Nevoja e shembjes së mureve
Dikur hermetizimi i tij ka shërbyer si pretekst i mirë që shqiptarët autoktonë të mos kenë mundësi të takohen me shtetasit e vendit amë autentik.
Ato male dhe bjeshkë që dikur i shikonim me nostalgji në horizont dhe ishin të paarritshme, sot janë po aq të lakmueshme për t’u arritur.
Prej asaj kohe pothuaj është bërë shumë pak.
Është koha e mjaftueshme që pas vetes të kemi të realizuara me dhjetëra projekte të përbashkëta dhe shkëmbime përvojash në të gjithë lëmenjtë, si në kulturë, arsimim, ekonomi, art etj.
Ai kufi i cili ishte dikur, është edhe sot.
Mali i Zi dhe Shqipëria kanë aplikuar që të jenë anëtare të organizimit, i cili kufijtë i njeh veç në hartë, flasim me të madhe për integrime në Evropë e me fqinjët hezitojmë të afrohemi.
Ne bëjmë sikur nuk e kuptojmë se dera e integrimeve e ka çelësin te ne dhe vullneti ynë për arritjen e një bashkëpunimi esencial mes vendeve kandidate.
Jetojmë në kohë të vështirë dhe konfuze. Shqipëria gjeografikisht është afër, por nëse afërsia matet në bazë të lehtësisë së komunikimit atëherë ajo është përsëri larg.
Popullsitë lokale këndej dhe andej kufirit, kanë problemet e veta të cilat janë të ngjashme dhe shpeshherë të gërshetuara dhe identike me tonat, sikur vetë Zoti na ka determinuar në bashkëpunim dhe zgjidhjen e tyre përmes bashkëpunimit.
Lumi Cem, Buna apo Gërçar, as nuk mund të studiohen, as të investohet që studimi e investimi të jenë të plotë dhe të suksesshëm pa bashkëpunim me palën shqiptare.
Pala malësore dhe ajo malazeze as që nuk mund ta vënë Liqenin e Shkodrës në funksion të mirëfilltë pa bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë.
Gjithashtu, Alpet shqiptare apo bjeshka e Koritës dhe shumë mikrolokalitete të tjera të cilat janë lenë pas dore mu për faktin se problemi i parë nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme.
Kufijtë e vendosur në hartë e që kanë lënë shenjë në realitetin tonë edhe pse realisht duhet të jenë drejt zbehjes faktike si domosdoshmëri e cila vjen si rezultat i integrimeve, vazhdojnë të qëndrojnë të ngulitur në kokën tonë.
Dhe kufijtë në kokë hiqen më vështirë sesa në terren.
Edhe pas tërë kësaj kohe, nuk e kemi kuptuar dhe vazhdojmë të mos e kuptojmë se kufijtë ndajnë popujt, por jo edhe gjuhën e tyre, trashëgiminë kulturore, organizimin e tyre familjar, fisnor dhe vendor.
Kufijtë shtetërorë në Ballkan kanë qenë dhe mbeten problem jo thjesht për diskutimin e të drejtës dhe drejtësisë së vizatimit të tyre dhe për faktin se janë të ngulitur aty ku janë, por thjesht sepse ne jemi çdoherë në mbrojtje të tyre.
Duke mos qenë të sigurt se e kemi me faqe të bardhë dhe me nder atë që kemi iu frikohemi çdoherë situatave të reja. Po të mos ishte kështu, do të ishte dashur të ishim çliruar tani më nga frika se dikush don t’i rrezikojë ata.
Vazhdojmë të frikësohemi edhe pse Evropa na fton që të fitojmë siguri në vetvete, të çlirohemi nga tmerri i shkaktuar nga fobitë tona dhe të fillojmë punën ashtu siç e do fusha e madhe dhe e begatshme e kontinentit tonë.
Unë nuk besoj se shqiptarët në Mal të Zi kanë ndonjë qëllim tjetër, përveç atyre praktike dhe jetësore, për arritjen e një bashkëpunimi normal me njerëzit e zonave përtej kufirit me të cilat kemi të njëjtin kod gjenetik.
Askush më shumë se ne nuk e ka ndier këtë nevojë të bashkëpunimit, askush më shumë se ne nuk ka qenë i ndjeshëm për nevojën e shembjes së mureve.