Pse klasa e mesme s’ka ndikim politik?
Nga vendet e Ballkanit, në ato të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik e deri në Afganistan e në Irak, shtresa e mesme është e brishtë. Ky grupim i shoqërisë ende nuk ka ndikim politik, siç ndodh në vendet e zhvilluara.
Në vendet perëndimore, klasa e mesme shihet si shtylla e një shoqërie të përparuar dhe demokratike.
Në Shtetet e Bashkuara, klasa e mesme përbën rreth 60% të popullsisë. Pjesë e kësaj klase janë profesionistë të të gjitha llojeve, nga mësuesit, policët apo menaxherët. Ky grupim paguan miliona dollarë taksa në vit dhe ka një rol themelor në zgjedhjen e klasës qeverisëse si dhe në mënyrën e qeverisjes.
Por, pamje tjetër paraqitet në vendet e Euroazisë, nga Ballkani në ish-Bashkimin Sovjetik e deri në Afganistan. Pozita e klasës së mesme në këto vende është shumë e brishtë. Një nga arsyet ka të bëjë me faktin se shtresa e mesme në këto shtete po del nga kaosi që shoqëroi rënien e regjimeve të mëhershme.
Në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik patëm rënien e komunizmit. Nga hiri i ndërrimit të sistemeve filloi të përvijohej një klasë e re, e vogël në numër, por me të ardhura të krahasueshme me homologët e tyre në vendet perëndimore.
“Zakonisht, ky grupim nuk mbështet vlerat e demokracisë dhe të liberalizmit. Ata mbështesin sistemin social, politik dhe ekonomik, që është vendosur në dekadat e fundit në Rusi. Në Rusi kemi një sistem autoritar, ku pushteti nuk është i ndarë nga prona dhe ku udhëheqësit kryesorë janë edhe pronarët kryesorë”, - sqaron sociologu rus, Boris Dubin, gjendjen e shtresës së mesme në Rusi.
Ai shton se kjo klasë përbën 4-5% të popullsisë dhe është mbështetësja themelore e regjimit aktual.
Në vende të tjera, klasa e mesme nuk ekziston ose është shumë e dobët, për arsye të tjera nga Rusia. Në vendet e Ballkanit, në Irak apo në Afganistan, arsyeja kryesore lidhet me faktin se këto vende janë ose kanë dalë nga lufta. Në kulmin e trazirave, 40% e shtresës së mesme në Irak llogaritej se ishte jashtë vendit.
Zhvillimet dramatike në vendet e Euroazisë kanë shkaktuar dobësimin e asaj që duhet të ishte shtylla bazë e zhvillimit dhe demokracisë.
Nga ana tjetër, koncepti i shtresës së mesme në vende të ndryshme është i ndryshëm. Një anketë e bërë vitin e kaluar nga Pew Research, arriti në përfundimin se në vendet në zhvillim, ata që e klasifikojnë veten si klasë e mesme, në pjesën më të madhe mbështesin demokracinë.
Studimi i qendrës Pew, ku përfshiheshin 13 vende, e përcakton klasën e mesme si grupimi që merr më shumë se 4286 dollarë në vit, duke u nisur nga kriteret e Bankës Botërore.
Por, te shumë nga shoqëritë në zhvillim vetëquhen klasë e mesme njerëz që kanë të ardhura shumë më të ulëta se kaq.
Në Rusi, për shembull, je klasë e mesme nëse arrin pa problem deri në fund të muajit, plus je në gjendje të kursesh diçka apo të shpenzosh dhe për kënaqësi.
“Për mua, klasë e mesme janë të gjithë ata që kanë të ardhura mbi mesataren, kanë pronë dhe një makinë”, - thotë biznesmeni rus, Molotkov.
Por, ka dhe përcaktime të tjera të klasës së mesme në vendet e Ballkanit apo ato të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik. Të tjerë vetëllogariten si klasë e mesme, nëse bëjnë një lloj pune intelektuale, pavarësisht se mund të marrin më pak se kategori të tjera që kryejnë punë fizike.
Pavarësisht kritereve që përcaktojnë shtresën e mesme në vende të ndryshme të Euroazisë, është i qartë fakti se ky grupim nuk është bërë ende i rëndësishëm politikisht.