Një muaj sa një vit
Ekspozita "Shkëlqime klasike" dhe "Atmosfera të Shekullit të XX" në Galerinë e Arteve është ndjekur nga 3840 vizitorë, pothuajse sa në një vit. Pesë studiues të ngarkuar në guidë
A njeh një filozofi të arti modern? Kësaj pyetje mendohet t'i përgjigjen vizitorët mbi të dyzetat, pasi të kenë parë ekspozitën "Shkëlqime klasike" dhe "Atmosfera të shekullit të XX-të", e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve që nga 22 prilli. Seksioni me autorë të shekullit të XX-të i ngacmon ata të pyesin studiuesit e Galerisë.
Deri dje, ekspozita ka pasur 3840 vizitorë, ndër ta 2690 me biletë dhe 1150 pa biletë.
Tek vëzhguesit pa biletë numërohen nxënësit e Liceut Artistik, të shkollave artistike, nxënës të gjuhës italiane, që vijnë të organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë.
Punonjësit e këtij institucioni e shohin një shifër të kënaqshme të cilën GKA e arrin vetëm në një vit të plotë aktivitetesh. Të dhënat mbi numrin e atyre që hyjnë në galeri në çdo orë i mbajnë dy punonjëset e sportelit.
Në ditën e hapjes së ekspozitës, e para me përfaqësues të artit klasik dhe modern në Shqipëri, kanë prerë biletën për të parë ekspozitën, 121 vizitorë. Më 24 dhe 25 prill numri i tyre është rritur ndjeshëm dhe ka arritur deri në 353.
Numri më i lartë i vizitorëve është shënuar më 27 prill: 361 vizitorë brenda ditës. Është ndjekur ky fluks edhe më 28 prill (217 vizitorë) e 29 prilli (319 vizitorë).
Pas kësaj date, interesi i njerëzve ka ardhur në rënie. Në dy javët e majit, numri nuk ka kapur asnjëherë kuotën e 200 vizitorëve. Më 13 maj ka zbritur deri në 70 vizitorë. Ka edhe ditë kur nuk ka shkelur asnjë. Për shembull më 26 e 30 prill dhe 3 maj.
Të dhënat e mësipërme i referohen vizitorëve që kanë hyrë me biletë 200, 100, apo 50 lekë.
Përveç artistëve që u dyndën në ditët e para, ekspozita ka zgjuar interes te nxënësit e shkollave artistike, gjimnazet, studentët e Akademisë, të rinjtë dhe për moshën e tretë. Shihet një interes dhe nga ana e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve sepse në tekstet e shkollave është futur edhe "Historia e Artit"
Piku i vizitave është në oraret 12.00-13.00 dhe 19.00-20.00.
Galeria ka caktuar një orar të zgjatur, 10 orë, për t'iu përgjigjur kërkesave të njerëzve. Vlen për t'u përmendur që GKA ka vënë në dispozicion të vizitorëve një grup studiuesish dhe artistësh që japin një informacion për autorët klasikë italianë dhe modernët, për rrymat që ndjekin, për periudhat artistike, po edhe kuriozitete.
Çdo një orë, kur numri i vizitorëve i kalon 10 personat, studiuesit ndjekin bashkë me vizitorët ekspozitën. I gjithë ky proces quhet "guidë" dhe zhvillohet me grupe prej 10-20 vetash, nga ora 10.00 deri në orën 16.00.
Pesë studiuesit e ngarkuar me këtë detyrë, që bëjnë pjesë në Sektorin e Studimit dhe Edukimit Artistik në Galerinë e Arteve janë: Suzana Kuka, Ylli Drishti, Alban Hajdinaj, Lubjana Dashi dhe Aldi Zgjani. Një prej tyre, Alban Hajdinaj flet për përvojën e tij me vizitorët. Kryesisht ai përqendrohet tek një biografi e shkurtër e secilit autor, në karakteristikat e periudhës të cilës ai i përket, si ka komunikuar me autorët e tjerë bashkëkohës etj. .
Po për çfarë interesohen njerëzit kur shohin punët e këtyre autorëve? Albani tregon se pyetjet janë nga më të ndryshmet, nga më të thjeshtat: "Ku konsiston futurizmi?",
"Ç'është kubizmi?", "A mbështetet në një filozofi të caktuar arti modern?". Por ka edhe nga ata, më të rinj ose të vegjël, që pyesin "Çfarë do të thotë pikturë laike?" apo "Përse nuk e ka pikturuar, firmën e autorit?".
S'do mend që informacioni që u jepet nxënësve të tetëvjeçares dhe gjimnazeve, është i thjeshtuar, pa detaje që mund të jenë me rëndësi për një student, apo një dashamirës arti mbi të 30-at. Hajdinaj tregon për lëndën e nevojshme që ai i ofron vizitorëve. Në rastin e seksionit të "Shkëlqimeve Klasike", ai ndalet te fundi i Rilindjes dhe viteve të para të lindjes së Barokut. Më tej kalon tek subjektet biblike që janë në fokus të artit të kohës dhe u flet për thelbin e artit të kësaj periudhe, që " është në funksion të tregimit, në funksion të ngjyrave, lojërave, kontrasteve" dhe "ka për synim që ta bëjë sa më emocionale pikturën".
Kur u flet për manierizmin, rrymën që lindi në kufijtë e Rilindjes dhe Barokut, Hajdinaj merr si shembull piktorin Annibale Carraccin dhe pikturën e tij "San Giovanni Evangelista" (1594), për arsye se në këtë ekspozitë ai është artisti tipik i mesit të dy periudhave. Hajdinaj u flet edhe për ndryshimet midis "Lucrezia Romana" (1506) të Francesco Raibolini-t dhe "Lucrezia" e Francesco Trevisani-t, e fillimit të shekullit XVII, ku në pikturën e parë interesi i artistit ka qenë për portretin, kurse tek e dyta artisti fokusohet tek lëvizja e karaktereve dhe dinamika që duhej ta përshkonte tablonë.
"Ritet fetare i kanë vështirë t'i kuptojnë", pranon Hajdinaj.
Nga përvoja e çdo dite me vizitorë të ndryshëm, ai ka arritur në përfundimin se pikturat që bëjnë pjesë në seksionin "Shkëlqimet Klasike" pëlqehen më tepër dhe pranohen më me lehtësi. "Periudhën Klasike e pranojnë me lehtësi sepse ajo që duket aty ka një formë konkrete. Edhe pse në të ka shumë problematikë brenda". Kurse, tek modernia, "bëjnë më tepër rezistencë".
Në seksionin "Atmosfera të shekullit të XX" studiuesi ndalet tek "korrentet artistike" të shekullit, futurizmi, surrealizmi, ekzistencializmi etj.
Çfarë u thua për Michelangelo Pistoletto-n, e pyesim Hajdinaj, në fund të këtij kalimi të shkurtër në ekspozitë. "Që është përfaqësuesi i "arte povera". Instalacionet e tij ndërtoheshin me materiale të konsumit, materiale të ricikluara. E gjitha kjo për ta çliruar artin nga ana materiale", përgjigjet ai.
Hajdinaj e sheh me rëndësi realizmin e këtyre guidave, ku vizitori informohet dhe prek nga afër dhe ballafaqon njohuritë e tij me veprën e gjallë të një artisti klasik apo modern. Por, ende është herët për të pasur një vizitor më të kultivuar. "Një ekspozitë nuk mund të mbushë në asnjë mënyrë vakuumin e informacionit për artin modern", është konkluzioni i Hajdinajt prej punës tri javore me vizitorët, duke iu referuar mbylljes së artistëve shqiptarë ndaj këtyre rrymave moderne në kohën e regjimit komunist dhe mungesës së këtij lloji arti në Shqipëri.
Sonte premira e dramës "Darka e gabuar", ora 20:00
Drama "Darka e gabuar" e regjisorit Fatos Haxhiraj ka sonte premierën në Teatrin Kombëtar ora 20.00. Haxhiraj ka shkruar një dramë bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit Ismail Kadare. Interpretojnë Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Artan Imami, Ahmet Pasha, Mehdi Malkaj, Anastas Kristofori, Naum Shundi, Dritan Boriçi etj.
Skenografia është realizuar nga Taulant Pustina, kostumet nga Durim Neziri dhe muzika nga Ardit Gjebrea.
Shfaqja shfaqet edhe nesër dhe rikthehet fundjavën e ardhshme.