Një marrëveshje antikombëtare që duhet hedhur për debat
Gjatë rrjedhave të historisë së njerëzimit dhe historisë sonë kombëtare njihen disa marrëveshje të fshehta, të cilat për publikun e gjerë janë marrë vesh pas shumë kohësh. Një prej marrëveshjeve të fshehta me pasoja të rënda kombëtare për shqiptarët është marrëveshja Pashiç-Ahmet Zog e lidhur në gusht të vitit 1924. Njoftimet publike për këtë marrëveshje pa dhënë detajet e saj, fillimisht u botuan në faqet e shtypit të diasporës shqiptare në gazetën “Dielli”.
Në dy pikat e para të saj, kjo marrëveshje thotë që “Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohi dinastinë Karagjiorgjeviç…” .Pika 3, thotë që qeveria Jugosllave, do të njohi Ahmet Zogun si kryetar shteti dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.
Ndërsa pika 14, thotë tekstualisht: “Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek…”.
Vlen të përmendim së kjo marrëveshje është kontestuar prej disa studiuesve. Pas vitit 1990 në disa shkrime mbrohet ideja e hedhur nga Foreign Office, se kjo marrëveshje është hedhur për konsum diplomatik prej MPJ Jugosllave për ta vënë Zogun në pozita. Gjithsesi mbetet një dokument arkivor që kërkon një angazhim të veçantë, sikurse është fakt që disa pika të saj Zogu i zbatoi me përpikmëri.