Një nëpunës shembullor që nuk na duhet
Xhezair Zaganjori edhe mund të zgjidhet president. Ai plotëson disa kushte për të qetësuar aleatët e Berishës, që eksitoheshin të zemëruar nga përmendja e emrit të Jozefina Topallit, dhe për rrjedhojë ai mund të bashkojë 71 vota, pa llogaritur trafikun e votave që mund të nxisë Berisha. Ai është një individ i sponsorizuar nga politika, që në jetën e tij nuk ka asnjë hap në karrierën e rëndësishme pa firmën e Berishës. Përveç të qenit kandidat për anëtar të PPSH, para viteve 90-të, gjithçka më pas e ka prej tij. Ka qenë në vitet 1992- 1997 ambasador i Berishës në Gjermani, ka qenë 7 vite në vazhdim jashtë karriere, po për shkak të politikës si konsulent ligjor i opozitës, dhe sapo Nano dhe Berisha u bënë bashkë pas zgjedhjes së Moisiut, filloi karrierën si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, i mbështetur nga të dy palët. Është politikisht korrekt me PD dhe Berishën dhe nuk ka ambicie për karrierë politike në PD, çka e bën atë një tip më të pëlqyeshëm se Jozefina, jo vetëm për deputetët e shumicës, por dhe për Berishën. Natyrisht që është më i lexuar se ajo, më i dëgjueshëm se ajo dhe më i pafjalë dhe më pak agresiv se ajo.
Pra, në këtë histori nuk ka asgjë politike dhe asgjë për tu gëzuar apo mërzitur. Është thjesht konsumimi i mandatit të pushtetit të Sali Berishës me një kandidaturë që shkon përtej Jozefinës për atë që shumica e opinionit publik ka frikë Berishën, kontrollin mbi presidentin. Zaganjori nuk e ka zhgënjyer kurrë Berishën dhe nuk ka ndërmend ta bëjë këtë as në të ardhmen. Ky është një vendim për të cilin ne nuk mund ta qortojmë, por thjesht nuk mund ta pranojmë. Topalli është një kandidate agresive, por më e sinqertë dhe ndoshta më përfaqësuese e PD se Zaganjori. Ky i fundit është thjesht përfaqësues pa zë i Berishës.
Tensioni i rritur para fillimit të procesit nuk ka ardhur nga pamundësia e Berishës për të zgjedhur një president me 71 vota, por nga mundësia që mund të krijohej për të formuar një shumicë të re parlamentare kundër tij dhe ti kushtëzonte vendit një president konsensual dhe ndoshta kryeministër të ri. Këtë histori e prodhoi vendosja e kontakteve zyrtare mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por procesi për zgjedhjen e presidentit nuk u prek nga ky zhvillim. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk shkoi përtej presionit mbi Berishën dhe për rrjedhojë nuk ka më asnjë arsye që opozita të përfshihet nga emocionet e një procesi për të cilin nuk i ka votat. Ajo lëvizje do të ketë çmimin e vet për LSI apo PS në zgjedhje parlamentare, por jo në këtë proces.
Situata e tanishme dhe përjashtimi zyrtar që Berisha po i bën Partisë Socialiste nga procesi flasin për një vendosmëri të Berishës për të pasur një president të vetin dhe si e tillë Partia Socialiste duhet ti qëndrojë larg këtij pisllëku. Ajo nuk ka pse emocionohet as nga emrat dhe as nga takimet dypalëshe të shumicës me njëra- tjetrën. Ajo vlen vetëm si një opozitë që mund ti japë vendit një president konsensual dhe ti hapë perspektivën evropiane Shqipërisë dhe jo si një bashkëfajtore në një proces tërësisht personal të Sali Berishës. Ajo që po bën Berisha është thjesht të fitojë kohë deri në raundin e tretë të zgjedhjes së presidentit dhe pastaj të vendosë atë që do. Opozita nuk ka arsye të vetëkonsumojë një debat rreth këtij procesi, nga e cili e kanë përjashtuar me vetëdije. I vetmi debat tanimë ekziston vetëm brenda shumicës, ku ëndrra për tu bërë president dikush prej tyre është bërë shumë e prekshme.
Natyrisht për shqiptarët do të ishte një lajm i mirë që edhe presidenti i zgjedhur vetëm me votat e shumicës të ishte një njeri që ka një personalitet publik, apo së paku që ka dhënë prova që di të mbajë larg orekset e Berishës. Zaganjori është një njeri që gjithçka që ka arritur si karrierë zyrtare pas vitit 1992 e ka prej Sali Berishës. Sa i përket guximit politik për ti dalë kundër Berishës, është nën nivelin e Ferdinand Xhaferrit, pasi as me Pollon nuk guxoi të bashkohej në vitin 1999, edhe pse kishin një miqësi të fortë familjare, pushonin bashkë dhe flisnin ndonjë fjalë gjermanisht kundër tij. Lavdërimet që dëgjohen për CV e tij apo integritetin profesional duhet të jenë të kujdesshëm të mos fyejnë së paku atë pjesë të shoqërisë që ka bërë ndonjë gjë vetë në këtë jetë. Ai nuk është pjesë e ndonjë fryme apo debati intelektual në këtë vend. Nëse ka kohë të lirë në mbasdite, mund të shikoni me ndonjë ish- badigard të Berishës apo miq biznesmenë të tij, por jo me ndonjë rreth shoqëror intelektualësh. Frika e të gjithëve ndaj Berishës është pikërisht ky model presidenti, që nuk nxehet kurrë, nuk kundërshton kurrë dhe është gati të mendojë vetëm për punën që bën. Ka gati dy vjet që vazhdon të marrë rrogën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse i ka mbaruar mandati dhe së fundmi votoi dhe kundër vendosjes së një rregulli propozuar nga Presidenti për procedurën e emërimit të anëtarëve të kësaj gjykate, vetëm se ai rregull i hiqte rrogën.
Pra, shumica po i drejtohet praktikisht një eunuku ekselent, i cili do të çlirohet nga Berisha kur ai të bjerë nga pushteti, por kurrë kur ai të jetë kryeministër. Në këto kushte leksionet apo shfrimet kundër opozitës janë të tepërta. Opozita është larg dhe jashtë procesit të zgjedhjes për president të një eunuku të Berishës, një Jozefine me shkollë dite. Dhe duhet të qëndrojë larg dhe jashtë nëse Berisha nuk ulet seriozisht për një president konsensual. Zaganjori është një nëpunës korrekt në të gjitha pikëpamjet dhe meriton një punë shteti. President është shumë.
