E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kjo hipokrizi e tmerrshme që po na mbyt

Nga Flamur BËRDËLLIMA 
Sinqerisht nuk di nga tia nis. Nganjëherë më duket sikur edhe ngulmimi i pastër mediatik është diçka eterike dhe një ditore, për ti lënë vendin diçka tjetër nesër. Por çfarë është e nesërmja? Një pult në dorën e njeriut, që shkon në orën 18:00 të mbrëmjes në shtëpi, dhe gënjen shokun apo shoqen, se E pashë këtë emision, qafsha filanin që e pashë, kur në të vërtetë nga lodhja e natyrshme, vetëm ia fut gjumë dhe pret të nesërmen që të përsëritet gjithçka pa asnjë lloj sfide dhe optimizmi. Po pra ky është njeriu shqiptar që çdo ditë akomodohet pranë Moshës së internetit, shikon ca fytyra konstante, dhe megjithëse e di se asgjë të re nuk do ti sjellë, kështu e shikon. I nderuar që shkruan në këtë gazetë, mendoj se kështu janë të gjithë. Pra jo vetëm Saliu, por edhe Edi dhe Iliri.  Ideja është më e thjeshtë: More këta njerëz që janë disa milionë, nuk kanë të drejtë ndonjëherë të mos sulmohen nga mediat në mënyrë kaq agresive dhe të poshtër? Vërtetë, vërtetë, nuk ka si jetë ndryshe, kur mbasi të gjithë vetëdijesohen se jeta është jo vetëm e shkurtër por edhe e përkohshme për çdo individ, vallë nuk mund të jetohet pak më qetë? Pa le më lumturinë, sepse hyn në diskutime shumëplanëshe. Rastësisht në Paris, (dhe e kam për fat), në prani të Ismail Kadaresë dhe Elenës kam takuar Milan Kunderën, shkrimtarin çek që fitoi çmimin nobel në librin e tij të jashtëzakonshëm Shakaja . Duke folur pak frëngjisht, me aq sa une e njoh këtë gjuhë, ai iu drejtua motrës time, Shpresës, me fjalët: lhypocrisie cest justement le régulateur  numero un de la vie, pra thënë në shqip Hipokrizia është rregullatori numër një i jetës. Mendoni që këtë e thotë një shkrimtar disident, që ka sot një monument në Çeki, të përkthyer në realitetin shqiptar. Ore thjeshtë fare: Kujt ti besosh? Njeriut që merr një fëmijë rom në krah, një tjetri që shkon me fuoristradë deri në Lezhe, a thua se shkoi në Polin e Veriut apo të Jugut, dhe merr edhe ai një fëmijë në krah apo të gjithë politikanët e tjerë, që nuk dalin kurrë në kamera po nuk patën ndonjë fëmijë në krah. A thua se ky fëmijë, pasi ikën ai politikan bëhet vallë më i lumtur. Modestisht po them që në familjen time, si dhe shumë të tjerë kam dy fëmijë, që i kam marrë nga jetimorja. Një e ka vëllai në Itali, tjetrën motra e vdekur, dhe asnjëherë nuk kam tentuar të bëhem mediatik për këtë. Është një gjë njerëzore dhe kaq. Po ku po na çon kjo hipokrizi, kur tjetri buzëqesh, me një buzëqeshje kaproni dhe i duket sikur po rregullon sistemin e lëvizjes së planetëve dhe satelitëve. O ju të dashur kandidatë për deputetë, si një ish- kandidat për deputet, modestisht po ju porosis: Iku koha e thesit të miellit dhe e ca lekëve nën dorë. Hyni tek shpiti i njeriut që të fitoni dhe kaq.

Last Updated on Saturday, 28 March 2009 10:42

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›