Një mendim alternativ për komunikimin politik
Ditët e fundit, në shtyp është hapur një debat në lidhje me trajtat e reja që po merr komunikimi politik. Përtej teprimeve që vërehen gjatë analizave të dukurisë për të fajësuar njërën palë dhe për të viktimizuar palën tjetër apo prirjes për ta justifikuar komunikimin brenda modeleve doktrinare të ligjërimit politik, në thelb, ky debat prek natyrën e etikës dhe si i tillë, trajtimi i saj nuk mund të kufizohet brenda kontekstit politik.
Në këtë kontekst vlen të hapet një debat publik për këtë çështje, pasi mund të kontribuojë deri diku në stabilizimin e disa parametrave etikë si në media ashtu edhe në nivelin e komunikimit politik. Aq më shumë që jemi në fushatë parazgjedhore dhe aktorët politikë tundohen nga interesa të ngushta personale dhe partiake të kapërcejnë kufijtë etikë dhe moralë në kurriz të atyre individualë. Njëkohësisht, edhe media e shfrytëzon këtë periudhë për të maksimizuar publikun e saj në kurriz të disa parametrave etikë.
Momenti ku theksohet më shumë kjo prirje është i lidhur me taktikat e përdorura nga partitë politike për të goditur në publik lidershipin. Mendohet se përshtypja që krijon publiku për karakterin e liderit influencon në votëbesimin që jep ai në procesin e votimit. Në funksion të realizimit sa më mirë të këtij projekti, partitë politike grumbullojnë informacione të detajuara që kanë të bëjnë me jetën personale të kandidatit, duke i bërë publike nëpërmjet ligjërimit politik si dhe publikimit në median e shkruar. Një taktikë kjo me origjinë amerikane që ka nxitur jo pak debat për sa u përket efekteve që shkakton në planin etik, por edhe në atë politik. Themi në planin etik pasi kufijtë ndërmjet privates dhe publikes bëhen shume evazivë. Ndërsa në planin politik mendimet e specialistëve për efektet e kësaj strategjie janë shumë të ndryshme. Ka mendime që ka efekt në publik kjo taktikë, por njëkohësisht nëse ky informacion që i serviret publikut nuk është “i goditur” mund të kthehet në bumerang për partinë dhe median që e publikon.
Duke parë se shtrirja e këtij fenomeni i ka kaluar kufijtë e vendit të origjinës siç është Amerika dhe tashmë po kthehet në modë në shumë vende të tjera, vlen të analizojmë mënyrën e aplikimit dhe efektet e mundshme që krijon kjo teknikë e të bërit fushatë. Kjo analizë sigurisht do të përqendrohet në vendin tonë pasi ky model ka filluar të zhvillohet edhe në ambientin politik shqiptar ku në prag zgjedhjesh arrin pikën kulmore. Sigurisht analiza nuk mund të prekë të gjitha dimensionet që mbart fenomeni, por të paktën synon të prekë ato më të rëndësishmet.
Siç dihet, media elektronike dhe e shkruar luan një rol kyç në stimulimin e këtij fenomeni, jo vetëm për faktin se përdoret nga politika, por më shumë beson se publiku është i interesuar për të tilla detaje dhe në planin komercial i intereson kjo taktikë. Në këtë mënyrë “produkti” ofrohet nga politika, ndërsa media me teknologjinë e saj realizon “ambalazhimin” për ta bërë sa më shumë të shitshme dhe tërheqëse për publikun. Mungesa e respektimit të një kuadri etik na krijon një realitet ku privatësia bëhet publike për shkak të dobishmërisë politike dhe komerciale, ndërsa çështja publike mbetet thjesht një preferencë individuale. Por më konkretisht, cilat mund të jenë disa nga efektet negative që dallohen në këtë taktikë elektorale në planin politik, mediatik dhe atë etik, duke iu referuar sigurisht edhe eksperiencave të kaluara?
Së pari, në aspektin e ligjërimit në publik, shikojmë eksponentë të rëndësishëm politikë që në ambientet publike, si Parlament, mitingje apo konferenca për shtyp synojnë të ofrojnë sa më shumë informacion me natyrë sasiore apo përmbajtjesore për figurën e liderit me qëllim informimin sa më mirë të publikut për karakterin e liderit. Por që shpeshherë mungon lidhja mes rolit që mund të ketë një informacion i tillë tek publiku dhe masa e ndikimit mbi të. Dhe në këto kushte publikut i jepet shkas për dyshime lidhur me kredibilitetin dhe motivet e subjektit politik në njërën anë apo të medias që e mundëson këtë gjë në anën tjetër. Kujtojmë efektet e publikimit të fotove të z. Rama gjatë zgjedhjeve vendore të 2007-s dhe përsëritja e të njëjtës strategji edhe tani në prag të zgjedhjeve. Nisur nga eksperienca e kaluar mund të themi se nuk mjafton të kopjosh një model diku dhe thjesht nga fakti se ka pasur sukses atje, mund ta zbatosh mekanikisht edhe këtu, pasi një rol të rëndësishëm në këtë rast luan konteksti kulturor që do ta interpretojë këtë taktikë.
Së dyti, është testuar nga disa specialistë të komunikimit se ligjërimi i dominuar me fjalë fyese dhe të personalizuara, që nuk përmbajnë informacion pozitiv apo orientim rreth një çështjeje, janë të papëlqyeshme dhe nuk besohen nga votuesit. Krijohet përshtypja në publik se ka një devijim nga programet dhe çështjet që i shqetëson ato drejtë gjërave sipërfaqësore dhe të parëndësishme. Në ndihmë të këtij argumenti na vjen strategjia e ndërmarrë nga mazhoranca e kryesuar nga PS-ja në zgjedhjet e 2005-s ndaj opozitës ku e gjithë fushata ishte projektuar me nota negative dhe denigruese ndaj figurës së liderit të opozitës. Përmbajtja e fushatës nuk ishte e fokusuar tek arritjet e qeverisë apo tek projektet për të ardhmen por tek denigrimi i opozitës dhe liderit i saj duke u shpërblyer nga elektorati me vota kundër. Të njëjtën strategji po përdor edhe tani në prag zgjedhjesh.
Së treti, efekti i një ligjërimi që mbështetet kryesisht tek sulmet me natyrë denigruese në një shkallë të atillë, sa çdo zyrtar në sytë e publikut bëhet “batakçi”, “gënjeshtar”, “Don Zhuan”, “kriminel” krijon një tipologji e cila mund të lexohet në dy mënyra. Në njërën anë publiku i gjerë rrit mosbesimin ndaj partive politike në përgjithësi, duke e manifestuar në nivelin e ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit. Ndërsa për pjesën tjetër e pazakonshmja dhe imoralja fillon të konceptohet si e zakonshme dhe morale nga opinioni publik.