E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria liron administratoren dhe studentin Marashi



Hetimi

Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar lirimin e administratores së agjencisë turistike “Mar West.Travel”, si dhe studentit të vitit të dytë për juridik në universitetin UFO, Valter Marashi. Sipas burimeve nga akuza, shkak për lirimin kanë qenë dy faktorë, shtatzënia e administratores dhe pretendimit se dokumentet janë sjellë nga studentët dhe nuk janë siguruar nga agjencia. Sipas administratores Çekani, ajo nuk ka pasur asnjë dijeni se dokumentet e dorëzuara nga 4 prej 156 të tjerët kanë qenë të falsifikuara. Sipas saj, nuk ka pasur asnjë përfitim të digjte të ardhmen e agjencisë së saj, për të siguruar viza për katër persona, ndërkohë që fitimin e kishte siguruar me organizimin e udhëtimit për studentët. Ndërkohë që faktet edhe për studentin Marashi nuk kanë qenë aq bindëse sa të mbahej në qelitë e paraburgimit, por u caktua masa “detyrim paraqitje”, që të jetë në çdo kohë në dispozicion të hetimeve. Ndërkohë, oborri dhe korridoret e Prokurorisë së Tiranës kanë vijuar të jenë të populluara deri në orët e mesditës nga studentët e bllokuar për katër ditë në Trieste. Ende nuk është përcaktuar nga hetimet kush është fajtori, por rezulton që të paktën 20 prej tyre nuk kanë pasur rregullsi në dokumentacion. Nga të dhënat hetimore rezulton se Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar verifikimin në katër fakultete për emrat e studenteve që u bllokuan katër ditë në Trieste të Italisë. Përmes verifikimit, hetuesit do të zbulojnë kush janë dhe kush nuk janë studentë në katër universitetet, me qëllim kthimin edhe të pasaportave të tyre, të bllokuara në momentin që zbritën në Durrës. Nga ana tjetër, sipas akuzës do të nisin edhe verifikimet se kush i ka kryer të gjitha falsifikimet e vërtetimeve të universiteteve. Mësohet se të gjitha këto vërtetime janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës, për të parë nëse janë apo jo të falsifikuara. Ndërkohë që dje studentët janë tërhequr përkohësisht nga kallëzimi penal për agjencinë, me të cilën fillimisht do bëjnë takim për kthimin e shumës së dorëzuar për udhëtimin. Nëse nuk arrijnë të marrin paratë e tyre, ata do t’i bashkëngjisin hetimeve edhe kallëzimin e tyre për agjencinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›