Topalli: Mamografia në spitale do të jetë falas
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, organizoi dje një seancë të posaçme parlamentare, ku në qendër të vëmendjes ishte lufta ndaj kancerit të gjirit. Numri një i Parlamentit premtoi dje se mamografia në spitale do të jetë falas për të gjitha gratë. Ky premtimi i Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, është bërë në seancën speciale të ditës së djeshme të organizuar për ndërgjegjësimin e shoqërisë ndaj sëmundjes së tumorit të gjirit. Sipas saj, është prioritet i saj personal dhe i qeverisë që të ketë një buxhet për të siguruar fondet e nevojshme për sëmundjen e kancerit të gjirit. Topalli, duke i bërë thirrje të gjitha grave për t‘u ndërgjegjësuar për këtë sëmundje, u shpreh se vetëm 10 minuta nga jeta e tyre mund t‘i shpëtojnë ato. Me iniciativë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt një seancë e posaçme me moton "Kanceri i gjirit mund të parandalohet. Kontrolli na shpëton jetën". Në seancën e organizuar për ndërgjegjësimin e shoqërisë ndaj sëmundjes së tumorit të gjirit, kanë marrë pjesë mjekë të disiplinave të ndryshme, intelektualë, emra të njohur të botës së artit, kulturës dhe shkencës.