E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Albtelekom të Tiranës zgjedhohet folja vjedh (Fejton)

Nga Hyskë BOROJKA  
Letër e Hyskë Borobojkës, drejtuar drejtorit të Albtelekomit të Tiranës, ku tregohen disa dukuri aspak të këndshme nga shërbimet e kryera ndaj qytetarëve.
I shumënderuari drejtor! E mira e të mirave do të ishte, që të vija në zyrën tuaj e të fjaloseshim goja-gojës, për shqetësimet që kemi ne qytetarët ndaj shërbimeve që kryen Albtelekomi. Në këtë mes nuk është faji im, pasi erdha në ndërtesën e zyrave tuaja në rrugën Myslym Shyri, por në hyrje të saj më pritën tre goxha burra, që mbanin të varura në qafë nga një letër identiteti me gjithë portretet e tyre, të cilët u bënë gardh e nuk më lejuan ti ngjisja shkallët përpjetë. Madje njëri prej tyre, më dha receptorin e telefonit për te biseduar me një punonjësen tuaj. Se çfarë i kërkoja unë e për çfarë mu përgjigj ajo, siç hyra dola. Ankesa ime, i shumënderuari drejtor, është kjo. Sa herë më vjen Fatura Tatimore Shitjeje për shërbimet telefonike mujore, veç detyrimeve kryesore siç janë: Pajtimi familjar, komunikime lokale e TVSH, duhet të paguaj edhe një sasi lekësh për kartë të parapaguar. Kështu që, këtë qerrata kartë, e kam paguar kur e kam blerë, por ja që duhet ta paguaj përsëri, sipas faturës tuaj. Kur shkoj në njësinë postare për të shlyer detyrimin dhe e pyes nëpunësen: Ç është kjo pagesë për kartë të parapaguar? Ajo, me një sy nga filxhani i kafesë, që mban mbi tavolinë e me syrin tjetër tek unë, mbledh supet e më përgjigjet, se kjo çështje nuk është në kompetencën e saj dhe më këshillon të vij në zyrat tuaja të sqarohem. Aty i zura me radhë sportelet. Në njërën prej tyre, një grua e veshur me të zeza, shqetësimin më të madh e kishte te tosti mos i digjej e mbetej pa ngrënë, se sa te shqetësimi im. Por, të mos ia ha hakën, se më këshilloi të shkoja te sporteli i fundit, te zonja përgjegjëse. Kjo ma preu shkurt: Nuk jam në gjendje ta shpjegoj, që një kartë e parapaguar të paguhet dy herë për çdo muaj me faturën tatimore të shitjes!
E pashë zoti drejtor, se u bënë disa muaj që po paguaj për të dytën herë kartë të parapaguar dhe vendosa të mos ble më nga këto viran karta... Më mirë të marr një kartë telefonike për të folur në kabinat telefonike të jashtme. Shkova në sportelin ku tregtohen këto lloj karta, por në vend të tyre, me një shkrim gjysmë analfabeti, gjeta shënimin Karta s ka. Sa dola jashtë m u turrën nja tre a katër matrapazë, që mbanin në duar nga një tyfë karta të tilla.
-Zotni, doni një kartë 50 impulse për 500 lekë?- njëri.
-Merreni tek unë për 450 lekë! tjetri
I tret më këshilloi të merrja te ai një kartë 100 impulse për 1000 lekë.
Nuk e di. o zoti drejtor, a keni bërë ndonjë llogari se sa lekë fitojnë këta matrapazë nga kjo që quhet tregti i zezë. Mos vallë kanë rënë në ujdi me nëpunësit tuaj, që tua japin këtyre e të shkruajnë në sportel, pa pika, presje e apostrofa: Karta s ka?!, pasi, siç e dini, njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja fytyrën e fëlliqur.
Kur nuk gjej dot karta në sportelet tuaja, detyrohem të bisedoj më kartat e disave që ruajnë e kujdesen për telefonat e kabinave të rrugëve, të cilët i shesin impulset, si frëngu pulën, 20 lekë një. Këta matrapazë, i nderuari drejtor, vetëm nga një kartë 50 impulse, që e blenë nga ju 350 lekë, fitojnë 650. Sikur të shesin 100 impulse, që i kanë blerë 600 lekë, sigurojnë një pagë ditore prej 1400 lekë, që do tua kenë zili edhe ata që u mësojnë germat fëmijëve tanë.
Nuk e di sa kabina të tilla ka Tirana e sa matrapazë keni punësuar në to?! Besoj se do të keni ndonjë statistikë të saktë të tyre, për të njoftuar qeverinë sa hallexhinj matrapazë keni sistemuar në punë? Nuk e di, o zoti drejtor, nëqoftëse e keni zgjedhuar me nëpunësit tuaj  foljen vjedh në të gjitha vetat e mënyrat?! Ja, për këto erdha të piqesha me ju në banesën nr. 42, në rrugën Myslym Shyri por te porta e saj kishte burra më të zotë nga unë, që ti shkurtonin këmbët të bëje përpjetë shkalleve të vije në zyrën tuaj.
Qofshi për vete bashkë me taborin e nëpunësve tuaj. Thoni se na froni shërbim më cilësor në treg dhe me tarifa shumë të favorshme, por si duket favoret i përfitojnë më shumë matrapazët, se sa ne qytetarët.
Të fala dhe shëndet

Last Updated on Saturday, 28 March 2009 10:44

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›