Një parlament i ri duhet të ketë, së pari, mendësi të reja
Një parlament i ri nuk do të thotë vetëm fytyra e mosha të reja, më shumë gra, më shumë jetë, porse, në radhë të parë, sa më shumë deputetë me mendësira të reja që mbi gjithçka venë atdheun dhe popullin.
Këto dy emblema i kanë edhe deputetët e sotëm, por i kanë si mjete për t’u mbajtur në fuqi e për të siguruar fitime e lehtësira të pamerituara.
Kurse, ata që do të zgjidhen në qershor 2009 këto dy emblema lipset të mos i kenë qëllim në vetvete. Ata që janë sot kanë llafe-boshe e xhepa-plot, kurse ata që do të vinë të kenë ideale patriotike. Por gjetja e të tillë kandidatëve për deputetë nuk është një punë e lehtë. Është një punë e cila kërkon studime të thella e të zhveshura nga pëlqimet ose mospëlqimet vetjake të liderëve - dhe një kohë pak a shumë të gjatë. E përse të tëra këto? Sepse në politikë absurditeti nuk përbën ndonjë handikap.
Por deri kur kështu? Derisa të ndryshojnë mendësirat dhe praktikat korruptive. E në këtë drejtim, deri më sot, nuk po shohim ndonjë lëvizje konkrete, nga ana e partive politike, e cila të na shtyjë të mendojmë se ato po merren me këtë mision të rëndësishëm e historik.