Qytetarë, malli i Ramës ka skaduar
Në ishullin e të dëshpëruarve më i dëshpëruar është ai që thotë “ E vetmja rrugë është Rama”, sepse ky është slogani më fringo i shtabit të luftës elektorale socialiste. Slogani gjithë fajin e ka Saliu, pati të njëjtin fat të trishtueshëm të parullave të mëparshme: hap kutitë, ose largohu, çliro vizat, e gjithfarësoj dekoltesh intelektualë të pjella nga War-room-i i agjitpropit Endri Fuga. Me një llaf mall i vjetër slogane të reja. Të gjithë njerëzit që propozon Partia Socialiste për të drejtuar qytetet janë po të njëjtët njerëz të mëparshëm, që kanë të njëjtin “ideolog”, dhe mbi të gjitha i njëjti detersiv (shpëtimi nga Saliu!), që i është prezantuar qytetarëve më parë. Kaq mund të bënte paketuesi dekorativ i mendim-qëllimeve të Ramës për slogane të reja fringo.
Sakaq edhe malli i vjetër me slogane të reja është tregtuar nga Edi Rama, përmes një komunikimi në rrjetin social Facebook. “Në këto orë po nis një kapitull i ri i betejës qytetare. Prandaj ju lutem miqësisht të mirëkuptoni shkëputjen time të përkohshme nga kjo faqe”. Megjithatë kandidati Lulzim Basha është në avantazh të dukshëm pëlqimi në rrjetin social “facebook”, ku deri tani numërohen 18 494 persona që kanë adresa në Facebook dhe janë mbështetës të kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Kurse që nga shpallja e kandidaturës për një mandat të katërt për Bashkinë e Tiranës janë 11 237 persona që kanë një adresë në rrjetin “Facebook” dhe mbështesin kreun e opozitës së Bashkuar, Edvin Rama.
Edhe pse fushata zyrtare hapet me 7 prill, me fjalëkalimin më përgjithësues të mundshëm “E vetmja rrugë”, kandidatët e opozitës janë të grupuar në ambalazhin për tej të majtës dhe së djathtës “Aleanca për të Ardhmen”, ku brenda demokristianë dhe komunistë do të kërkojnë votat e shqiptarëve më 8 Maj për zgjedhjet për pushtetin vendor. Posteri i fushatës së tij dhe Partisë Socialiste është prodhuar jashtë vendit me lekët e biznesmenëve. Në këtë foto Rama ka pozuar i ulur, me një buzëqeshje të madhe, i veshur me një xhaketë të zezë, këmishë të bardhë e kollare me lule të kuqe e të zeza. Sfondi i posterit është gri me pak ciklaminë, ndërkohë që djathtas është vendosur edhe logoja e PS-së, grushti dhe trëndafili.
Mirëpo jo të gjithë e dinë se parulla e Ramës për zgjedhjet lokale e “E vetmja rrugë” është kopjuar nga slogan i shtëpisë automobilistike italiane “Alfa Romeo” e cila përdor në fushata blerjesh përdor togfjalëshin “Unica-Strada”, që përkthehet shqip “E vetmja rrugë”, ndonëse Alfa romeo dihet që ka marrë nga kultura biblike, ku mesia është e vetmja rrugë për në parajsë. Një adaxhio i vjetër i komunistëve europianë ishte: “punëtorët shkojnë në parajsë”. Kështu që eminenca gri e Ramës, Endri Fuga (që ka studiuar në Itali ku është edhe shtëpia automobilistike Alfaromeo) s’e ka pasur të vështirë të kopjonte këtë slogan. Mungesa e fantazisë së PS-së nuk është si duket vetëm në ide apo projekte, por edhe në gjetje sloganesh, që përdoren dhe hidhen në kosh sa hap e mbyll sytë.
Sidoqoftë meqë flitet për zgjedhjet vendore të 8 majit duhet theksuar se malli (projekte, programe) që tregton Partia Socialiste është i prishur, i skaduar dhe nuk ka të bëjë fare me ndryshimin, me zhvillimin dhe perspektivën e re të Tiranës. Tirana ka vite që është në vend numëro në zhvillimin ekonomik, nga keqmenaxhimi, korrupsioni i lejeve të ndërtimit, inercia kulturore dhe katastrofa infrastrukturore. Edhe ata që thonë se çështjet e ndotjes, të gjelbërimit, të pastrimit, të trafikut, të transportit publik, të punësimit, të uljes së numrit të nxënësve në klasa, të thithjes së talenteve të shkolluar jashtë vendit, të largimit të lypësve nga rruga… Janë probleme, për të cilat kanë folur e flasin gjithnjë të gjithë kandidatët për kryetar bashkie të qytetit të Tiranës duan të përgjithësojnë dhe realitivizojnë paaftësinë e Ramës për të ushtruar detyrën si kryebashkiak. Mainstreami mediatik i Ramës do të japi idenë se të gjithë jemi njësoj, prandaj qëndroni në llogore qytetarë. Të gjitha këto problem që numëruam më lart janë rezultat i mungesës së përgjegjësisë, defekteve të tjera dhe i makutërisë për pushtet të Ramës.