E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profil/ Sami Leka, përkthyesi i madh që solli Karl Marksin në shqip

Nga Avni ALCANI

Sami Leka është një nga përkthyesit më të njohur shqiptarë dhe themeluesi i traditës së përkthimit të letërsisë filozofike në Shqipëri. Ai lindi më 12 prill 1922 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit, në një familje të njohur për tradita patriotike. Bërzeshta është vendlindja e shumë intelektualëve të shquar shqiptarë, një pjesë e të cilëve kanë qenë profesorë të dëgjuar, mjekë me famë, mësues të mirënjohur dhe përkthyes të talentuar. Ata kanë qenë atdhetarë të shquar dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Disa prej tyre kanë qenë përkthyes të spikatur dhe zotërues të disa gjuhëve të huaja. Ata, me punën dhe talentin e tyre, kanë lënë gjurmë në fushën e përkthimit shqip.

Bërzeshtanaku më i njohur ka qenë dr. Ibrahim Lutfi Pasha (1823-1904), i cili ishte mjek dhe një nga profesorët e parë të Universitetit të Stambollit gjatë gjysmës së dytë të shek. 19-të. Studiues të veprës së tij kanë nënvizuar se ai ishte njeri me kulturë të naltë, zotnues i shumë disiplinave dhe pedagog i talentuem. Konsiderohet si themelues i Universitetit të Stambollit edhe i terminologjisë shkencore mjekësore turke. Zotnonte shumë gjuhë të hueja… Profesor Ibrahimi përktheu dhe botoi mjaft libra shkencore, me nji gjuhë e terminologji mjekësore aqë të përshtatshme e tamël, sa që edhe sot bajnë bazën e përdorimit në shumë disiplina tuniversitetit turk. (Dr. K. Kërçikut: Zhvillimi i shëndetsisë në Shkodër në shek. XVI-XX, Tiranë 1962, faqe 211-212).

Hajdar Blloshmi (1860-1936) ishte një tjetër bërzeshtanak i njohur dhe profesor i gjuhës frënge në Robert College të Stambollit. Faik Konica, shkrimtari dhe mendimtari i shquar i Rilindjes Kombëtare, ka shkruar për të se: Z. Hajdar Blloshmi është një Shqiptar mjaft i ditur dhe atdhetar i njohur; ka shërbyer si profesor i gjuhës frëngjishte në Rober Kollege të Stambollit. Këshillat e tij, pra, sjanë të një njeriu të zakonëshme, po të një atdhetari plak me edukatë të mirë dhe të pjekur. (Gazeta Dielli e Bostonit (SHBA), datë 4 mars 1922). Pas dëbimit nga Stambolli, për shkak të pikëpamjeve të tij atdhetare, ai kthehet në Shqipëri, ku shërben si mësues e drejtor shkolle në Pogradec, Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Ai ka qenë një nga mësuesit e parë të gjuhës frënge në Shqipëri dhe i Shkollës Normale të Elbasanit (1909). Poeti i mirënjohur Lasgush Poradeci, në librin e tij Shkolla shqipe e Poradecit (Tiranë 2002), shkruan se: Hajdar Blloshmi (më 1913, më Mars) mbante konferenca, i mësonte edhe shqip edhe frëngjisht njerëzinë, sepse nuk kishte shkollë ashtu, që i-u bënte publikisht (faqe 65). Në vitin 1912 H. Blloshmi u zgjodh delegat në Kuvendin e Vlorës, si përfaqësues i Pogradecit dhe Librazhdit, për Shpalljen e Pavarësinë së Shqipërisë. Ishte anëtar i Dhomës së Deputetëve (deputet në Parlamentin shqiptar) i disa legjislaturave.

Dy nga djemtë e H. Blloshmit, Selaudini dhe Hakiu, kanë qenë personalitete të spikatura të kohës, intelektualë eruditë dhe dipllomatë të shkëlqyer. Selaudin Blloshmi (1895-1929) ka përfaqësuar qytetin e Korçës në Konferencën e Parisit në vitin 1919. Shkrimtari dhe gazetari i shquar korçar, Mihal Grameno, në kujtimet e tij për S. Blloshmin, shkruan: E njojta në Paris më 1919 ku kishte ardhur si delegat i Korçës, në konferencën e paqes. Ishte mjaft një vështrim që të më fitonte simpathinë. Edhe nuku isha i gënjyer se tek Selahudini gjeta patriotin pa marda. Parisi i math nuku i bënte as një përshtypje se mëndja e Selahudinit ishte vetëm e vetëm për lirin e Shqipërisë. Me virtutet dhe sjelljet e tij fisnike kishte fituar mjaft simpathi e shumë dipllomatëve, për të drejtat e Shqipërisë. (Gazeta e Korçës, Nr. 11 (941), datë 17 dhjetor 1929). Gjatë viteve 1926-1928 S. Blloshmi ishte ambasador i Shqipërisë në Rumani.

Haki Blloshmi (1904-1944) kishte kryer shkëlqyeshëm Universitetin e Harvardit (Sh.B.A.) për ekonomi politike. Punoi gati tre vjet në ambasadën shqiptare në Sh.B.A., si sekretar i kësaj ambasade dhe si ndihmës i Faik Konicës. U kthye në atdhe për të vënë në shërbim të popullit dijet e fituara. Vite më vonë H. Blloshmi kreu studimet pasuniversitare në Francë. Botoi në gazetën Dielli të Vatrës një sërë artikujsh, siç ishin ato kushtuar përhapjes së arsimit në Shqipëri (Arësimi, gazeta Dielli, 24 janar 1923), për Jeon Cabot-in, anglezin e parë që zbriti në Amerikë (Jon Cabot-i, gazeta Dielli, 3 shkurt 1923), si dhe një përkthim të titulluar Përse pilgrimt lanë Inglinë? (gazeta Dielli, 3 shkurt 1923).

Traditën e shkëlqyer të përkthimit e vijuan edhe dy bërzeshtanakët, Sami Leka (1922-1979) dhe Vilson Blloshmi (1948-1977). Ky i fundit përktheu disa nga veprat më të rëndësishme të autorëve më të shquar të letërsisë franceze të shek. XIX-XX. Për fat të keq përkthimet V. Blloshmit nuk u botuan në gjallje të tij, për shkak të persekucionit politik dhe pushkatimit në vitin 1977 nga diktatura komuniste. Përkthimet e V. Blloshmit, pas botimit të tyre, janë vlerësuar si krijime brilante dhe përkthimet më të mira të letërsisë së përkthimit shqiptar.

*  *  *

Padyshim që një nga përkthyesit më të spikatur shqiptarë, me një prodhimtari të madhe e të begatë, ka qenë Sami Leka, i cili është cilësuar si mjeshtër i madh i përkthimit shqip. Mësimet e para S. Leka i mori në fshatin e tij të lindjes, në internatin e Bërzeshtës. Më pas i vijoi studimet në Liceun francez të Korçës, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Akademiku Zija Xholi, bashkënxënës në Liceun e Korçës, ruan kujtimet e tij për Samiun: Sami Leka, shkruan prof. Xholi, jo vetëm u dallua, por mori një vlerë në sytë e të gjithë nxënësve dhe bashkëkohësve të tij… S. Leka u bë një nga nxënësit më të dalluar dhe një nga nxënësit më të njohur në Lice dhe në qytetin e Korçës (Z. Xholi: Sami Leka, nxënësi më i dalluar dhe më i njohur në Liceun e Korçës, Gazeta Bërzeshta, Nr. 6, Prill 2002). S. Leka ishte iniciator i aktiviteteve antifashiste që u organizuan në qytetin e Korçës në prag të pushtimit të Shqipërinë nga Italia fashiste. Sëbashku me një grup shokësh dolën në mënyrë demonstrative partizanë në mal, për të luftuar fashizmin, që kishte pushtuar vendin. Ai u përfshi në rezistencën e armatosur antifashiste, duke u rreshtuar në çetën partizane të Bërzeshtës, që komandohej nga babai i tij Luto Leka. Pas krijimit të batalionit partizan Bërzeshta, Luto Leka kaloi në një detyrë të rëndësishme, si antar i Kryesisë së Frontit Antifashist Naçl. dhe Sami Leka, në moshën 21 vjeçare, emërohet komandant i Batalionit partizan Bërzeshta, detyrë të cilën e kreu me shumë sukses, duke e drejtuar batalionin në të gjitha luftimet, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Pas luftës, në vitin 1945, shkon për studime në ish Bashkimin Sovjetik. Por, për shkak të sëmundjes së rëndë, që e kishte marrë nga lufta, në vitin 1948 detyrohet që ti ndërpresë studimet dhe kthehet në Atdhe.

Sami Leka ishte i pajisur me një kulturë të gjërë dhe me një vullnet e pasion të jashtëzakonshëm për të përvetësuar gjuhë të huaja. Qysh në moshë të re, shkruan prof. Xholi në kujtimet e tij, ai provoi se kishte një talent për gjuhët, dinte të çmonte gjuhën dhe të orientohej në gjuhë, siç ishte dhe gjuha frënge. Këtë talent pastaj ai e tregoi më vonë edhe si përkthyes dhe si intelektual, (Z. Xholi: Gazeta Bërzeshta, Nr. 6, Prill 2002). Sami Leka bëhet zotërues i shtatë gjuhëve të huaja, si: latinisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rusisht, serbokroatisht dhe rumanisht, të cilat i ve në shërbim të kulturës shqiptare.

Fillimet e punës së tij si përkthyes i përkasin vitit 1952, kur Sami Leka punonte në redaksinë e përkthimit pranë gazetës Zëri i Popullit. Në vitin 1955 krijohet Instituti i historisë së P.P.SH. dhe S. Leka kalon në sektor

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›