Një miliardi i Bankës Botërore
Me ndihmën financiare që arrin rreth 1
miliard dollarë, Banka Botërore ka ndihmuar Shqipërinë në qindra projekte që
bënë të mundur transformimin e këtij vendi nga 2 apo 3 vendet më të varfra të
planetit, nga vendi i hiperkolektivizmit total dhe sistemit totalitar më të
egër, në një vend me ekonomi tregu, në një vend me hapa të mëdha në procesin e
integrimit europian, me institucione të një demokracie funksionuese dhe që
është shkëputur nga grupi i vendeve të varfra dhe është vendosur në grupin e
vendeve me te ardhura mesatare
Nga Sali
Berisha
Kryeministër
Kjo mbledhje është një mbledhje historike në
partneritetin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer 20 vjeçar që Shqipëria ka pasur dhe
ka me Bankën Botërore. Sikundër dua të theksoj se vizita e Zv/presidentit të
BB-së është një ngjarje e madhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bankës
Botërore. Së pari, unë dua t'i shpreh mirënjohjen time më të thellë
Zv/presidentit, për partneritetin e shkëlqyer dhe ndihmën eficente që Banka Botërore
i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve. Me ndihmën
financiare që arrin rreth 1 miliard dollarë, Banka Botërore ka ndihmuar
Shqipërinë në qindra projekte që bënë të mundur transformimin e këtij vendi nga
2 apo 3 vendet më të varfra të planetit, nga vendi i hiperkolektivizmit total
dhe sistemit totalitar më të egër, në një vend me ekonomi tregu, në një vend me
hapa të mëdha në procesin e integrimit europian, me institucione të një
demokracie funksionuese dhe që është shkëputur nga grupi i vendeve të varfra
dhe është vendosur në grupin e vendeve me te ardhura mesatare.
Me Zv/presidentin e BB-së ne bëmë një shqyrtim
të bashkëpunimit të suksesshëm të viteve, në kuadrin e strategjisë së
bashkëpunimit me vende të Bankës, si dhe përcaktuam fushat e përqendrimit në
stadin e ardhshëm të bashkëpunimit midis BB-së dhe Shqipërisë, përcaktimi i një
marrëveshje të re, të bazuar tërësisht në prioritet e mëdha të qeverisë dhe të
zhvillimit të vendit.
Në takimin para kësaj mbledhje, unë shpreha vlerësimin
më të madh për projektet e rëndësishme që Banka Botërore udhëheq në Shqipëri.
Në veçanti për projektet në fushën e transportit, Banka Botërore ka dhënë një
kontribut të madh me financimet e saj, në mobilizimin e fondeve nga donatorët
në disa projekte madhore që po ndryshojnë vendin, ndër të cilat unë do të
përmendja segmentin Milot-Rrëshen të autostradës Durrës-Prishtinë, por do të
theksoja këtu edhe projektin e rrugëve dytësore, projekt që po transformon, me
zbatimin e tij të suksesshëm, gjithnjë e më shumë jetën e zonave rurale të
Shqipërisë. Kërkova nga Zv/presidenti të shqyrtojë mundësinë që në këtë
portofol të përfshijë edhe ndihmën dhe financimin për furnizimin me ujë, që të
shkojnë paralel njëra me tjetrën. Ky është një program i suksesshëm.
Banka Botërore prej shumë vitesh ka dhënë një
kontribut thelbësor në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Ramë dakord me Zv/presidentin
që bujqësia të mbetet një përparësi madhore, së pari në fushën e vaditjes.
Qeveria ime ka një ambicie të madhe që të transformojë vaditjen në Shqipëri dhe
të shtrijë sipërfaqen e tokës nën ujë nga 180 deri në 200 mijë hektarë,
sikundër të adaptojë metodat më moderne të vaditjes, si një vendim që të mund
të ndryshojë psikologjinë lokale dhe qëndrimin në tërësi ndaj ujit në fushën e
bujqësisë. Në bujqësi unë informova Zv/predisdentin se një projekt tjetër
madhor është duke u zhvilluar dhe ky është projekti i mbjelljes të 20
milion rrënjëve ullinj, në 4 vite. Rëndësia e këtij projekti është
multidimensionale dhe kam kënaqësinë t'ju informoj se ky projekt zgjoi
interesin e Zv/predisdentin të Bankës Botërore, për të shqyrtuar
mundësinë e kontributit të saj, në aspekte të veçanta të këtij projekti.
Por dua të theksoj se e lidhur shumë me
mbështetjen në fushën e bujqësisë është edhe ndihma që unë kërkova nga Banka
Botërore për luftën kundër varfërisë në zonat dhe hartën ku ajo shtrihet.
Shqipëria ka një sipërfaqe të gjerë të varfër dhe në kërkesat që unë
parashtrova dy ishin prioritet: të na ndihmojnë, në mënyrë që të mos ketë asnjë
qytetar shqiptar në varfëri ekstreme dhe e dyta është se Banka Botërore po jep
një kontribut të pamohueshëm me projektin e rrugëve dytësore dhe projekte të
tjera që po financon, por e konsideroj shumë të domosdoshëm ndihmën për një
sistem mikrokrediti. Qeveria ka qenë dhe është në kontakt me nobelistin e
mikrokreditit, prof. Yusuf. Ekipi i tij i Bankës Grameen bëri një vizitë në
dhjetor. Gjatë janarit do të organizojë një workshop. Zv/presidenti e priti me
shumë interes këtë zhvillim dhe më garantoi se Banka Botërore mbetet shumë
e vendosur në luftën kundër varfërisë në Shqipëri dhe kudo në botë dhe do të na
mbështesë në këtë përpjekje.
Një çështje shumë e rëndësishme tjetër është
reforma në shëndetësi. Ne kemi rritur ndjeshëm buxhetin në fushën e shëndetësisë
dhe e rrisim atë progresivisht. Por ne nuk kemi rezultatet e pritshme në këtë
fushë, sepse kjo fushë ka nevojë për një reformë të thellë. Hapa të rëndësishme
janë hedhur gjatë këtij viti. Ne jemi të vendosur si qeveri të thellojmë
reformën e sistemit shëndetësor, si kusht themelor për të gjithë zhvillimin dhe
konsolidimin e tij të mëtejshëm dhe për t'ju garantuar qytetarëve shqiptarë
shërbimin shëndetësor që meritojnë. Zv/presidenti i BB-së më garantoi se ndihma
në fushën e shëndetësisë me reformën do të jetë e pakursyer dhe
se Banka Botërore e konsideron reformën si kusht të të gjitha kushteve për
zhvillimin e mëtejshëm të një sistemi shëndetësor, në përputhje me nevojat dhe
kërkesat e qytetarëve shqiptarë.
Arsimi është një fushë tjetër në të cilin ne
kemi një bashkëpunim të gjatë me Bankën Botërore. Qeveria pothuajse ka
dyfishuar buxhetin për arsimin në 4 vite, po shkon drejt trefishimit të numrit
të studentëve, në 4 vite. Reforma të thella janë bërë në këtë sistem. Unë dua
t'ju siguroj juve, zoti Zv/ president se arsimi përbën përparësinë më madhore
të qeverisë sime. Në Shqipëri, sot çdo shkollë, në çdo skaj të vendit ka
kabinet të informatikës dhe internetit. Ne jemi në disa reforma dhe përpjekje
të mëdha për të sjelle vendin në moshë dixhitale dhe për këtë arsye, ne e
filluam nga shkollat këtë reformë. Në këtë kuadër, ndihma juaj është shumë e
dobishme. Ne kemi një projekt me rreth 70 milion dollarë të shanseve të
barabarta dhe ky projekt është shumë i dobishëm për ne.
Me zotin Zv/president ne diskutuam gjerësisht
për energjetikën. Banka Botërore angazhohet të na ndihmojë, sikundër deri më
sot, me një projekt të rëndësishëm për sigurinë e digave dhe në përpjekjen tonë
për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël të prodhimit të
energjisë së pastër, në rajon. Në këtë kontekst, AEVSI është shumë e mirëpritur
të financojë sektorin privat, në mënyrë që të vazhdojë ndërtimi i dhjetëra apo
qindra HEC-ve, në të katër anët e vendit.
Menaxhimi i tokës ishte një fushë tjetër e një
rëndësie themelore, në të cilën ne u ndalëm. Banka Botërore ka përqendruar
fondet dhe resurset njerëzore për të kompletuar këtë reformë, të cilën unë do
ta konsideroja fondamentale.
Natyrisht një diskutim të veçantë bëmë për
reformën sociale. Kjo reformë është jetike për konsolidimin e tisutit social të
qeverisë shqiptare. Ambiciet e qeverisë sime janë që të mund të organizojë një
ndihmë ekonomike eficente për ata që janë në nevojë dhe të luftojë me
agresivitet varfërinë, të përjashtojë varfërinë ekstreme nga ky vend. Në të
gjithë këto fusha, ndihma e Bankës Botërore është e garantuar dhe
jashtëzakonisht e mirëpritur.
Publiku shqiptar e di se ka patur një lloj
kundërshtie, siç është e zakonshme midis partnerëve, për projektin e zhvillimit
të zonës bregdetare. Të gjithë këto probleme janë qartësuar përfundimisht në
rrafshin bilateral dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt.
Qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me Bankën Botërore. Banka e ka
shumë të qartë dhe Zv/Presidenti siguroi qeverinë se është plotësisht i bindur
në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e qeverisë shqi