Një përmbledhje e turpshme

Ditën e parë të Panairit të sivjetmë të Librit në Beograd e shënoi një interesim i madh për stendën e Zyrës për Kosovë e Metohi, të Qeverisë së Serbisë, ku po ekspozonin ekspozuesit e bashkuar nga Kosova - po, po, nuk është gabim, sepse përveç botuesve, atje u shfaqën edhe prodhues të tjerë, si për shembull prodhues verërash, etj.
Vizitorët dhe gazetarët u ngutën drejt stendës – pa asnjë dyshim – “patriotike”, për të dëgjuar ministrin e Kulturës, Bratislav Petrovic, i cili vendosi që fillimisht nderin për shfaqjen e tij në Panair t’ia kushtonte drejtorit të Zyrës, Aleksandar Vulin, autorëve dhe përgatitësve të përmbledhjes “Političko nasilje”, Uros Suvakovic e Obrad Stevanovic, pra, dy veprimtarëve të kreut të shoqatës Sloboda, gjegjësisht pasuesve të Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Slobodan Milosevicit.
Ministri nuk e përsëriti ‘tregimin’ për artin patriotik (sepse këtë e bëri poetja, Radmila Lazic, në fjalimin e rastit), por i tha disa fjalë për krijimtarinë në Kosovë.
“Ajo është pjesë e popullit tonë. Atje ka shkrimtarë dhe poetë të rëndësishëm, të cilët duhet t’i mbështesim dhe t’i respektojmë, kështu që Ministria do të bëjë gjithçka për t’i ndihmuar materialisht shkrimtarët nga Kosova”, theksoi ministri Bratislav Petkovic.
Për askënd s’kishte asgjë të pazakontë në atë që përmbledhjen “kosovare”, “Dhuna Politike”, e prezanton Uros Suvakovic, edhe pse ish-sekretari i përgjithshëm i Socialistëve të Rinj në kohën e regjimit të ashpër serb – siç shprehet rektori i ETF, Branko Kovacevic, ishte i përzier në rrahjen e studentëve të Fakultetit Teknik. Suvakovic, si njëri prej njerëzve më të favorizuar të çiftit Milosevic – i cili, madje, ishte edhe asistent i Mira Markovic në lëndën e Sociologjisë, në Fakultetin e Gjeografisë - dhe që dikur ishte këshilltar i Sigurimit Shtetëror, sot është docent në institucionet e larta shkollore të Fakultetit Filozofik dhe të Mjekësisë, të Universitetit të Prishtinës, i cili operon në Mitrovicën e Veriut.
Mihalj Kertes, drejtor i Drejtorisë së Doganave, i cili akuzohet se ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 60 milionë euro, gjatë gjykimit pohonte se Suvakovic vinte tek ai për t’i marrë paratë me të cilat SPS i financonte zgjedhjet. Në kohën e aksionit “Sablja’ (Shpata), Suvakovic ishte mbajtur dy muaj në burg, për ç’shkak shtetit pastaj iu desh ta dëmshpërblinte me 2,500 euro.
“E gjithë historia e Kosovës e Metohisë, qoftë gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, apo edhe gjatë këtyre 100 viteve sa është në përbërje të Serbisë, është shënuar nga dhuna etno-separatiste e shqiptarëve ndaj serbëve, e cila përfshinë edhe shkatërrimin e dëshmive kulturo-historike për ekzistimin e një populli në një hapësirë të caktuar. Qëllim ishte krijimi i një territori të pastër, për çka shovinistët shqiptarë luftuan tash e 100 vite”, pohoi kategorikisht Suvakovic në fjalën e tij.
E promotori tjetër i përmbledhjes, Obrad Stevanovic, është edhe më me përvojë në temën e përzgjedhur. Ai vlerësoi se me “tregues shkencor është konstatuar se dhuna shqiptare në KiM [Kosovë e Metohi] posedon tipare konstituive të terrorizmit”.
Stefanovic, i cili në kohën e eskalimit të dhunës shtetërore serbe ishte zëvendësministër i Policisë, sigurisht që nuk e pati fjalën për aktakuzën e Hagës kundër Slobodan Milosevicit dhe kreut ushtarak të shtetit – Nikola Sainovic, Vlajko Stojiljkovic, Dragoljub Ojdanic, Milan Milutinovic - e cila thotë:
“Forcat e SRJ [Republikës Federative të Jugosllavisë] dhe të Serbisë përgjatë gjithë territorit të krahinës së Kosovës në mënyrë sistematike i dëbuan qindra-mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre, ose i shpërngulën brenda Kosovës. Për t’i ndihmuar këto dëbime apo shpërngulje, nëpërmjet përdorimit të dhunës dhje akteve të dhunës forcat e SRJ dhe të Serbisë qëllimisht krijuan atmosferën e frikës dhe presionit. Përgjatë gjithë Kosovës, forcat e SRJ dhe të Serbisë terrorizuan dhe plaçkitën pronat private dhe objektet bujqësore të shqiptarëve të Kosovës, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Policët, ushtarët edhe oficerët ushtarakë i shfrytëzonin bastisjet masive, kërcënimet me dhunë dhe veprat e dhunshme për plaçkitjen e parave dhe gjësende të çmuara të shqiptarëve, ndërkohë që autoritetet në pikat kufitare të SRJ sistematikisht vidhnin veturat personale dhe pronën tjetër të shqiptarëve që po deportoheshin nga krahina...”
Pra, konstatimi i Stevanovic në fakt na e përkujton kontributin e tij kreativ për sqarimin e krimeve serbe të luftës në Kosovë, para së gjithash, atë të ekzistimit të varreve masive primare dhe sekondare kosovare, por edhe të atyre brenda poligonit policor në Batajnicë. Në maj të vitit 2005, Stevanovic deklaroi para Tribunalit se “është plotësisht jologjike që dikush t’i zhvarros, e pastaj edhe t’i shpërngulë kufomat”, respektivisht, se ky veprim për të “ende mbetet një mister i madh”. Duke u thirrur në metodologjinë e tij të pagabueshme (sot është docent në Akademinë Kriminalistike-Policore), Stevanovic ka hulumtuar edhe motivet, të cilat - siç pohon - i posedonte vetëm NATO’ja, me synimin që “krimet e ashtuquajtura” pastaj t’ua mvishte serbëve. Si rrjedhojë, sipas logjikës së Stevanovic, për dallim nga shumë objekte të tjera të ngjashme, vetëm qendra për stërvitjen e policisë serbe në Batajnicë ka mbetur e pabombarduar.
Përmbledhjen“Političko nasilje” e botoi – pa ndonjë arsye serioze – Zyra qeveritare serbe për Kosovën e Metohinë. ndërkaq popullatat serbe përfitoi kështu edhe një dëshmi të shtypur se Serbia, në raport me Kosovën, nuk po heqë dorë nga vazhdimësia kriminale e Milosevicit, por tani përmes personifikimit të figurave të errëta të promovuesit dhe nxitësit. Pra, të vazhdimit të lutës, vrasjeve dhe djegieve, përmes dhunës politike. A thua ku do të ndalonin po të mos ishin pamundësuar, ose po të kishin fituar përnjëmend...
(B.Toncic, e-Novine)