E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi turk, interes për të investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare



Përfaqësues të shoqërive private turke, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre ekonomike në fushën e biznesit dhe që janë pjesëmarrës në Panairin e Biznesit Turk, që është hapur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, u shprehën për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “janë të interesuar për të investuar së shpejti në sektorin e ndërtimit, infrastrukturës dhe turizmit në Shqipëri”. Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Turqisë, Dr. Murat Yalçintas, tha: "Unioni i biznesit turk në fushën e ndërtimit po sheh mundësinë e bashkëpunimit dypalësh me biznesin shqiptar për të investuar në sektorin e turizmit, infrastrukturës dhe veçanërisht të ndërtimit". Sipas tij, për të konkretizuar këto nisma, biznesmenët turq pritet të organizojnë takime dhe me përfaqësues të shoqërive private shqiptare që operojnë në sektorin e ndërtimit. Ndërsa, përfaqësuesi i kompanisë së ndërtimit "Halil Alumin", Said Trimbuk, që operon prej disa vitesh në sektorin turk të ndërtimit të fasadave, vlerësoi mundësitë e shumta që ofron Shqipëria për investime, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.

"Ne po e shohim me shumë interes ritmin e zhvillimit që po merr Shqipëria në përmirësimin e infrastrukturës dhe urbanistikës. Në këtë kuadër, - tha ai, - vlerësojmë rritjen e cilësisë dhe standardeve në sektorin e ndërtimit". Duke u ndalur në aktivitetin e kompanisë që ai drejton, e cila prodhon fasada alumini për qendra tregtare, banesa etj., Trimbuk shprehu interes për të bashkëpunuar me ndërtuesit shqiptarë. Sipas tij, përdorimi i fasadave të aluminit në sektorin e ndërtimit do të thotë më shumë siguri dhe standarde bashkëkohore. Trimbuk shprehu bindjen se ky panair do t'u shërbejë biznesmenëve pjesëmarrës për zgjerimin e bashkëpunimit midis biznesit shqiptar dhe atij turk.

Burime nga Dhoma e Tregtisë së Turqisë bëjnë të ditur se janë rreth 60 firma turke (pjesa më e madhe e të cilave, ndërmarrje të vogla e të mesme), që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri në sektorin e energjitikës, ndërtimit, telekomunikacionit, minierave etj.

Ndërkohë që në Panairin e Biznesit Turk, që do të qëndrojë i hapur deri më 30 mars, marrin pjesë rreth 70 biznese dhe kompani të ndryshme që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Turqia është ndër partnerët kryesorë në shkëmbimet tregtare me vendin tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›