Një portë e lyer bukur.
Nga Raimonda MOISIU
Esseanalizë rreth novelës Çmimi i dualizmit i shkrimtares Vilhelme Vranari HAXHIRAJ
Çmimi i dualizmit i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, – është rrëfyer me një ton të çiltër, pa komplekse, i këndshëm, zbavitës e interesant. Që në rreshtat e parë tingëllon si komedi romantike, por ajo çfarë është e ëmbël, në lidhje me këtë histori është naiviteti dhe pafajësia e ekzaltimit moral të shoqërisë, personazhe që mund ta kalojnë tërë jetën pa e kuptuar se çfarë ata kërkojnë në jetë. Personazhet qendrore janë vetë-tolerues e të vetëmashtruar nga të dyja anët e natyrës me shpresat dhe fatet njerëzore individuale apo mythosin që ata kërkojnë të arrijnë ëndrrën, të gjejnë përsosmërinë dhe u përmbahen idealeve të tyre në fytyrën e realitetit e surrealitetit të jetës së përditshme. Ajo çka është vërtet interesante në këtë rrëfim është se autorja Haxhiraj është përpjekur të rrëfejë nën zërin e një mashkulli, me qëllim që të bëhet një histori plotësisht e besueshme, ekspresive, realiste me ashpërsinë e të vërtetës e grotesken e kohës së pakohë. Është një histori e mbushur me personazhe ose episode që për vetë rrëfenjën janë po aq episodike, ide e shkëlqyer e zhvillimit të personazheve dhe shfaqjen e kompleksitetit të tyre. Heroina e kësaj novele është Elisa, një grua e re, tërheqëse, elegante dhe e bukur, e martuar me një burrë të pasur, -i krimbur në para. Me ëndrrat e saj, e sjellshme në dukje dhe komunikueshme në heshtje, ajo ecte gjithë naze me takat e larta përkrah burrit, që ishte i mbajtur mirë, por tregonte se mes tyre kishte diference moshe. Autorja mjeshtërisht hyn në thellësi të marrëdhënieve të çiftit bashkëshortor dhe marrëdhënien e tensionuar të Elisës me ambientin e njerëzit përreth, me vështrimet e përvjedhura mashkullore e agoninë e dyzuar epshndjellëse që flakëronin nga sytë e meshkujve. Interesante e imponuese, fëminore e femërore, me tingullin e buzëqeshjes sekrete, joshëse, mes hipokrizisë e presionit, mes ndjenjës turbulluese e vështrimit epshor mashkullor, ankthit pëshpëritës dhe mëkatit mbi shpinë të mashkullit, që ecte paralel me çiftin dhe në heshtje dukej sikur i thoshte:
A nuk të pëlqej? Jam e vetëdijshme për gjithçka që bëj… sepse jam femër dhe jo imazh. Jam portreti i top modeles. A nuk jam shëmbëlltyra e femrës së kohës moderne në përditshmërinë e saj. Kam lindur vetëm për të joshur meshkujt… Nëse më dëshiron, afroju, njihu me mua. Nëse jo, aq më keq për ty. Nuk e ke idenë se çfarë ke për të humbur- i joshur dhe i magjepsur pas saj, e ndiqja pa vetëdije.
Autorja Vranari më aftësi vëzhguese dhe elokuencë shpalos marrëdhëniet e reja midis çiftit dhe me valsin joshës të heroinës kryesore të tregimit, zbulon as më pak e as më shumë psikollogjinë dyzuese të ekzaltimit moral mes tyre dhe tradhtisë në çift, në të cilën motivet dhe skllavëria emocionale e ndjenjave të papërshkrueshme mes saj dhe admiruesit të çastit në rrugë dhe në kafene,- evolojnë. Secila prej këtyre motiveve dhe pasionit epshndjellës romantizojnë gjendjen paraprake dhe emocionale të dy personazheve , të cilët ngadalë i afrohen njëri tjetrit dhe gjejnë veten në shtëpinë e Elisës. I nënshtrohen një metamorfoze të ngjashme mes vedit, prej valsit joshës dhe epshndjellës, dhe marrëdhëniet mes Elisës dhe mashkullit të castit intensifikohen.Mjedisi që autorja Haxhiraj krijon për të dy homologët kurorëshkelës dallohet për stilin e saj mbresëlënës, mbi fenonomenet, përshkrimin e imazhit modern dhe degradimin e vlerave morale, mjedis që shpesh në tregim është plot me metafora. Me personazhet; Elisa, burri i saj dhe i dashuri i çastit, autorja Haxhiraj na zbulon jetën e tyre të detyruar nga kodet e ngurtë të skllavërisë e kënaqësisë trupore, rrënjosur në historitë e tyre personale, duke i mohuar vetes kështu mundësinë se çfarë çmimi ka dashuria e vërtetë njerëzore. Pika të tjera interesante janë sikundër stili i veshjes, mënyra e të sjellurit, nxjerrja në pah e flirtimit të ngadaltë e në heshtje përmes vështrimeve joshëse, jetët e tyre të skllavëruara brenda portës së godinës shekullore dhe zjarrmia e intimitetit kuptimplotë në apartamentin e Elisës, është shumë në përputhje me natyrën e personaliteteve të tyre.
Gradualisht nisi të zhvishej, pa ndalur kërcimin. O Zot, kjo na qenka një skenë striptizmi -desh klitha i lebetitur nga që nuk doja t’u besoja syve. Gjithsesi vazhdova të vështroja regjisurën në atë skenë të improvizuar për të kënaqur epshin kafshëror të një plaku. Papritmas ajo ia hodhi veshjen mbi fytyrë gjithë neveri. Ajo vazhdonte ritminkurse ai puthte dhe u merrte erë veshjeve të saj. Pastaj hoqi veshjet e brendshme njërën pas tjetrës dhe ia vërviti mbi kokë. Me gjithë trupin e skalitur, si një hyjneshë… ishte një skenë rrëqethëse dhe dhunuese. Së paku për çdo qenie që quhet Njeri, nuk kishte gjë më të shëmtuar dhe më të neveritshme se sa ajo. Me bukurinë trupore, me lakuriqësinë e saj femërore, ajo zgjonte epshet e një plaku të vdekur e të pakallur. Prisja në ankth që ai ta rrëmbente në duar atë trup të pambrojtur dhe të shfrente ndjenjat shtazërisht mbi të por jo…Çuditërisht asgjë, asgjë e tillë nuk ndodhi.
Ai zgurdullonte sytë, dridhej dhe përpëlitej si një qen i lidhur me zinxhir, i cili nuk e arrin dot ta kafshojë mishin që i kanë hedhur aty pranë. Nisën ti dalin jargë nga goja, duke shkumëzuar si kafshë e tërbuar. Kurse sytë iu zbardhën, bebet iu zhdukën. Veç përpëlitej si epileptik…
Kjo skenë është me të vërtet tronditëse, sa komike dhe sarkastike e atyre momenteve. Një skenë e improvizuar striptizmi ku në fytyrat e burrave kurorëshkelës apo dashnorja e tyre, dukshëm mungon humori për të bërë seks dhe autorja këtu fillon të tregojë historinë në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të përcjellë themelet tematike dhe emocionale të tregimit. Autorja mjeshtërisht, me talent dhe finesë merret me transformimin delikat të bashkëshortit, nga të qenët një burrë i mbajtur mirë i krimbur në para, në një njëri me shpirt të vetmuar i braktisur nga emocionet, fantazmë për të ardhur keq, i lodhur për të zgjuar epshet në çdo lëvizje e shprehje të fytyrës së Elisës -në një të plakur e të pakallur,- që i dridhej çdo muskul i fytyrës, duart e gishtërinjtë si epileptik… Por nuk do të ndryshojë ofertën e mysafirit kurorëshkelës për të qenë spektator në këtë skenë striptizmi, regjinë e zjarrmisë, mllefit dhe epshit kafshëror të plakut, përkundrejt intimitetit të pashprehur e irritues, intensiv e i konsumuar. Autorja Haxhiraj me një tregues të pjekurisë së saj letrare – artistike e filozofike, përmes vëzhgimit nga afër, ka nxjerrë veten të jetë pjesë e këtij improvizimi vizual dhe nuk është vetëm një shkrimtare që tregon historinë, por është edhe intelektuale që tregon mërgimin e shpirtit njerëzor të shoqërisë, të ngërthyer nga epshet, vlera e parasë që siguron e blen gjithçka; konkurrencën mes dy homologëve kurorëshkelës si dy rivalë se kush të fitojë më shumë në kurriz të Elisës, shitjes së trupit të saj për një grusht para, argëtimin, shtratin, mishin e bardhë, seksin, tradhëtinë, qejfin dhe epshin, imoralitetin dhe korrupsionin moral, makutërinë dhe etjen e ankthshme, drithëronjëse, të llahtarshme për para. Autorja Haxhiraj identifikon ndryshimet që tregohen përmes pandryeshmërisë së karakterit të tregtarëve të mishit të bardhë si një nga elementet kyçe të strukturës narrative fantastike, reale e klasike, që të lë të kuptohet në eksplorimin e gjerë të saj dhe në antitezë me madhështinë e dashurisë së vërtetë, të moralit shpirtëror e vlerave njerëzore.
Kjo qenka arsyeja! Ky plak matuf paska marrë më qafë një vajzë të re, të bukur, gjithë ndjenja, plot dëshira dhe ëndrra për jetën! Ndaj nuk e lejon atë qetë dashurojë dikë me gjithë shpirt.