E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri shpjegon heqjen e imunitetit për prokurorët

Antena brenda familjes

Kryeministri, Sali Berisha, ka bërë dje deklarata të qarta rreth mundësisë së heqjes së imunitetit për prokurorët dhe gjykatësit. Sherrin duket se e nisi një ditë më parë në konferencën për shtyp të dielën në darkë. Aty tha se “politikanët duhet ta heqin imunitetin të parët dhe pastaj imunitarët e tjerë, sepse nuk është normale të kërkosh heqjen e imunitetit për të tjerët dhe ta mbash vetë atë, është padrejtësi, është paburrëri, e papranueshme.”

Duke qenë të paqartë për skemën e atij burrit, u takuam me Flamurin të na e shpjegonte. Shpjegimi i Flamurit ishte shumë i thjeshtë dhe bindës.

- Ia dhashë unë skemën atij burrit, - tha. - Se ishte në siklet për imunitetet. Kishte frikë se do t’i trembej grupi parlamentar dhe nuk e votonte. I thashë, mos u mërzit. Kërko që sot të miratohet ligji për heqjen e imuniteteve të politikanëve, nesër të miratohet ligji për heqjen e imuniteteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Pas kësaj të jesh i sigurt që nuk bën më njeri zë. Nuk ua mban. Nuk janë aq trima. Kur ta shikojnë që s’kanë imunitet vetë, as që do t’iu shkojë mendja të hetojnë politikanët.

- Po si do t’ia bëjë me opozitën, se ata nuk ia miratojnë?

- Aq më mirë. E kemi menduar dhe këtë. Po nuk e miratoi opozita, do t’i themi ka frikë, se është e korruptuar. Po, po, të korruptuar janë këta. Ua di unë të gjithë, po s’më lë ai burri t’i them se thotë “nuk duhet të acarojmë klimën tani, sa të kalojë Kodi Zgjedhor”.

- Po kjo punë e Gërdecit si do shkojë, se ai burri tha që nuk ka lidhje me Rinasin?

- Asnjë lidhje s’ka. E ka kap bukur shumë. Asnjë dokument nuk ka që lidhen me njëra-tjetrën. Vetëm Delijorgji i lidh. Po me atë s’kemi punë. Kush e njeh, le ta mbajë përgjegjësinë. Ai burri s’e ka takuar kurrë. S’ka asnjë dokument. Ata që e njohin, le të tregojnë.

- Po doli një dëshmitar në televizion që tha se “fishekët që vinin për demontim, i çonim në Rinas”.

- E dëgjova. Gënjen ai. Ia fut kot. E ka mësuar ai që pyeste. Le ta thotë në prokurori po ia mbajti. Se i kemi vënë një prokuror që t’i bëjë presion se do vejë në burg po e përsëriti. Ja, ke për ta parë, nuk e thotë më.

- Po ky Selmanllari që e kanë thirrur, çfarë është?

- Nuk e di, po është djalë i mirë. Shoku i Qukapit. Qukapi thotë që është djalë i mirë. Nuk di a ka biznes me Delijorgjin bashkë, po është djalë i mirë, thotë Qukapi. I ka thënë dhe atij burrit këtë. Ndaj është i sigurt ai që nuk bashkohen historitë. Qukapi tha që ai shoku im mund të ketë bërë ndonjë transport privatisht, po s’ka letra. Ka të drejtë ai burri, s’ka letra. S’kanë ku ta kapin.

- D.m.th., sipas teje, kjo punë e imunitetit është kot, se kanë për t’ua hequr dhe prokurorëve?

- Po, po, fli i qetë për këtë. S’kanë ku shkojnë ata. Se duan të hiqen si burra të mirë. Na përgjojnë telefonat ne dhe duket sikur çfarë dinë Asgjë nuk dinë. Ua tha mirë ai burri. Të gjithë pa imunitet do jenë. Të barabartë të gjithë. Atij i them shtet ligjor unë. Le të ndihen po deshën pastaj, se me Krenarin i arrestoj duke shkelur rregullat e qarkullimit.

- Po sikur këta prokurorët e Gërdecit të kërkojnë status të veçantë?

- Status të veçantë? Varet si sillen. Po u sollën mirë, do gradohen, po e tepruan duke u përpjekur të fajësojnë njerëz kot, do përgjigjen. Të barabartë jemi të gjithë pa imunitet. Kush është burrë, ta provojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›