Një lojë me numrin e identitetitNga Ilir BeqjaAshtu si shumë shqiptarë të tjerë edhe unë kam një më në fund një Kartë Identiteti. Në të është shënuar edhe Numri i Identitetit. Në Regjistrin Elektronik Kombëtar të shtetasve unë, Ilir Beqaj, i gjinisë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një lojë me numrin e identitetitNga Ilir BeqjaAshtu si shumë shqiptarë të tjerë edhe unë kam një më në fund një Kartë Identiteti. Në të është shënuar edhe Numri i Identitetit.
Në Regjistrin Elektronik Kombëtar të shtetasve unë, Ilir Beqaj, i gjinisë mashkullore dhe i datëlindjes 18.02.1968 njihem si G80218157A. Ky është pra Numri im i Identitetit. Ky numër shërben që unë të identifikohem në regjistrin kombëtar të shtetasve, pra të dallohem midis të tjerëve, por edhe të autentifikohem, pra asnjë person tjetër të mos ketë këtë të njëjtin numër me mua.
Për fat të keq, numri i identitetit nuk po fillon të përdoret në jetën e përditshme, për t’i ndihmuar institucionet e ndryshme për të më shërbyer më mirë, për të gjurmuar nëse unë cenoj interesat private të dikujt apo interesat publikë të shoqërisë, etj.
Numri i identitetit deri tani u është dhënë vetëm shtetasve që janë pajisur me Kartë Identiteti, pra kujtdo që ka mbushur moshën 16 vjeç, e, për pasojë, të sapolindurit në Shqipërinë e vitit 2010, ende nuk janë qytetarë modernë. Nuk marrin ende barnat falas deri në 12 muajt e parë të jetës duke u identifikuar me NID e tyre, nuk regjistrohen ende në amzën e shkollës me NID e tyre, etj.
NID i shqiptarëve ka 10 elementë dhe ashtu si edhe të ngjashmit në vende të tjera, elementin e fundit e ka element kontrolli. Elementi i kontrollit shërben që gjatë regjistrimit të numrit në sisteme të ndryshme informatike, të mos ndodhin gabime nga leximi apo shkrimi. Kur ndodh ndonjë gabim i tillë, algoritmi i kontrollit sinjalizon që numri i regjistruar nuk është i saktë. Nuk është i saktë në kuptimin që gjatë leximit nga mbajtësi, dëgjimit nga punonjësi apo shkrimi gabim po nga punonjësi duhet të ketë ndodhur ndonjë gabim. Korrigjimi i gabimit siguron që në çdo sistem të ardhshëm NID të jetë regjistruar saktë.
Numri i identitetit të shtetasve formohet nga informacion që vjen nga ditëlindja dhe gjinia. Këto dy të dhëna formojnë 6 elementët e parë. Elementët 7 deri në 9 janë një sekuencë 3 – shifrore që përcaktohet sipas radhës në të cilën regjistrohen në sistem persona të lindur në të njëjtën ditë. Elementi i 10 është element kontrolli i llogaritur sipas një algoritmi me modul 23. Në vijim të këtij shënimi do të shtjellojmë më tej këtë algoritëm.
Mënyra e plotë dhe e saktë që përcakton se si gjenerohet një numër identiteti është e përcaktuar në aneksin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr 827, datë 11 dhjetor 2003 (botuar në FZ nr 104. datë 24.12.2003, faqe 4436).
Në vijim unë do të përpiqem të rigjeneroj numrin tim të identitetit, duke ndihmuar kështu çdo lexues që mund të dëshiroj të përsërisë të njëjtin ushtrim për numrin e tij personal.
(Shihni tabelat në faqen 24 për të bërë llogaritë vetjake)
Ditëlindja ime në formatin dd.mm.vvvv është 18.02.1968.
Dy shifrat e fundit të vitit të lindjes – pra 68 – bëhen G8 sipas tabelës 1 dhe formojnë elementin e parë e të dytë.
***
Muaji i lindjes sime është 02 dhe kështu formohen elementi i tretë dhe i katërt . Dua të sqaroj se nëse gjinia ime do të ishte femërore muajit të lindjes duhet t’i shtohet 50, thënë ndryshe nëse do të isha femër elementi i tretë dhe i katërt do të ishin 52 (50 + 02).
Data e lindjes është 18 dhe kështu formohen elementi i pestë dhe i gjashtë.
Pra, 6 elementët e parë të numrit tim janë G 8 0 2 1 8.
Elementët 7 – 9 janë 157 dhe ky numër duhet të jetë gjeneruar në momentin e regjistrimit të të dhënave vetjake Ilir Beqaj, në Drejtorinë e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Kështu 9 elementët e para të NID tim janë G 8 0 2 1 8 1 5 7.
Karakteri i kontrollit me modul 23 llogaritet si më poshtë :
Elementi i parë konvertohet me numrin e pozicionit të shkronjës sipas tabelës 2 (kjo tabelë nuk është gjë tjetër veçse radha e shkronjave A – Ë në alfabetin anglez):
Numrat e elementëve 2 deri në 9 shumëzohen me numrin që tregon pozicionin e elementit. Kështu, numri aktual në elementin 2 shumëzohet me 2, numri aktual në elementin 3 shumëzohet me 3, numri aktual në elementin 4 shumëzohet me 4 etj.
Rezultatet e nxjerra nga veprimet e parashikuara ne piken 1 dhe 2 mblidhen. Në rastin konkret kemi këtë situatë : tabela 3
Shuma e 9 numrave të rreshtit të fundit të tabelës së mësipërme është 194. Ky numër pjesëtohet me numrin 23, prandaj edhe algoritmi i kontrollit quhet modul 23. 23 është numër prim, thënë ndryshe numër që plotpjesëtohet vetëm me veten e tij me numrin 1.
Pas pjesëtimit, merret mbetja, e cila lëviz në intervalin 0 – 22. Çdo kush e ka të lehtë të llogarisë që rezultati i 194 : 23 është herësi 8 dhe mbetja 10. Pikërisht mbetja 10 konvertohet në germë sipas tabelës që përdorëm më lart për të konvertuar edhe shkronjën G në numër 7. Pra mbetja 10 konvertohet J.
Pra, sipas përcaktimeve të vkm nr. 827 të sipërcituar numri im i identitetit duhet të jetë G80218157J. Në fakt numri që unë disponoj është G80218157A. Uouu! Shihet qartë që elementi i kontrollit është llogaritur gabim. Numri im i identitetit qenka ngatërruar!
Ndjehem shumë i ligështuar, kur konstatoj se shteti im ka bërë një gabim kaq të rëndë me diçka që sot e tutje do të jetë një nga elementët më të rëndësishëm në jetën time të përditshme.
Pres një përgjigje nga Ministri i Brendshëm i vendit tim. Dua shpjegime pse më kanë dhënë një gjë që bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Dua që kjo të korrigjohet sa më parë, dua që përgjegjësi të ndëshkohet dhe padyshim dëmi të më dëmshpërblehet.
Ndërkohë, i kërkoj Ministrit për Reformën Institucionale se meqë është ngarkuar, së fundmi, edhe me çështje të shoqërisë së informacionit të informojë të gjithë administratorët e sistemeve të informacionit në administratën publike që të bëjnë kujdes në marrëdhënie me shtetasit. Kjo, sepse hartues të sistemeve të ndryshëm të informacionit, me të drejtë të zotit, do të bazohen në vkm nr. 827. Nuk është faji i këtyre profesionistëve pse sistemet do të përgjigjen se numrat e identitetit nuk janë të saktë, por ajo që është më e rëndësishme as qytetarët nuk duhet të vuajnë pse shteti i tyre i ka futur në këtë bela jo të vogël.