Arsimi i detyruar parashkollor, MASH hap 50 klasa për 5 vjeçarët
Rreth 50 klasa parapërgatitore do të çelen këtë shtator për fëmijët e moshës 5 vjeç. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës këto klasa do të çelen në të gjithë vendin, me synim që fëmijët të marrin njohuri paraprake për në klasën e parë. Projekti i MASH parashikon që hapjen e këtyre klasave ta shtrijë jo vetëm në kopshtet ekzistuese, por edhe në ambientet e shkollave 9-vjeçare.
Për vitin 2009-2010 synohet të hapen dhe 50 klasa të reja, duke e çuar numrin e tyre në 100. Duke filluar nga ky vit shkollor ndjekja e klasave të tilla për fëmijët e moshës 5 vjeç, tashmë do të jetë e detyruar. Të dhënat e MASH tregojnë se aktualisht kopshtet frekuentohen nga rreth 65 % e fëmijëve, por qëllimi i politikave arsimore është që të gjithë fëmijët e e grupmoshës 5-6-vjeçare të marrë një vit përgatitor para se të nisin klasën e parë. Fillimi i arsimit të detyruar për fëmijët 5- vjeçar parashikohet në strategjinë 10-vjeçare për zhvillimin e arsimit parashkollor, i cili po konkretizohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.