Prokurori i Task-Forcës në Tiranë, drejtues në Fier
Kryeprokurorja Ina Rama ka komanduar Besnik Canin si drejtues në Prokurorinë e Fierit. Cani deri dje ka qenë prokuror pranë njësisë Task-Forcë në Tiranë. Ky post ishte vakant, pasi ish-drejtuesi Altin Binaj u emërua me dekret të Presidentit Bamir Topi si drejtues i Prokurorisë së Durrësit. Në këtë mënyrë Kryeprokurorja Ina Rama ka preferuar të delegojë Besnik Canin, duke mos dashur të përsërisë rastin e Durrësit, ku emërimi i drejtuesit të ri zgjati plot katër muaj, duke e futur këtë institucion në kaos. Në rastin e Fierit, akuza qendrore ka caktuar një prokuror me eksperiencë, i cili ka hetuar dosje të rëndësishme, midis tyre edhe dosjen “Fazlliç”, ndërsa aktualisht mban postin e kryetarit të Këshillit të Prokurorisë, një hallkë e domosdoshme për ruajtjen e pavarësisë së prokurorisë. Burime nga akuza qendrore thanë se delegimi i Canit mund të jetë i përkohshëm dhe gjatë javëve në vazhdim kandidatët për drejtues prokurorë në Fier do të paraqesin një kërkesë. Pas kësaj, Këshilli i Prokurorisë do të votojë për emrin e ri.
#