E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi për kartat e identitetit, në 210 njësi vendore



Ministria e Brendshme ka dalë sërish dje me një njoftim për të bërë publike se procesi i aplikimit për letërnjoftime elektronike deri më tani ka filluar në 210 njësi vendore. “Deri në datën 26 mars 2009 kanë aplikuar 350 mijë shtetas, ndërkohë në Qendrën Kombëtare të Personalizimit të të Dhënave janë prodhuar 250 mijë karta identiteti”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Ai kujtoi dhe faktin se para disa ditësh ka filluar në Tiranë edhe procesi i aplikimit për pasaporta biometrike. Ministria e Brendshme thotë se u bën thirrje të gjithë qytetarëve që nuk disponojnë pasaportën aktuale për udhëtim jashtë shtetit të paraqiten në qendrat e aplikimit për t’u pajisur me letërnjoftimet elektronike. “Ministria e Brendshme rikujton edhe një herë se letërnjoftimi elektronik është një dokument që nuk vlen vetëm për zgjedhjet parlamentare të qershorit, por edhe për të marrë shërbimet e institucioneve shtetërore”, - tha Konja. Ndërkohë që Konja kujtoi se mospasja e kartës së identitetit do të krijojë pamundësinë e marrjes së këtyre shërbimeve për pensionistët, studentët dhe të gjithë qytetarët e tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›