E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpresë e tepërt, gëzim i parakohshëm, shumë zhurmë për asgjë?

Do jetë në gjendje prokuroria shqiptare për të sjellë në bankën e të akuzuarve të gjithë ata që kurdisën Gërdecin? Ndër të cilët ndonjë mund edhe të ketë planifikuar vrasjen e Trebickës, në variantin më makabër të tragjedisë së fundit?

Ajo që trondit dhe gërryen shpresën e shqiptarëve për një shtet ligjor është mundësia që prokuroria të ketë dokumente dhe pista që të çojnë tek fajtorë të caktuar në politikë, por që nuk ka kurajo të veprojë. Ja përse edhe për Prokurorinë tonë hetuesit amerikanë duken si komardare shpëtimi. Ja përse mbajmë ende shpresat mos nxjerrin gjë të huajt nga çorbat tona.

Më 1996-‘97 e pësuam mirë nga fajdet tona “të pastra”. Nuk ka betim apo përgjërim politikani shqiptar që të na bindë. Ja përse ato argumente që nuk kundërshtohen prej nesh, si për rritjen ekonomike, për korrupsionin, për gjendjen e biznesit, për sistemin tonë të taksave, për kreditë tona e me radhë nuk janë deklaratat e qeverisë sonë, por vetëm raportet e Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian, Bankës Botërore apo Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ja përse sytë i kishim tek të bekuarit hetuesit e FBI-së. Këta Mesia të përtej oqeanit që vijnë të shpëtojnë shtetin shqiptar të ngecur pas një prokurorie memece ose të trembur. Është shpresë e tepërt, gëzim i parakohshëm, shumë zhurmë për asgjë? Hetues të përtej oqeanit, ju lutem, na e thoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›