E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një nismë me shumë mungesa për Prishtinën

Ejup LLUMNICA
Vetëm një javë para fillimit të stinorit pranveror, kur Prishtina me paraqitjet e saj, konfirmoi se do të jetë skuadra kryesore për titull të kampionit, e cila edhe rriti optimizmin e trajnerit Kujtim Shala, megjithatë, si duket gjithcka nuk është duke shkuar ashtu si pretendohej. Pas lëndimit të Arben Zhjecit, Visar Berishës, Emin Baliqit, ankime ditëve të fundit kanë paraqitur edhe Isuf Llumnica dhe Bardhyl Kaciu. Përderisa, lëndimi i Kaciut nuk është cilësuar si serioz, Llumnica do të jetë larg fushës për dy javë. Pra, në sfidën e parë që kryeqytetasit e zhvillojnë në fushën e vetë kundër skuadrës shumë të papërshtatshme Kosovës së Vushtrrisë, me gjithë këto mungesa, do të ketë gjithsesi telashe të mëdha për të arritur rezultat të favorshëm. Megjithatë, nëse bazohemi në përgatitjet tejet të mira si dhe paraqitjet e shkëlqyeshme në ndeshjet miqësore-kontrolluese të Prishtinës, ku nga 8 sosh shënuan 7 fitore dhe një barazim duke mos pësuar asnjë humbje, atëherë edhe më të drejtë pritet fitore e tyre në hapje të stinorit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›