Pronat, lista e fituesve të 5 mln USD
Dokumentet që duhen për të tërhequr lekët TIRANË-Për të tërhequr shumën e përcaktuar, të gjitha subjektet e kualifikuara si fituese duhet të paraqesin disa dokumente plotësuese pranë zyrës së Financës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Besnik Maho i ka bërë thirrje dje, të gjithë atyre pronarëve të cilët përfshihen në listën e subjekteve fituese, që përpara se të paraqiten në bankë për të tërhequr shumën e shpallur, duhet t'i drejtohen dhe një herë agjencisë në fjalë. Sipas tij, fituesit duhet të paraqiten në zyrën e Financës së Agjencisë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të dorëzuar disa dokumente shtesë, për të bërë të mundur njohjen ligjore të personit fizik i cili do të bëjë tërheqjen e lekëve në bankë. "Subjektet e kualifikuara si fituese, duhet të paraqesin disa dokumente plotësues pranë zyrës së Financës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo me qëllim për të bërë të mundur kalimin e shumës të kompensimit, në llogaritë e tyre personale bankare",- u shpreh kreu i kësaj Agjencie, Besnik Maho. Për këtë arsye, pronarët fitues duhet të paraqesin dokumentin e identifikimit, si certifikata ose kopje të pasaportës së noterizuar, dokument i cili do të dorëzohet në zyrën përkatëse të financës. Gjithashtu çdo subjekt fitues duhet të paraqesë një numër llogarie bankar, të hapur në Bankën "Reiffeisen". Pra fituesit duhet të kenë me patjetër një llogari në këtë bankë, pasi kalimi i parave nga agjencia do të bëhet vetëm me këtë bankë. Kështu të gjithë ata përfaqësues të subjekteve të shpallura fituese që nuk kanë një llogari bankare do t'u duhet që në ditët në vijim të çelin një llogari të tillë, në të kundërt, nuk do të mund të tërheqin paratë e tyre. Një tjetër dokument i domosdoshëm për të tërhequr lekët e tyre, është edhe ai i një Prokure të Posaçme. Pra, për të bërë mundur tërheqjen e lekëve në emrin e trashëgimtarëve të subjekteve të shpronësuara, individi që do të paraqitet në agjenci duhet të ketë siguruar më parë një dokument me fuqi juridike, ku t'i jepet e drejta nga trashëgimtarët e tjerë fitues si përfaqësues i tyre ligjor. Në të kundërt, të gjithë trashëgimtarët e një subjekti fitues duhet të paraqiten në agjenci me numër llogarie, në institucion bankar të përcaktuar më lart. Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave shpalli dje listën e 117 subjekteve fituese që përfitojnë nga fondi prej 500 milionë lekësh të reja. Lista e pronarëve, Kavaja përfiton njësoj sa Tirana TIRANË- Nga dita e enjte, pronarët fitues të fondit prej 5 milionë dollarësh do të mund të shkojnë në çdo kohë pranë "Reiffeisen" Bank, për të tërhequr shumën në të holla. Burime nga AKKP deklaruan dje për "Shekullin" se nga kjo ditë pronarët të cilët kanë dorë dorëzuar më parë dokumentet e nevojshme pranë zyrës së Financës së Agjencisë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të mund të tërheqin shumën në të holla, që u takon pranë kësaj banke. Përfaqësues të AKKP-së nuk bënë me dije se sa është shuma që ka fituar secili prej pronarëve, duke shtuar se ajo do të mbetet konfidenciale, ndërkohë që shuma e vënë në dispozicion pritet të teprojë, për t'iu vënë më pas në dispozicion edhe disa subjekteve të tjera, të cilat janë në proces shqyrtimi. Dje në mbrëmje, pas shqyrtimit edhe të emrave të fundit, Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit te Pronave vuri në dispozicion, zyrtarisht, listën e subjekteve fitues të cilët përfitojnë nga fondi monetar prej 500 milionë lekësh, për vitin 2007. Kjo listë përbëhet nga 117 subjekte fitues, ku pas një punë voluminoze nga AKKP, rezulton se numrin më të madh të pronarëve fitues e përfshin qarku i Tiranës, me 37 subjekte fituese. Më pas vjen Qarku Korçë, me 32 subjekte fituese; qarku Lezhë, me 18 subjekte fituese; qarku i Vlorës, me 14 subjekte fituese, i Beratit me 9 subjekte fituese, qarku i Gjirokastrës me 5 subjekte fituese, qarku Kukës, me 2 subjekte fitues. Ajo që të bën përshtypje në fakt në listën e fituesve është se Kavaja ka përfituar si qytet thuajse njësoj në numër me Tiranën, edhe pse nga kjo e fundit kërkesat për kompensim kanë qenë shumë më të mëdha. Nga qyteti i Kavajës kanë përfituar 18 subjekte, ndërkohë që nga qyteti i Tiranës 19. Pronarët fitues, duhet të paraqesin: Dokumentin e identifikimit, si certifikata ose kopje të pasaportës së noterizuar. Çdo subjekt fitues duhet të paraqesë një numër llogarie bankare, të hapur në Bankën "Reiffeisen". Ata që nuk kanë, duhet te hapin patjetër një numër llogarie në këtë bankë. Në emrin e trashëgimtarëve të subjekteve të shpronësuara, individi që do të paraqitet në agjenci duhet të ketë siguruar më parë një dokument me fuqi juridike, ku t'i jepet e drejta nga trashëgimtarët e tjerë fitues si përfaqësues i tyre ligjor. Fondi 5 mln $, Maho: Përfitojnë 117 pronarë TIRANË- Agjencia e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave ka shpallur 117 subjekte si fituese të fondit të 5 milionë dollarë, të vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për kompensimin monetar të pronarëve për vitin 2007. Kreu i kësaj agjencie, Besnik Maho ka bërë publike dje listën e subjekteve të shpallura fituese, të cilat do të kenë mundësi që gjatë ditëve në vijim të tërheqin dhe shumën që i takon nga ky fond. Maho, duke deklaruar për transparencë të plotë të këtij procesi, ka bërë të ditur se, nga 469 dosje të administruara nga ky institucion mundën të përzgjidheshin si fituese për këtë vit, vetëm 117 prej tyre. Shpërndarja e fituesve ka përfshirë subjekte nga ato qarqe apo rrethe, të cilat kanë tashmë një hartë të vlerës së pronave. Kështu, bëhet fjalë për qarqet Gjirokastër, Berat, Korçë, Lezhë, Dibër dhe Kukës, si dhe për rrethet Tiranë, Vlorë dhe Kavajë. "Në kudër të transparencës AKKP për secilën dosje administrative që i përket një subjekti të shpronësuar, ndryshe nga herët e tjera, ka përgatitur vlerësimet ligjore, relacionet me emrat përkatëse, vendimet e zbardhura për subjektet e kualifikuara, subjektet e skualifikuara dhe të gjitha ato subjekte të tjera që kanë qenë kandidatë për të përfituar nga fondi prej 5 milionë dollarësh, por që për pamundësi monetare për këtë vit nuk mund të përfitojnë",- u shpreh kreu i AKKP-së, Besnik Maho. Përzgjedhja e dosjeve fituese është sipas rendit kronologjik nga vendimi me datë më të hershme, i paraqitur për kompensim, deri tek ai vendim që i përket atij subjekti të shpronësuar apo trashëgimtarëve të tij, prona e të cilëve kompensohet deri në 200 m2. Etapat I gjithë procesi u zhvillua në tre faza, që kishin të bënin me pranimin e dokumentacionit, verifikimi i tyre në zyrat rajonale të kësaj agjencie dhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe shpallja e fituesve. Faza e parë kishte të bënte me pranimin e kërkesave nga subjektet e shpronësuara, të cilat u përkasin atyre qarqeve dhe qyteteve, harta e pronës së të cilave është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Këto qarqe dhe qytete janë, qarku i Gjirokastrës, Beratit, Korçës, Lezhës dhe i Dibrës. Ndërsa i qyteteve, është ai i Tiranës, Vlorës dhe Kavajës. Kjo fazë nisi nga data 1 tetor dhe përfundoi më 22 tetor. Faza e dytë, kishte të bënte me marrjen në dorëzim të gjitha dokumenteve të paraqitura nga subjektet e shpronësuara, për të cilat AKKP-ja zhvilloi verifikimin e tyre në zyrat rajonale të kësaj agjencie, si dhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pra në hipoteka në qarqe. Kjo fazë zgjati më shumë se një muaj e gjysmë, siç bën të ditur dhe vetë kreu i kësaj agjencie, për shkak të vështirësive të marrjes së konfirmimeve, si dhe kryerjes së verifikimeve për pasuritë e paluajtshme në terren për të gjitha ato vendime që u është njohur e drejta e parablerjes. Faza e tretë i përket muajit dhjetor dhe ka të bëjë me verifikimin edhe njëherë të të gjitha dokumenteve të paraqitura nga subjektet e shpronësuara, si dhe ndaj atij dokumentacioni të administruar nga specialistët pas verifikimeve të mundshme. Pas këtij verifikimi AKKP-ja ka përgatitur për çdo dosje administrative, vlerësimin ligjor, relacioni përkatës, memoja e koordinatorit, si dhe vendimi i zbardhur, përfituesit, subjektet e skualifikuara dhe kandidatët për të fituar.