Një pasdite e gëzueshme me Lulzim Bashën për banorët e lagjes numër 1
Ora 16: 30. 31mars 2011. Lagja numër 1 në Tiranë. Lagja “Ali Demi”. Njerëzit thërrasin miqtë e tyre në telefon. Ka ardhur Lulzim Basha. Hajdeni po i takon të gjithë. Ja tani është tek farmacia, pastaj tek pjesët e këmbimit.
Po i takon me vërtetë të gjithë. Në fakt ndalon në të gjitha shitoret e rrugës “Ali Demi” qofshin këto shitore mishi, pika bastesh, lokale, kompani telefonash, berber apo ushqimore. Njerëzit janë të shumtë. Makinat ndalojnë dhe shoferët gazmorë dhe buzëqeshur bërtasin “fitore”. Ai, kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës i përshëndet të gjithë. Me të vërtetë të gjithë. Dhe vazhdon të takojë njerëz të të gjitha moshave.
Për një çast turma e shumtë pothuaj nuk e ndjek më. Lulzim Basha drejtohet për nga zonat larg rrugës kryesore. Ja tek takon një familje rome. “Shyqyr që na erdhe. Të prisnim. Ka 9 vjet që s’vjen askush këtu, askush. Jam plakë unë e shkreta, kam dy fëmijë askush nuk më pranon tek zyra e strehimit në Bashki, askush”.
-“Dua të di shqetësimet tuaja prandaj kam ardhur” - thotë Lulzim Basha, kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. “Kryeqyteti do njeri” – thotë një prej tyre. – “Ju urojmë suksese” – thotë një tjetër. Vazhdojnë romët – vetëm taksat na merr Bashkia dhe nuk do t’ia dijë për asgjë tjetër.
“Ju urojmë fitore e ke të sigurt fitoren, kështu siç na vjen ti. Lëvize nga themelet”. Por kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës vazhdon më tej.
“Bashkia nuk ekziston, - thotë një bashkëbisedues tjetër, s’ka gjelbërim ja shikoje këtë, një lagje e vjetër por Edi Rama e ka mendjen tek politika dhe jo më tek Bashkia.
Kemi bërë peticione pafund. Ju falënderojmë që erdhët. Askush më parë nuk na kishte begenisur nga Bashkia. Shyqyr që na erdhi dikush. Tirana do njeri. Ju urojmë suksese”.
“Bashkia duhet t’i shërbejë qytetarit. Nëse nuk i shërben qytetarit atëherë nuk vlen. Duhet të planifikojmë. Duhet punësim, qyteti është i të gjithë qytetarëve. Po unë shoh vetëm degradim, kudo degradim. Le të fillojmë ta ndërtojmë” – përgjigjet Lulzim Basha.
Një plak i dobët, pak i kërrusur thotë: “Kam një vit shkoj për përkrahje sociale në minibashki askush, për Zotin askush nuk më pranon”.
“E ke në xhep fitoren. Fale o Zot çunin tonë, shikoje sa i mirë” - një nënë rreth të shtatëdhjetave.
Një i ri: “Nuk flemë dot nga zhurma”. Pastaj një grup djemsh e fton të luajë me ta.
“Kam pasion volejbollin” – përgjigjet kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Ndërsa dikush insiston Basha e kalon me një batutë. “Koshin do e bëjmë më 2013”.
Përshëndetet më një zonjë rreth të tridhjetave: “ Nuk duam të na shkarravisë më pallatet Edi Rama, mor po nuk duam”.
Një tjetër akoma, thotë se askush nuk e pret tek zyra e strehimit. “Nuk do ketë qytetar jashtë vëmendjes dhe pa shtëpi” – përgjigjet Lulzim Basha. Dhe vazhdon të futet në rrugica të mjera, të paasfaltuara.
“Rrugën e bukur Durrës – Kukës e përfundove, tani jam i sigurt se do na kesh ne në qendër të vëmendjes edhe këtë rrugicën tonë” – është përgjigja e parë. Njerëzit nga ballkonet komunikojnë dhe përshëndesin Lulzim Bashën.
Janë të ngazëllyer, janë kthyer në vëmendjen e dikujt. Ndihen të gëzuar. “Rrofsh o Lul Basha. Do ndryshojmë çdo lagje me plan rregullues” – thotë dikush tjetër. “Ta heqim atë fytyrë të degjenerueme”.
“Faleminderit për vizat, shkova dhe pashë djali në Itali. Shyqyr që na erdhe. Kjo është rruga e Edi Ramës, pellgje me ujë, inerte të hedhura. Do na i bënte lulishte” – përgjigjen banorët.
Akoma një tjetër: “Nuk të shan dot njeri ty, as Zoti nuk të shan dot”.
Në rrugën “Gavril Dara” tubacionet janë që prej vitit 1957. Bashkia s’ka ndërhyrë kurrë.
Një plakë 85 vjeçe i drejtohet: “O Zot fitofsh o djalë, sepse para se të vdes dua ta shoh këtë rrugë të asfaltuar. Këtu na arrin uji deri në kërthizë. Nuk vihet dorë prej 50 vjetësh. Nuk ka kanalizime. Është një prej lagjeve më të vjetra të qytetit”.
“Të lumshin këmbët askush nuk ka ardhur kurrë këtu në rrugicën tonë, mirë se erdhe” – drejtohen njerëzit.
Ora 19:30. Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Pi pak ujë. Dhe përshëndet të gjithë. Ka ecur shumë ky njeri, dhe ka ende për të ecur. Rrugë të mbarë, Zoti Kryetar i Bashkisë së Tiranës.