E Shtunë, 31 Tetor 2026

I marrosur pas kutive

Më tepër se dy javë kanë kaluar nga koha kur trupat xheniere të ushtrisë, forcat e shumta të policisë, ndihma në njerëz e teknikë nga shumë vende të botës po punojnë intensivisht në zonën e përmbytur të veriut të Shqipërisë, Edi Rama, kryebashkiaku humbës i zgjedhjeve të fundit parlamentare, i është rikthyer të vetmit mendim që nuk e largon dot. Kutitë. Ai ka vënë para bashkisë që dikur drejtonte kuti, ku qytetarët sipas dëshirës duhet të kontribuojnë për banorët e zonave të Shkodrës e Lezhës që janë nën fatkeqësinë e përmbytjes. Që në fjalitë e para mëson se pushtetari që urren transparencën, por e kërkon kur nuk ndodh, dëshiron në vitin 2010 të mbledhë para me tezga e kuti, kur sistemi bankar është mjeti lëvrues më i sigurt dhe transparent i të ardhurave në të gjithë planetin. Edhe ajo metodë antike që mbahet ende në këmbë nga karakteri i shqiptarëve që janë vetëmohues e solidarë të pashembullt dhe pa rivalë, që japin qindarkat e fundit për ata që gjenden në fatkeqësi, qoftë natyrore dhe njerëzore. Por duke parë ëndrra me kuti Rama nuk mund të bënte ndryshe. Janë shumë institucione, shoqata, kompani, të gjithë shqiptarë e të huaj, brenda e jashtë vendit që kanë kontribuar financiarisht dhe këtë dërgesë ata ia kanë besuar bankës. Por malli për kutitë e ka kthyer Ramën pas, më 28 qershor, në frikën e tij që s’i hiqet nga personaliteti i dyzuar politik. Në këtë formë të zgjedhur për ndihmë kryelokali i Tiranës po i jep një mundësi vetes që të hapë një kuti e të shohë ç’kanë hedhur brenda qytetarët e për këtë ka të drejtë t’i numërojë një më një vetë dhe jo vartësit e tij. Kjo pamje po sjell në kujtesë të Edi Ramës episode zgjedhore ku ai she rrugëve kuti e mendon se do të nxjerrë prej tyre mandate që i shërbejnë për të dalë nga sikleti individual dhe jo për të nxjerrë partinë që kotdrejton nga udha e mbrapshtë ku e ka futur prej disa muajsh. Nuk ka pranuar as begenisur që të veprojë institucionalisht, që Bashkia e Tiranës të jetë në një sasi të caktuar dhënëse e një ndihme për banorët e zonës së përmbytur. Nuk e ka marrë në konsideratë këtë nismë të përsëritur të këshilltarëve demokratë, sepse ata nuk kërkonin një kuti, që do ta mbante Edi Rama në duar, thjesht për t’iu shuar malli i hapjes së kutive, ku ai mbetet relikte në përzgjedhje motive. Ka mbledhur krerët e minibashkive socialiste, duke qenë se deputetët gjithnjë e më pak po i shkojnë pas dhe ka demonstruar kutinë ku ka ndërmend të mbledhë ndihmat, të grumbullojë paratë e qytetarëve të Tiranës e gjithë Shqipërisë që t’ua japë të dëmtuarve. E ka bërë këtë me një ndasi disi dashakeqe, duke identifikuar veten me kutinë, me votën e dikurshme, si një procedurë se aty japin ndihmesë të majtët, por jo të djathtët. Kjo shembëlltyrë kutish e modeluar nga sëmundja e re e kryebashkiakut ka sjellë alarmin jo të vogël për partinë më të madhe opozitare. Nuk i ka mjaftuar hapja e numrave të llogarisë, por ashtu si protestat e shuara të hapjes së kutive të 28 qershorit, ai ka kthyer fotokopjen e dështimit, në momentet kur ndërkombëtarët që kanë ardhur si ndihmë e prani për këtë gjendje emergjence mbeten të pafjalë nga sjellja politike e një jodeputeti ndaj gjithë deputetëve dhe Parlamentit. Tani, qeramarrësi i Partisë Socialistë ka vënë politikanët në radhë të dytë dhe ndërtuesit në radhë të parë, sepse ata janë aktorët që presin hapjen e kutive të lejeve të ndërtimit, shtimit të oligarkisë së parave me firmën e drejtuesit të shoqërisë politike që po konsumon më tepër veprim si një OJQ sesa konsumon aksione politike që i ka jo pa tepri. Qëllimi pa fund i marrëzisë së kutive që ka kapur kreun e pjesshëm të opozitës është që të mundësojë me trafik imazhi marrje vendimesh negative ne Bruksel për Shqipërinë. Dhe për ta bërë këtë kryesocialisti nuk merr në konsideratë nëse ka fatkeqësi, vdekje, përmbytje, mort, gjëmë. Ai merr me vete kutinë, del në mes të sheshit “Skënderbej” apo para bashkisë në rrugë, duke mëkatuar vetëm pesë metra pranë institucionit të kultit, ku njerëzit falen për motive tërësisht të ndryshme nga ai i Ramës. Me dëshirën e veprimeve opozitari në tentativë pushteti do të donte të fuste gjithë vendin në një kuti dhe ta hapte si të dëshironte dhe kur t’i bëhej mbarë atij. Mania e tij shkon drejt dëshirës së moshapjes, mosmarrjes së vendimit të liberalizimit të vizave për shqiptarët në korrik të vitit 2010. Kjo kuti e mbyllur që po hapet për Shqipërinë në Bruksel në më pak se pesë muaj ka trembur ithtarin e kutive që me këtë ngjarje shuan shpresat e “politikës së tij të re” që mban veshje të vjetër dhe prodhim gjithnjë të tillë. Ndaj, them se zotëria i palagur nga përmbytja do ta gjejë dështimin e fundit nga kutia, aq shumë është marrosur pas saj, me demonstrimin e ditës së martë në Tiranë. Gjasat e kujtesës të thonë se këtë shembull mund ta ketë huazuar nga ish-mjaftistët e G99-s apo konsulentët e gazetave që i shërbejnë për të mundur me tema të ndryshme “Zërin e popullit” që nuk është aspak gazetë e rrethuar në mendje. Kësaj që shohim, i thonë “e gjetsh nga kutitë!”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›