"Shirin Ebadi përgatitet për fundin"
President i radios “Evropa e Lirë”
Të dëgjosh Shirin Ebadin e kupton se sa në mënyrë dramatike kanë ndryshuar gjërat në Iran në muajt e fundit. Fituesja e çmimit “Nobel” nuk ka qenë në Iran që nga zgjedhjet kundërthënëse parlamentare të qershorit të kaluar.
Në nëntor autoritetet konfiskuan medaljen e çmimit “Nobel” për paqe nga një depozitë e sigurt në Teheran. Pas Krishtlindjeve, ata arrestuan motrën e saj në Teheran. Bashkëshortit të Ebadit iu mor pasaporta nga autoritetet dhe kur ia kthyen, ai e kuptoi se ishte një pasaportë false.
Kam folur së fundi me Ebadin në thellësi për zhvillimet në Iran. Verën e kaluar mijëra protestues që mbushën rrugët e Teheranit thërrisnin: “Na ktheni votën”.
Por, nuk është më vetëm për abuzimet në zgjedhje. Në tubimet e ditëve të fundit njerëzit thërrisnin “Vdekje liderit suprem”.
Madje, klerikët reformistë që më parë flisnin për paprekshmërinë e sistemit, tani kërkojnë zgjedhje të lira, media të lira, liri të fjalës dhe të mbledhjes.
Ebadi duket se ka kaluar nëpër një rrugë të ngjashme. Avokatja 62-vjeçare e të drejtave të njeriut ka denoncuar përpjekjet e administratës Bush për nxitjen e demokracisë.
Ajo synon reformimin e sistemit, jo zhbërjen e tij, do të thoshte vetë Ebadi.
Ebadi ishte kundër retorikës së “aksit të së keqes” dhe në vazhdimësi sulmoi nismën e Departamentit të Shtetit në kohën e Bushit për të dërguar 75 milionë dollarë për opozitën dhe grupet e të drejtave të njeriut.
Në këtë pikë ajo nuk ka ndryshuar mendim. Ajo vazhdon të besojë se ndihma nga jashtë për lëvizjen demokratike është gabim.
Por, është e pamundur të mos e vëresh se derisa situata në Iran ka ndryshuar, edhe pikëpamjet e Ebadit kanë evoluar.
Ajo në vazhdimësi, gjatë bisedës që pata me të, theksonte: “Nuk mund të bëni punë me këtë regjim”.
Ajo është e bindur se udhëheqja e Iranit nuk po negocion me vullnet të mirë në çështjen e programeve bërthamore dhe nuk do t’i bindet ndonjë marrëveshjeje të arritur me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Ebadi ka qenë mbështetëse e fuqishme e dialogut pa kushte SHBA - Iran. Ajo ende e mbështet dialogun, por tani kërkon që të përfshihen edhe të drejtat e njeriut, si dhe një strategji për mbështetjen e shoqërisë civile dhe shtetit ligjor.
Ajo mendon se vetëm një qeveri iraniane që respekton të drejtat e njeriut, mund të jetë një partner i besueshëm i perëndimit në bisedimet për programet bërthamore të Iranit.
Por, si të arrihet deri aty?
Nëse Shtetet e Bashkuara shtyjnë përpara opsionin e sanksioneve të reja, Ebadi thotë se radio “Farda”, që është shërbimi në gjuhën perse i radios “Evropa e Lirë”, së bashku me “Zërin e Amerikës” dhe BBC-në, në gjuhën perse, duhet të ndihmojnë që t’i bindin iranianët e thjeshtë se sanksionet kanë për qëllim të godasin regjimin, jo njerëzit.
Ashtu si shumë iranianë, Ebadi është e shqetësuar për pasionet që mund të ngrejë peshë nacionalizmi.
Ajo i trembet faktit se gabimet e bëra në të kaluarën nga politika e jashtme amerikane, si dhe mania e iranianëve për teoritë e konspiracionit, mund të jenë përbërës të një produkti toksik.