këtë përplasje qëndrimesh, pozita për të ndaluar krimin e organizuar përmes ujërave detare, dhe opozita për të fituar kapital elektoral, të vërtetat duhet të thuhen hapur e të pranohen hapur. Qeveria u tregua e përgjegjshme ndaj interesave të vendit dhe marrëdhënieve me shtetet fqinj, duke i dhënë fund krimit nëpërmjet një mase drastike. Ajo e di që, ndalimi i përdorimit të skafeve nuk është diçka e dëshiruar prej saj, por e di gjithashtu se, ishte dhe ende mbetet një veprimi i domosdoshëm, për ta mbajtur Shqipërinë të mbrojtur nga krimi i organizuar dhe për të qenë të bashkëpunues me fqinjët tanë, për të mos eksportuar drejt tyre krim. Qeveria, duke qenë e pagatshme për heqjen e moratoriumit edhe pas shtatë vitesh nga vendosja e tij, nuk shpërfaq paaftësi, përkundrazi ajo është e drejtpërdrejt dhe e hapur: njeh pamundësinë e shtetit në këtë përballje detare. Shqipëria nuk i kontrollon dot ujërat në një vijë të gjatë bregdetare, për të mos lejuar gjallërimin e krimit që përdor mjete super të shpejta lundrimi. Qeveria e ka goditur rreptë krimin e organizuar në tokë, por kjo nuk do të thotë se ai nuk gjallërohet menjëherë sapo të dalë në det. Skafet nuk janë mjete që gjinden në Hënë, ato ndodhen të përkuara dhe, brenda një dite do të mbushnin brigjet, nëse hiqet moratoriumi. Vendi ka bërë hapa të rëndësishëm zhvillimi, por ende nuk ka krijuar atë standard pengues ndaj përpjekjeve për përfitim të shpejtë kriminal. Shteti ynë nuk ka mjete, detare dhe ajrore, si dhe logjistikë tjetër të domosdoshme, për t’i mbajtur ujërat nën kontroll të plotë dhe për të kapur çdo mjet që përpiqet të kryej lundrim për qëllime të paligjshme. Janë këto arsye, që e detyruan kryeministrin Berisha të kundërshtojë propozimin e socialistëve, për miratimin në Kuvend të një amandamenti kundër moratoriumit. Ai tha se, “… vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut”.
Kurse opozita tjerr vetëm një argument, duke përsëritur që, ndalimi i skafeve dëmton turizmin. Qeveria, përgjegjëse për zhvillimin e turizmit, e di këtë fort mirë këtë, por i shqiptoi opozitës një kundërargument: edhe me skafe nën moratorium, turizmi është rritur 12 herë. Qeveria dha dhe një tjetër kundërargument: gjatë gjithë këtyre viteve të rritjes domethënëse të turizmit shqiptar, opozita asnjëherë nuk e ka pranuar rritjen reale të tij, përveç rritjes së hamendësuar që do të vinte nga nxjerrja e skafeve në Adriatik dhe Jon. Nëse opozita do të ishte e hapur, do të mjaftonin vetëm pak përgjigje të drejtpërdrejta për pyetjen: Sikur opozita të ishte në pushtet, si dhe me çfarë do t’i kontrollonte brigjet, nga grykëderdhja e Bunës deri në Butrint, dhe si do t’i ndalonte skafet e krimit të organizuar, sepse Shqipëria është në NATO, është me kufij të hapur dhe është në vitin e dytë të lëvizjes së lirë me vendet e Bashkimit Europian? Nën këto detyrime madhore, të brendshme - ndaj qytetarëve për të mbrojtur të drejtën e lëvizjes së lirë dhe mbajtjen e vendit jashtë kthetrave të krimit të organizuar, si dhe detyrimeve të jashtme - një vend i NATO-s nuk mund të jetë edhe i trafikimit drejt fqinjëve me kufij të përbashkët detarë, të cilët do të merrnin kundërmasa të ashpra, kjo opozitë që bërtet për heqjen e moratoriumit, nëse do të qeveriste vendin, a do të ishte pikërisht ajo që nuk do ta hiqte moratoriumin, duke e arsyetuar si një veprim ende të parakohshëm? Kërkesa e përsëritur për heqjen e ndalimit, nuk është tjetër gjë veçse politikë për kapital parazgjedhor. Në fund të fundit, si pozita dhe opozita, kur ndërmerret një veprim si ky, pavarësisht cila qeveris, duhet t’i japë përgjigje pyetjes: Nga mos heqja e moratoriumit, më shumë fitohet apo humbet? Nga heqja e moratoriumit, më shumë humbet apo fitohet? Për pyetjen e parë përgjigja është e thjeshtë: më shumë fitohet, sepse nuk dëmtohet imazhi i Shqipërisë që do të frenonte investimet e huaja, mbrohet lëvizja e lirë e qytetarëve me Bashkimin Europian dhe krimi i organizuar mbahet nën fre. Për pyetjen e dytë përgjigja është gjithashtu e thjeshtë: Shqipëria më shumë humbet se sa fiton, sepse mund të ketë ca të ardhura nga turizmi me skafe, por krimi do ta fuste vendin ndër kthetra dhe pasojat do të vinin zinxhir, të cilat, për t’i ditur, mjafton të kthehet kryet tetë vite të shkuara, kur në qeverisje ishin socialistët.