Një mendim rreth formulës së urimit për muajin e Ramazanit
Së pari, ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe agjërim të lehtë. Dita e fillimit të muajit të Ramazanit u urua në të gjitha mediat nga përfaqësues të ndryshëm të Komunitetit Mysliman, qendrorë dhe lokalë.
Por, për këtë problem unë kisha një koment, sugjerim apo ndoshta dhe një pyetje për përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman, pasi ata në përurimin e ditës së parë të Ramazanit, theksojnë se: “Muaji i shenjtë i Ramazanit përveç tjerash (kuptohet të mirave), për të gjithë ata që e agjërojnë, Zoti u fal të gjitha mëkatet që ata kanë bërë”.
Me këtë shprehje, unë si besimtare myslimane nuk jam aspak dakord, pavarësisht se nuk e kam lexuar librin e Kur`anit, por që besoj se nuk do jetë shprehimisht kështu. Pasi duke u shprehur kështu, besimtarë ose predikues të ndryshëm të fesë myslimane, përkthimi i kësaj shprehjeje mund të jetë: “Për 11 muaj të tjerë të vitit, ti, ose më saktë në të gjithë, mund të bëjmë ç’të duam, të vrasim, vjedhim, bëjmë keq, tradhtojmë ose shumëçka tjetër dhe kur të jetë muaji i shenjtë i Ramazanit, këto bëma Zoti do na i falë”, kjo sikur nuk shkon dhe besoj se është interpretim jo i saktë.
Unë mendoj se duhet të jetë se, “të gjithë ata që agjërojnë muajin e shenjtë të Ramazanit, e kanë si obligim një gjë të tillë, ose më saktë, është një detyrim që çdo mysliman duhet ta kryejë”.
Sepse duket sikur, duke u nisur nga kjo shprehje, do “turren” përgjatë gjithë vitit të bëjnë ç’të duan, pasi do vijë një ditë që atyre do ju fshihen të gjitha.