E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një mbrëmje poetike për Zef Zorbën

Botimi “Buzë të ngrira në gaz” vjen i përmirësuar nga “Princi”

Organizatorët e kanë quajtur “Meshë poetike për Zef Zorbën” takimin e mbrëmshëm poetik që u zhvillua në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me rastin e botimit të përmirësuar të librit “Buzë të ngrira në gaz”, botuar nga shtëpia botuese “Princi”. Vepra e tij poetike vjen me parathënien e Ismail Kadaresë, ndërsa kanë referuar me këtë rast Mark Marku, Ardian Marashi, Sabri Hamiti, Stefan çapaliku dhe Primo Shllaku.

“Buzë të ngrira në gaz” është i vetmi libër që shkroi në jetë Zef Zorba, i cili u botua një vit pas vdekjes tij. Poeti Zef Zorba lindi më 1920, në Kotorr të Malit të Zi, në një familje shqiptare. Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovas në Itali. I ndërpret studimet më 1943, për arsye të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke. Në vitet 1945-1946 punësohet si regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramatike si "Juda Makabe" e Fishtës, "Armiku i Popullit" i Ibsenit etj. Ndoshta edhe për këtë arsye arrestohet më 1946 dhe burgoset nën akuzën “agjitacion e propagandë”. Vuan dënimin ndër kampet e punës dhe "riedukimit" deri në vitin 1951. Më vonë punon në ndërmarrje të Rrethit të Shkodrës si llogaritar deri në vitin 1980, kur dhe del në pension. Ndërron jetë në janar të 1993-shit në Shkodër.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›