Një problem gërme
Skënder Minxhozi
Nëntë vjet për të kuptuar se një germë në emrin e partisë ka qenë e tepërt. Po po, kaq i janë dashur zv/kryeministrit aktual Genc Pollo për të arritur në konkluzionin se pas rreth një dekade nga krijimi i partisë së tij PDR-së, ai nuk ka rrugë tjetër, veçse ta shkrijë atë dhe të kthehet në ish-partinë e dikurshme. Pra, në PD. Formalisht ndryshimi është tejet i vogël. Ka shumë mundësi që edhe vetë Pollo të japë një përgjigje të përafërt nëse pyetet sot për vendimin e papritur që mori orët e fundit për t’i dhënë fund krijesës së vet politike. Ka gjithashtu mundësi që pas një qëndrimi disavjeçar në qeverinë e zotit Berisha, e gjitha kjo Pollos t’i duket si një fund normal, fiziologjik, i natyrshëm. Edhe ai, ndonëse në më shumë se një rast i konsideruar si një politikan ndryshe nga bosi historik, me gjuhë të huaja, look perëndimor dhe formim tjetër, në fund të fundit nuk bën përjashtim nga raca e habitshme e homos politicus shqiptar, e cila ka lënë me gojë hapur dhjetëra herë këto njëzet vjetët e fundit.
Dokrra, histori të vjetra, mund të thotë dikush! Po si mund të jenë të tilla, kur kthen kokën pas, jo shumë larg në kohë, e sheh sesi politikani energjik, dikur nënkryetar dhe kandidat për kryetar i PD-së, atakonte publikisht Sali Berishën për korrupsion me fondet që vinin nga matanë oqeanit, apo denonconte planet e këtij të fundit për ta eliminuar fizikisht. Aq sa në mediat e djathta të fillimit të viteve 2000 nuk është aspak e vështirë të gjesh plot artikuj të athët në adresë të “mikut të Nanos e Gjinushit, i cili ruhej me po aq bodygardë sa edhe Ilir Meta”.
Rasti i PDR-së nuk është thjesht ai i një force politike që zhduket nga spektri partiak. Me mënyrën servile me të cilën kjo parti u menaxhua pas vitit 2005 në raport me PD-në, si dhe me reformën aktuale zgjedhore, ndoshta do të ishte një pretendim jorealist të shpresohej në diçka tjetër nga kjo sagë e vogël ngjitjeje e shefit të partisë në shkallët e ekzekutivit dhe paralelisht me të, e vënies së drynit në derën e selisë së partisë. Problemi është shumë më i gjerë sesa kaq, megjithëse nuk është as i panjohur dhe as i ri në të djathtën shqiptare. Veç fundit aspak rozë të PDR-së, aktualisht po shihet sesi ka zbritur këmbëkryq në maxhorancën e djathtë, një stinë e vërtetë kotësie. Kryeministri largon nga posti i ministrit të Shëndetësisë një kryetar partie aleate, Nard Ndokën, me të njëjtën lehtësi me të cilën do të shkarkonte një drejtor drejtorie, e ky i fundit nuk ka më shumë kurajë sesa një belbëzim publik, disa ditë pasi ka dorëzuar detyrën. Paralelisht me këtë proces largimi, Berisha ul në vendin e Ndokës vajzën e një kryetari të “ri” në detyrë e të vjetër në moshë, megjithëse vetë partia ndodhet në një pozitë tejet të vështirë e delikate pas zullumit të Gërdecit. Këto spostime nuk bëjnë veçse na nënvizojnë edhe një herë para syve tezën më të palëvizshme, më konstante dhe më të pandryshueshme të politikës shqiptare të tranzicionit – Sali Berisha bën çfarë të dojë me krahun e tij politik. Me të gjithë pa asnjë përjashtim, me ata që e shanin dje dhe e duartrokasin sot, me ata që dikur i ulërinin me sy të skuqur sesa diktator ishte dhe më pas përplasnin derën e zyrës që kishin mbajtur për vite në PD, me ata që kanë folur e shkruar për autoritarizmin e shefit dhe që sot e paraqesin si ilaçin e vetëm për ringritjen e së djathtës shqiptare, siç kishin bërë dikur nga sheshet e Qytetit Studenti, kur siç e pranonin edhe vetë më pas, ishin të papjekur për ta kuptuar disbolizmin e personazhit.
Djathtas po ndodh një metamorfozë antihistorike. Kalimi i viteve, konsumimi prej pushtetit dhe mosha që po fillon të bëjë të sajën - asnjë prej këtyre elementëve nuk po mundet ta shqetësojë disi dominimin absolutist të Doktorit mbi miqtë, bashkëpunëtorët, ish-të përjashtuarit dhe ish-fraksionistët e çdo ngjyre, që sot gjenden edhe një herë të gjithë së bashku nën skeptrin e tij. E nëse kjo përbën një kënaqësi të vogël, thuajse morboze, për njeriun që dominoi me një kosto të gjatë e të dhimbshme historinë shqiptare, askush tjetër s’ka pse e gjen prehjen dhe ndërgjegjen e pastruar tek ky riciklim i pafund i të njëjtit person, që tashmë ka shteruar edhe idetë, edhe fjalët, edhe gjithçka pati për të dhënë në meidanin e politikës shqiptare. As Genc Pollo, që sot ka humbur një germë rrugës së gjatë drejt Shqipërisë evropiane.