E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trishtimi, rrezik infarkti për gratë

Jeni të martuar? Atëherë do të bënit mirë të kontrollonit presionin e gjakut. "E kam zemrën të copëtuar" është një mënyrë të thëni që zakonisht mund të shoqërohet me një histori dashurie të përfunduar dhe nuk ka pasoja fizike, por sipas studimit të publikuar nga "Indipendent", mund të jetë më shumë se një metaforë. Me sa duket, zënkat mes gruas dhe burrit kanë pasoja serioze mbi shëndetin kardiak, sidomos mbi atë të femrave. Nëse dikur mendohej se çiftet duhet të ziheshin vetëm për probleme madhore, tani nuk ndodh kështu. Arsyet se përse një çift grindet jo gjithmonë janë të mëdha, madje ato nisin që nga furça e dhëmbëve, çelësat e makinës, makina, lavatriçja, uji, telekomanda dhe telefoni. Kur një çift tregon se prej vitesh diskuton gjithmonë për të njëjtat gjëra, do të thotë se debaton gjithmonë për një nga arsyet që përmendëm më sipër. Megjithatë, këto nuk janë grindje që çojnë drejt divorcit, por ftohjes së marrëdhënieve në çift. Zakonisht, pas zënkave funksionojnë për mrekulli edhe ofertat për t‘u pajtuar. Kjo mund të arrihet fare lehtë duke kërkuar falje, duke dhuruar një buzëqeshje, apo duke thënë një batutë të bukur. Edhe pse diskutimi mund të ketë qenë mjaft i ashpër, me tentativat për ta riparuar atë që ka ndodhur, ulet ndjeshëm tensioni kur mendohet se partneri do ta mirëpresë vendimin tënd. Të gjitha çiftet pa përjashtim zihen, por e rëndësishme është mënyra që përdorin për të riparuar "dëmet".

Për të qenë në formë, shmangini zënkat

Kështu, zonjat që kujdesen për shëndetin e tyre, mes aktiviteteve të ndryshme për ta mbajtur atë në formë duhet të arrijnë paqen në familje, duke mos u shqetësuar nëse bashkëshorti sërish ka blerë sërish të njëjtin detergjent për lavatriçe ose duke shmangur në maksimum debatet e ashpra.

Përfundimet e një studimi të bërë nga Universiteti i Utahit, tregojnë se një martesë e mbushur me zënka dhe grindje të vazhdueshme, është përafërsisht ekuivalente me një jetë sedentare dhe të çon në të njëjtat rreziqe, duke zhvilluar sëmundjet kardiovaskulare, të cilat qëndrojnë në vend të parë mes shkaqeve të vdekjes për të të dyja gjinitë. 300 çifte me moshë mesatare, të martuar prej 20 vjetësh, janë intervistuar nga studiuesit për martesat e tyre, zakonet që ndajnë me partnerin dhe gjendjen emocionale. "Ajo çka kemi zbuluar është se anët negative të martesës, si zënkat e vazhdueshme dhe të mos rënit dakord, janë të lidhura ngushtë me rritjen e incidencës së sindromës metabolike te femrat, jo te meshkujt".

Shumë të ndjeshëm

Sindroma metabolike përfshin një sërë simptomash shqetësuese, siç janë mbipesha, niveli i lartë i kolesterolit dhe sheqernat në gjak. Të gjithë këta faktorë rrisin konsiderueshëm mundësinë e sëmundjeve kardiake, infarktit dhe diabetit. Gjithashtu, nga sondazhet është zbuluar se për pjesën më të madhe të çifteve konfliktet dhe mosmarrëveshjet shkaktojnë depresionin te femrat. Rritja e incidencës së sindromës vetëm te femrat, shpjegohet kështu nga studiuesit: "Edhe nga studimet e mëparshme e dimë se në krahasim me meshkujt, femrat janë më të ndjeshme dhe më të shqetësuara për problemet në çift. Përfundimi i këtij studimi sugjeron se këto probleme mund ta vënë në rrezik shëndetin e tyre", thekson studiuesja Nancy Henry, që mori pjesë në studim. Sipas shkencëtares, nënat dhe bashkëshortet janë të prirura të marrin në ngarkim të gjitha problemet familjare. Ngarkesa të tilla emocionale të çojnë drejt depresionit dhe kjo sjell sindromën metabolike. Të paktën për të parën herë shkencëtarët kanë rënë dakord, femrat duhet të mësojnë nga shokët e tyre, që nuk shqetësohen shumë për problemet. Duhet ta ndjekin këtë këshillë, sepse është në të mirë të shëndetit të tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›