E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi firmos ligjin: Deputetët, pa makina

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje për shpallje të ligjit "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë". Ligji shumë i diskutuar, u miratua nga qeveria më 15 tetor dhe synon reduktimin e shpenzimeve për makinat e zyrtarëve, duke u hequr të drejtën e përdorimit për disa kategori. Të prekur direkt nga dekreti i Presidentit janë deputetët dhe zv/ministrat, të cilët nuk do të përdorin më mjet transporti të shtetit, por do të mjaftohen me një kuotë mujore që nuk duhet t‘i kalojnë 45 mijë lekë në muaj. Me ligjin e ri, të drejtën e pasjes së mjetit të transportit bashkë me shoferë e kanë vetëm Presidenti, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri, ministrat, krerët e KLSH-së, BSH-së, Gjykata e Lartë etj.

Vlerësohet një kosto që kapërcen 30 milionë dollarë në vit, në shërbim të automjeteve që përdorin zyrtarët e shtetit. Në inventar kemi 374 automjete dhe 280 shoferë, që u shërbejnë ministrive dhe institucioneve qendrore. Kostoja mesatare e këtij shërbimi është 137710 lekë në muaj. Ndërkohë, për institucionet e varësisë vërehet një numër më i lartë i automjeteve, të rritura çdo vit. Aktualisht janë rreth 3000 mjete transporti për institucionet e varësisë dhe rajonale, pa përfshirë këtu makinat e Ministrisë së Punëve Publike dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Shpenzimet në vitin 2008 për mjetet e transportit ishin gati sa 10 për qind e shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes.

a.kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›