E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria: Përmbytjet, KESH dhe OST e menaxhuan shumë mirë situatën

Tiranë, 15 janar, NOA Konfindustria përmes
një deklarate për shtyp, ka vlerësuar  mënyrën
e menaxhimit nga ana e Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatorit
të Sistemit të Transmetimit të situatës së rënduar të përmbytjeve në veri të
vendit.

Vlerësojmë KESH dhe OST për optimizimin e
sistemit energjitik në prodhimin maksimal dhe qëndrueshmërinë e linjave të
transmetimit të tensionit të lartë, citon më tej deklarata e Konfindustrias.

Më tej, përmes saj Konfindustria i ka kërkuar qeverisë
dhe vendimarrjes politike në përgjithësi që pas tejkalimit të gjendjes së
jashtëzakonshme të shkëputet nga veprimet me natyrë populiste dhe të punojë për
zhdukjen e shkaqeve thelbësore, që rënduan në mënyrë të tejskashme pasojat e
përmbytjeve masive me qëllim mospërsëritjen në të ardhmen.

Te këto të fundit ajo rendit keqadministrimin
dhe moskontrollin skajor të territorit deri në formën e rënies së plotë të
autoritetit shtetëror, shfaqur me lejimin e ndërtimeve të paligjshme, tërësisht
jashtë standarteve të qindra e qindra shtëpive në zona qartësisht dhe
historikisht të palejueshme për ndërtim.

Duhet të pranohet dhe të sqarohet, se është e
papranueshme, që taksat e qytetarëve shqiptare të shkojnë për të dëmshpërblyer
pronarët e ndërtimeve të paligjshme në zona të rrezikuara, të banimit,
bizneseve dhe hoteleve turistike etj, përfshi edhe ndërtimet e kryera me lejet
e marra në mënyrë korruptive dhe në kundërshtim të plotë me standartet e
lejueshme në fuqi, thuhet në këtë deklaratë.

Më tej shtohet se në asnjë mënyrë nuk duhet të
ligjërohen nga ALUIZNI ndërtimet në zona të rrezikuara në gjithë territorin e
vendit, përfshi edhe zonat detare dhe lumore të përmbytjeve.

Sqarimi i plotë i mënyrës së veprimit të
institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e digave dhe dhënien e zgjidhjeve
ligjore të problemeve të krijuara në bashkëveprimin ndërmjet prodhimit dhe të
shpërndarjes të energjisë elektrike të ardhura nga shkëputja e sistemit të
përqendruar energjitik të vendit pas privatizimit të OSSH/Operatorit të
Sistemit të Shpërndarjes, përfundon deklarata e Konfindustrias.

n.e/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›