Një muaj në vit për art

“Me punue nji muej n’vit për art” apo modelet aktuale të koleksionimit në një vend pa treg të artit bashkëkohor dhe pa përkrahje substanciale për institucionet e pavarura të artit bashkëkohor, si projekt është i bazuar në analizimin e një modeli të zgjedhur të koleksionimit të veprave të artit bashkëkohor dhe të prezantimit publik të dokumentacionit të projektit ‘Art Market and Smile!’, me panelistët Vesa Sahatçiu, Luan Mulliqi, Tamer Bushtra, Afrim Ethemi, Gani Llalloshi dhe Sislej Xhafa, që qe organizuar në vitin 2008 nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor. Pjesëmarrës të saj janë Jakup Ferri, Driton Hajredini, Genc Kadriu, Alban Muja, Rron Qena, Lulzim Zeqiri.
Përzgjedhje nga koleksioni i Rron Dalladakut dhe materiali arkivor i konferencës ‘Tregu i Artit dhe Buzëqeshje!’ Me punë kuratoriale nga Albert Heta.
Sipas kuratorit Heta, “Me punue nji muej n’vit për art" fizikisht vendoset në gjurmët e mbetura të ekspozitës së kaluar n'Stacion – (‘Unë kam edhe të tjerë që më pëlqejnë’ (28/12/2011 - 4/2/2012) me punët e Jen Davis, Qëndresë Dedës, Majlinda Hoxhës, Joanna Jennings, Genc Kadriut, Blerta Kambos, Wei Leng Tay, Ferdinand Von Bozen, Mimi Youn, Shen Wei, Lin Zhipeng), prej së cilës ekspozitë, koleksioni Rron Dalladaku ka shtuar një punë në fondin e vet.
Fokus i këtij projekti është koleksioni i iniciuar prej Rron Dalladakut, që deri më tash, në vete përmbledh punët e Jakup Ferrit, Driton Hajredinit, Genc Kadriut, Alban Mujës, Rron Qenës dhe Lulzim Zeqirit.
“Një element i ri në procesin e përgatitjes së kësaj ekspozite është edhe pasurimi i koleksionit me veprën e parë në video, dokumentacionin e performancës ‘Shiriti i zi ta zen frymën’ të Rron Qenës (2007)”, tha Heta.
Ai shtoi se si model ky koleksion i Rron Dalladakut është i rëndësishëm për t’u analizuar, ndoshta edhe më tepër për mekanizmin konceptual që e ka të instaluar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 17 prill.