E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri Kombëtar, nis gara për Festivalin e të Rinjve



Këto ditë është shpallur çelja e njërit prej projekteve relativisht të reja, që synojnë spikatjen, promovimin dhe mbështetjen e talenteve të reja të artit skenik, siç është Festivali i të Rinjve 2009, konkurs i cili organizohet nga Teatri Kombëtar i Tiranës me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës. Ky projekt, që do të zhvillohet në katër 6 faza të ndryshme, ka nisur më 20 mars me shpalljen e aplikimit dhe do të përmbyllet në fund të këtij viti me turnetë e shfaqjeve fituese nëpër rrethe të ndryshme. Sa i takon këtij konkursi, siç thamë, është një projekt që synon t’u japë mundësinë aktorëve dhe regjisorëve të rinj të talentuar të teatrit që të debutojnë në skenën e Teatrit Kombëtar, por edhe nëpër teatro të tjerë në rrethe, duke bërë kështu njëherësh evidentimin e tyre dhe një prezantim me publikun. Fondi që vihet në dispozicion për fituesit, të cilët mendohet të jenë jo më shumë se shtatë shfaqje, arrin në shumën 5 500 000 lekë. Organizatorët e konkursit pohojnë se “për vitin 2009, përpos Festivalit të të Rinjve, i cili kurorëzohet me shpalljen e shfaqjes fituese dhe përfshirjen e saj në kalendarin artistik të TK-së, është menduar që premierat të kryejnë një turne në disa nga teatrot bashkiakë, kjo në funksion të njohjes dhe afirmimit të artistëve të rinj edhe në teatrot e qyteteve kryesore”. Gjithashtu, nga Teatri Kombëtar deklarohet që impakti i këtij projekti është ndikimi i drejtpërdrejtë në integrimin e artistëve të rinj në institucionet publike të artit, mundësimi i konkurrencës mes të rinjve më të spikatur dhe rritja e ndërgjegjësimit të institucioneve publike kombëtare të kulturës për krijimin e hapësirave në shërbim të artistëve të rinj.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›