E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një model i ri për ekonominë shqiptare

Gjatë 20 viteve të fundit, modeli ekonomik i Shqipërisë është bazuar në disa pika të thjeshta: remitanca të bollshme nga emigrantët dhe thithje investimesh të huaja përmes privatizimit të aseteve kombëtare. Të dyja këto dy burime janë konsideruar gjithmonë "të përkohshme." Por tashmë duket se nuk janë më thjeshtë të përkohshme. Pothuajse gjithçka që mund të privatizohej është privatizuar ndërsa emigrantët po sjellin gjithnjë e më pak të ardhura. Në këto kushte, është e qartë se Shqipëria nuk mund ta konsiderojë krizën aktuale botërore si një fenomen kalimtar që nuk do të lë pasoja.

"Ka ardhur momenti që të gjithë aktorët duhet të analizojnë me kujdes modelin e rritjes ekonomike të vendit në dekadën që po hyjmë", deklaroi dje Fullani. "Në veçanti, modeli i ardhshëm i rritjes ekonomike duhet të faktorizojë më shumë avantazhet konkurruese të ekonomisë shqiptare, duke zbutur varësinë e saj nga flukset afatshkurtra hyrëse të kapitalit dhe duke zgjeruar bazën ekonomike, e cila gjeneron flukse të qëndrueshme dhe afatgjatë kapitali", shtoi ai.

Kriza ekonomike aktuale mund të mos kalojë vetëm me ftohje të rritjes ekonomike për një apo dy vjet. Shumë ekspertë besojnë se ekziston rreziku që i gjithë potenciali i rritjes ekonomike të vendit mund të zvogëlohet në vitet në vazhdim. BSH e sheh zgjidhjen e kësaj situate përmes investimeve të huaja, si dhe thotë se është e gatshme të angazhohet në një debat të gjerë për të parë se çfarë do të ndodhë me vendin tonë në dekadën e ardhshme, por paralajmëroi se objektivi i saj kryesor do të mbetet zhvillimi i balancuar me stabilitet ekonomik.

"Në respekt të angazhimit tonë ligjor e institucional, politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të synojë, krijimin e kushteve të përshtatshme për një zhvillim të ekuilibruar, të karakterizuar nga një inflacion i ulët i çmimeve të konsumit, luhatje të buta të treguesve monetarë dhe bilance të shëndosha të agjentëve makroekonomikë", tha Fullani.

Ekonomistë të ndryshëm mendojnë se në situatën aktuale, Shqipëria ndoshta mund të mendojë për një rritje graduale të borxhit publik në mënyrë që të financojë investimet publike. Por në këtë rast, ekziston frika se sistemi politik nuk është në gjendje të tresë plane të tilla dhe mund t‘i shpenzojë paratë në projekte pa leverdi ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›