Pacolli pas një muaji lobim kthehet në Kosovë

Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i Pacollit theksoi për Telegrafin se Pacolli konform përgjegjësive shtetërore, gjatë qëndrimit në New York dhe takimeve me përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës, ka planifikuar dhe ka marrë ftesa për disa vizita kryesisht në vendet e kontinentit afrikan.
Ai theksoi se aktualisht zëvendëskryeministri Pacolli gjendet në Najrobi të Kenyas.
“Pas përfundimit të vizitës në Nju Jork, fillimisht, z.Pacolli ka qëndruar në Nigeri ku është ftuar nga Fondacioni më i madh i paqes në Afrikë. Pastaj me ftesë të presidentit të Ugandës ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 50 vjetorit të pavarësisë së këtij shteti. Ndërkaq, turneu lobues i zvkm Pacolli është fokusuar kryesisht në Afrikën Lindore. Ai ka vizituar tri herë Kenyan, dy herë Republikën e Burundit, dy herë Sudanin e Jugut, Ruandën,Zambian. Lobimi serb në këto shtete është i fuqishëm dhe ato kanë hezituar deri tash ta bëjnë një hap të tillë për shkak të këtyre lidhjeve. Megjithatë, atje është bërë një punë e madhe për t’i bindur këto shtete që ta njohin Kosovën”, u shpreh Zyberaj.
Sipas tij, Pacolli pritet të kthehet të nesër (premte) në Kosovë dhe nga vizitat e tij jashtë vendit tha se presin rezultate konkrete dhe të shpejta.
Por sa ka shpenzuar nga buxheti i Kosovës, Pacolli me vizitat e tij jashtë vendit për dy muaj, Zyberaj tha se ato shpenzime paguhen nga buxheti privat.
“Bëhet fjalë për shuma të mëdha, të cilat ne nuk i dimë, për arsye se shumë shpesh ai lëviz me aeroplan privat, por një gjë është e sigurt se ato shpenzime paguhen nga buxheti privat. Si gjithmonë, lobimi i tij nuk i kushton Kosovës asnjë cent. Nesër pritet kthimi i zvkm Pacolli në Kosovë”, tha Zyberaj.
Ndryshe, zëvendëskryeministri Pacolli ditë më parë ka thënë për media se nuk dëshiron të flasë rreth zhvillimeve që janë duke ndodhur në koalicionin qeveritar dhe në AKR, derisa ndodhet jashtë vendit. Zëvendëskryeministri ka thënë se kur të kthehet në Prishtinë, do të flasë për të gjitha. Madje edhe për mundësinë e largimit nga politika. /Telegrafi/