E Diel, 1 Nëntor 2026

Një në 150 fëmijë, me autizëm. Godo: Do të krijojmë pavijon të veçantë



Liri Berisha: Po ndërtohet një qendër multidisiplinore mjekësore zhvillimi Shenjat shfaqen tek fëmijët pas moshës 1-2 vjeç

Fëmijët e prekur nga autizmi janë shtuar nga viti në vit. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dhe ekspertë të shëndetësisë shprehen të shqetësuar për rritjen alarmante të shifrave. Ndërsa ngritën si problem mos diagnostikimin në kohë të fëmijëve.

Alarmi

Për trajtimin e fëmijëve me autizëm duhet të ngrihen grupe speciale, të përbëra jo vetëm nga psikiatër, por dhe nga psikologë. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në takimin e organizuar nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë” me presidente znj. Liri Berisha, ka kërkuar që kjo kategori fëmijësh të marrë trajtimin e duhur. “Edhe pse në vendin tonë sensibiliteti për këtë sëmundje është rritur ndjeshëm, për trajtimin e tyre duhet të bëhet edhe më shumë”, - u shpreh Godo.

Sipas specialistëve, numri i fëmijëve të prekur është mjaft i madh. “Fillimisht duhet të fillohet me identifikimin e saj mesatarisht, që në periudhën 2-3 vjeç. Bëhet fjalë për ta çuar diagnostikimin sa më herët të jetë e mundur. Një diagnostikim 18 muajsh apo më përpara do të ishte një shans më i mirë për të pasur një trajtim më të mirë”, - thonë specialistët. Ministrja premtoi gjithashtu ndarjen e pavijonit të psikiatrisë adulte nga ajo infantile për të bërë të mundur trajtim më të mirë të fëmijëve. Ndërsa presidentja e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, znj. Liri Berisha, theksoi se mjekët dhe psikologët duhet të specializohen për të trajtuar këtë kategori personash. Fëmijët me këtë sëmundje, gjatë viteve të fundit trajtohen pranë pavijonit të psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si dhe në qendra komunitare. Nëndrejtori i QSUT-së, Ariel Çomo, bëri me dije se “kjo sëmundje shfaqet tek të vegjlit në dy vitet e para të jetës dhe se në gjithë botën ende nuk ka një përcaktim për prejardhjen e saj”.

Masat

Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë "Domenick Scaglione" po punon në drejtim të njohjes së autizimit, duke u përqendruar tek prindërit dhe opinioni publik për ta pranuar këtë çrregullim. Për këtë arsye, FFSH, drejtuar nga presidente dr. Liri Berisha, ka ndërmarrë një hap për ngritjen e një qendre multidisiplinore mjekësore zhvillimi, në ndihmë të fëmijëve me paaftësi dhe prindërve të tyre. Kjo qendër e re, mjaft e nevojshme, do të ofrojë praktikat më të mira të trajtimit shëndetësor dhe psiko-social për fëmijët me probleme të ndryshme të zhvillimit dhe psiko-social. Bazuar në të dhënat, nga 75 mijë të sëmurë me paaftësi, 10 për qind e tyre janë fëmijë, paaftësia e të cilëve mund të jetë fizike, sensore, neurologjike, psikiatrike, intelektuale ose e natyre tjetër. Ndërkohë, 14-20% e fëmijëve paraqesin në stade të ndryshme të jetës së tyre një çrregullim të shëndetit mendor. Deri tani nuk dihen shkaqet e kësaj sëmundjeje, prandaj është e vështirë përcaktimi i terapisë përkatëse për shërimin e personave me autizëm.

Simptomat

-Shenjat e hershme të sindromës së autizmit mund të kuptohen nga një specialist kur fëmija është në muajin e pestë, ndërsa shenjat me të dukshme variojnë nga 18 deri në 36 muajsh

-Fëmija mund të zhvillohet pa shfaqur shenja shumë të dukshme të çrregullimit deri në moshën 16-18 muajsh dhe pas kësaj moshe, nëna mund të identifikojë probleme në zhvillimin e tij

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›