E Diel, 1 Nëntor 2026

Një manual psikologjie nga Jeta Shkurti



Këto ditë ka dalë në treg libri “Psikologjia shkollore e zbatuar”, manual për psikologët shkollorë, nga shtëpia botuese “Dituria”. Autorja e tij, Jeta Toçila Shkurti, ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale, dega Psikologji, profili Psikologji Shkollore dhe Organizimi, gjatë periudhës 1998-2002. Aktualisht autorja ndjek studimet “Master” të nivelit të dytë në Shkenca Administrative. Jeta (Toçila) Shkurti është kryetare e Shoqatës Shqiptare të Shërbimit Psikologjik për Fëmijë dhe Adoleshentë. Prej 5 vjetësh ajo punon si psikologe në gjimnazin “Ismail Qemali” dhe në shkollën 9-vjeçare “4 Dëshmorët” në Tiranë. Paralelisht me këtë është e angazhuar në TVSH si spikere lajmesh dhe opinioniste në median e shkruar. “Psikologjia shkollore e zbatuar”, manual për psikologët shkollorë, është libri i saj i parë, i cili vjen si një domosdoshmëri për të gjithë psikologët që punojnë nëpër shkolla, mësuesit, prindërit dhe për të gjithë studentët e psikologjisë. Libri përmban informacione mbi rolin dhe funksionet e shërbimit psikologjik, parimet etike të këtij shërbimi, konsultimet me mësuesit, si realizohen dhe për çfarë bëhen ato. Gjithashtu, aty trajtohet gjerësisht vlerësimi dhe këshillimi psikologjik, platformat e vëzhgimit, instrumentet dhe protokollet që përdoren nga psikologu për nxënësit që ndjekin seanca këshillimi. Autorja ka përfshirë në libër tema konkrete që trajtohen nga psikologët në shkollë, në orët edukative ose seminaret sensibilizuese, duke u ardhur kështu në ndihmë të gjithë psikologëve të rinj që hasin vështirësi në hartimin dhe realizimin e planit të punës. Në vazhdimësi të kësaj ideje në libër flitet edhe për planet edukative dhe ato të punës që hartohen nga psikologu, strategjitë e ndërhyrjes në raste të krizave shkollore ose për parandalimin e një fenomeni shqetësues për shkollën dhe hapat konkretë në ndërhyrjen e tyre. Fenomene si depresioni apo dhuna mes nxënësve janë të trajtuara gjerësisht në kapitullin e strategjive të ndërhyrjes, për të shërbyer si një model, i cili mund të adaptohet edhe për fenomene të tjera që janë tipike në shkollat tona. Gjithashtu të interesuarit mund të gjejnë në libër teste dhe pyetësorë të gatshëm për t’i përdorur në punën e tyre me fëmijët dhe adoleshentët.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›