E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, Bode gjen zgjidhjen: Çmimi në dorë të grosistëve

 

Bode e ka gjetur zgjidhjen për uljen e çmimit të naftës. Udhëzimi i fundit i Financave dhe shpjegimi i djeshëm i bërë nga ministri, do të sjellë uljen e abuzimit nga tregtarët e vegjël të karburanteve. Sipas udhëzimit, të cilin gazeta po e boton të plotë bashkë me shembujt, furnitorët finalë, pra pikat e karburantit, do ta kenë shumë të vështirë të rrisin fiktivisht çmimin e karburantit.
Bode
I pyetur dje nga gazetarët për çmimin e karburanteve, i cili edhe pse ulet në tregjet botërore, vazhdon të jetë i larta në vend, Bode theksoi se Financat e kanë gjetur zgjidhjen. "Kemi bërë një formë të re të administrimit për dy produktet që janë mallra akcize, pra karburanteve dhe cigares. Ne i kërkojmë grosistëve që të deklarojnë çmimin për çdo njësi shitjeje. Kush rrit çmimin do të ketë sanksione të forta. Çmimin me pakicë do e përcaktojnë grosistët. Grosisti përcakton çmimin e pakicës të distributorit të ulët. Kjo gjë ndodh edhe për cigaret. Po t'i shikoni jashtë paketat kanë çmime. Sa i përket karburanteve, ne i afrohemi tregtarëve të kompanive të mëdha dhe mendoj se është e lehtë për të ditur në çdo kohë se sa është çmimi me pakicë".
Udhëzimi
Udhëzimi përcakton që importuesit apo grosistët, në faturat e tyre tatimore apo të shkëmbimit të mallit, të përcaktojnë qartë edhe çmimin e shitjes së naftës me pakicë. Një procedurë kjo, që duhet të ketë nxehur shumë importuesit e mëdhenj. E thënë ndryshe, një importues i madh, kur ia shet karburantin pikës së furnizimit, ku marrin naftë qytetarët, duhet të shkruajë në faturë edhe çmimin me të cilën do të furnizohen makinat. Në këtë mënyrë, tatimet e kanë të lehët të gjejnë fitimin e grosistëve dhe të pikave të pakicës. Çdo rritje abuzive e çmimit, do të detyronte të dyja palët, si furnizuesit e mëdhenj dhe shitësit me pakicë të paguanin më shumë tatime. Në dukje si një procedurë e dhunshme, në fakt është vetëm një mundësi kontrolli më i madh. Udhëzimi parashikon të gjithë pikat e shitjes me pakicë si agjentë të grosistëve. Fitimi i tyre do të konsiderohet si një komision. Pra, meqë grosistët nuk mund të shesin vetë të gjithë sasinë në treg, atëherë ata kanë agjentët e tyre, të cilët marrin fitimin për çdo shitje të karburanteve. Kjo nuk do të thotë që një agjent, pra një pikë shitje të mos e shesë më shtrenjtë se sa fatura që lëshon grosisti për shitjen me pakicë, por në këtë rast do të paguajë më shumë TVSH dhe tatim-fitimi. Nga ana tjetër, grosisti, nuk mund të deklarojë çmimin e shitjes me pakicë shumë të lartë, sepse i rritet edhe atij fitimi dhe, si rrjedhojë, edhe TVSH-ja dhe tatim-fitimi.
Ndryshimet botërore
Udhëzimi i Bodes, në rast se do të zbatohet me saktësi, do të bëjë që luhatjet e çmimeve në botë të ndjehen menjëherë edhe në Shqipëri. Të gjithë qytetarët janë të shqetësuar se çmimi i naftës rritet brenda orës, kur lajmërohet se bursat ndërkombëtare kanë pësuar rritje dhe nuk ulet me javë të tëra kur ndodh e kundërta. Ulja e çmimit gjatë javës së shkuar me rreth 24 dollarë, akoma nuk është pasqyruar në Shqipëri. Me udhëzimin e ri, luhatjet e çmimit do të pasqyrohen sapo të kryhet importi, pra do të jenë të prekshme nga shqiptarët shumë shpejtë, pas lajmeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare. Kjo gjithmonë në rast se tatimet do ta zbatojnë këtë udhëzim, i cili ka hyrë në fuqi më datë 1 korrik të këtij viti, pra rreth një muaj më parë.

Udhezimi i ministrise se financave

PËR DISA SHTESA NË UDHËZIMIN NR.17, DATË 13.5.2008 "PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR"

Në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të ligjit nr. 7928, datë 27.04.1995 "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", të ndryshuar, Ministri i Financave

Udhëzon:
1. Në udhëzimin nr. 17, datë 13.05.2008 "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", pas pikës 9.3 shtohet pika 9.4 "Furnizimi i karburanteve", me këtë përmbajtje:
 "9.4. Furnizimi i karburanteve
a) Regjimi fiskal
Importuesit e prodhuesit vendas të karburanteve (shoqëri anonime) janë furnizues të nivelit të parë dhe furnizojnë me shumicë klientët e tyre (shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar), të cilët më pas furnizojnë me të njëjtin mall klientët, që normalisht janë konsumatorë finalë.
Regjimi fiskal në këtë rast përcaktohet në mbështetje të nenit 11 të ligjit të TVSH-së. Importuesit dhe prodhuesit që janë furnizuesit primarë konsiderohen si kryesorë, ndërkohë që operatorët (sh.p.k.), të cilët furnizohen prej tyre, konsiderohen si agjentë.
Sipas pikës 1 të këtij neni, furnizimi i karburantit, i kryer nëpërmjet një agjenti (sh.p.k.), i cili vepron në cilësinë e agjentit për një person tjetër, është një furnizim prej kryesorit (sh.a.).
Në këtë rast agjenti luan rolin e ndërmjetësit në tregun e karburanteve midis personit kryesor dhe personave të tretë, klientë të tij.
Agjenti paraqitet si përfaqësues i kryesorit duke kryer një ndërmjetësim, të konsideruar si furnizim shërbimi dhe që është i tatueshëm si i tillë.
Mbi vlerën e tatueshme të llogaritur në doganë për karburantin e importuar nga kryesori, aplikohet TVSH-ja në shkallën tatimore 20%.
Kjo shumë është TVSH e zbritshme për kryesorin dhe është e kreditueshme prej tij brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit.
Përsa i përket furnizimit të mëpasshëm, personi që është në rolin e agjentit, paraqitet si furnizues i të tretëve, por duke vepruar për llogari të personit kryesor.
Fatura e lëshuar nga kryesori për llogari të agjentit të tij përmban të gjitha të dhënat që duhet të përmbajë një faturë tatimore sipas nenit 36 të ligjit. Çmimi i vendosur në të është ai i shitjes me pakicë dhe mbi vlerën e tatueshme të çdo furnizimi aplikohet TVSH-ja në shkallën tatimore 20%. Ajo deklarohet si TVSH e mbledhshme nga personi që luan rolin e kryesorit dhe konsiderohet si TVSH e zbritshme për blerësin brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit.
Nga ana tjetër për këtë ndërmjetësim që kryhet për llogari të kryesorit, agjenti i faturon atij një shumë që konsiderohet si vlerë e tatueshme e këtij shërbimi (ndryshe komision), e barabartë me vlerën e ndërhyrjes së tij në treg. Mbi të zbatohet shkalla tatimore e TVSH-së prej 20%, e cila deklarohet si TVSH e mbledhshme nga agjenti. Njëkohësisht kjo shumë konsiderohet si TVSH e zbritshme për personin kryesor, si dhe është e kreditueshme prej tij brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit.
Shembull.
a) Supozojmë që furnizuesi kryesor i karburantit A është importues dhe në muajin maj importon 100 000 litra karburant.
Është llogaritur në doganë që vlera e tatueshme e karburantit të importuar është 8 000 000 lekë. Mbi këtë vlerë importi aplikohet TVSH-ja me shkallë tatimore 20% dhe konkretisht vlera e saj është 1 600 000 lekë, e cila është e zbritshme nga kryesori A, brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit të TVSH-së.
b) Po në këtë muaj bëhet furnizimi i kësaj sasie të karburantit prej 100 000 litra nga kryesori A, me anë të agjentit B, person i tatueshëm ndërmjetës, për llogari të personave të tretë, konsumatorë finalë C.
Është llogaritur që vlera e tatueshme e këtij furnizimi është 12 000 000 lekë (100 000 litra x 120 lekë/litri çmimi i shitjes me pakicë pa TVSH). Mbi këtë vlerë aplikohet TVSH-ja me shkallë tatimore 20% dhe konkretisht vlera e tatimit është 2 400 000 lekë.
Ky furnizim pasqyrohet nga furnizuesi A duke lëshuar faturë tatimore në adresë të blerësit B, agjent i tij. Kjo faturë regjistrohet në librin e shitjeve të kryesorit A, së bashku me TVSH-në e paraqitur në të, si dhe në librin e blerjeve të B-së nëse ky është person i tatueshëm dhe është e zbritshme për të brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit.
c) Ndërmjetësimi i kryer nga agjenti B konsiderohet si furnizim shërbimi prej tij, për llogari të kryesorit A. Për rastin konkret, vlera e shërbimit është 1 200 000 lekë (100 000 litra x 12 lekë/litri pa TVSH. Mbi këtë vlerë aplikohet TVSH-ja me shkallë tatimore 20% dhe konkretisht vlera e tatimit është 240 000 lekë. Këto të dhëna pasqyrohen nga agjenti B, i cili lëshon një faturë tatimore në adresë të kryesorit A.
Kjo faturë regjistrohet në librin e shitjes së agjentit B dhe librin e blerjeve të kryesorit A duke qenë e zbritshme për të brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit.

b) Detyrime të palëve
Midis agjentit dhe kryesorit duhet të ekzistojë një marrëveshje lidhur me faktin e realizimit të furnizimit.
Konkretisht kërkohet që:
- të jetë i përcaktuar qartë roli i agjentit, në mënyrë që të kuptohet që agjenti po kryen një furnizim të shërbimit për llogari të kryesorit dhe jo për llogari të veprimtarisë së tij ekonomike;
- të jetë përcaktuar qartë që agjenti nuk është ekonomikisht zotëruesi i mallit, për rastin konkret të karburantit, të cilin e ka furnizuar për llogari të kryesorit;
- të jetë përcaktuar qartë se agjenti nuk mund të ndryshojë çmimin e furnizimit të mallit të kontraktuar midis kryesorit dhe klientit person i tretë.
-çdo ndryshim në rritje i çmimit fillestar me pakicë të faturuar nga kryesori, prej hallkave të mëpasshme, vlerësohet, tatohet dhe paguhet prej këtyre të fundit.
2. Pas pikës 9.4 shtohet pika 9.5 "Furnizimi i cigareve" me këtë përmbajtje:
"9.5 Furnizimi i cigareve
Importuesit dhe prodhuesit vendas të cigareve (më poshtë do të quhen furnizuesit kryesorë) llogarisin TVSH-në mbi vlerën e tatueshme të çdo furnizimi që ato kryejnë.
Në këtë rast vlera e tatueshme e çdo furnizimi, kryer prej tyre për të tretët, përcaktohet nga shumëzimi i sasisë së cigareve të shitura, me çmimin e shitjes me pakicë pa përfshirë TVSH-në.
Me çmim të shitjes me pakicë do të kuptohet çmimi i paguar nga blerësit konsumatorë finalë.
Furnizimi i cigareve në vazhdim nga ndërmjetësit e tjerë në treg, persona të tatueshëm, do të konsiderohet jashtë objektit të TVSH-së dhe këta persona blerës nuk kanë të drejtë të kreditojnë TVSH-në e faturuar nga furnizuesit kryesorë në lidhje me atë furnizim.
Ndërkohë që ndërmjetësi i furnizuar nga furnizuesi i faturon atij vlerën e shtuar, të barabartë me vlerën e shërbimit të kryer prej ndërhyrjes së tij në treg.
Mbi këtë vlerë ndërmjetësi zbaton TVSH-në me shkallë tatimore 20% që konsiderohet TVSH-ja e llogaritur për të dhe është e kreditueshme për furnizuesin brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit.

Shembull.
Supozojmë që furnizuesi kryesor i cigareve X është importues dhe në muajin prill importon 3 tonë cigare.
Mbi vlerën e tatueshme të krejt sasisë së cigareve të importuara llogaritet dhe paguhet TVSH në doganë, e cila është e zbritshme brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit të TVSH-së.
Po në këtë muaj ky importues furnizon blerësin Y me një sasi prej 20 000 paketa të markës "Z".
Çmimi i shitjes me pakicë i paketave të markës "Z" është 200 lekë (përfshirë TVSH).
Furnizuesi X do të lëshojë për blerësin Y një faturë, ku TVSH-ja e llogaritur do të jetë:
20 000 paketa x 200 lekë = 666 667 lekë
Blerësi i cigareve Y nuk ka të drejtë të kreditojë shumën e TVSH-së, prej 666 667 lekë, të faturës së lëshuar nga furnizuesi kryesor X.
Gjithashtu ai nuk llogarit TVSH-në në rishitjen e kësaj sasie të cigareve, hallkave të mëpasshme.
Blerësi Y, person i tatueshëm, përfiton një vlerë të caktuar (komision) për çdo furnizim të kryer te klientët e tij, bazuar në një normë të caktuar fitimi.
Mbi këtë vlerë zbatohet TVSH-ja me shkallë tatimore 20% dhe i faturohet nga Y furnizuesit kryesor X.
Shuma e TVSH-së në fjalë deklarohet në rubrikën e TVSH-së në shitje të formularit të deklarimit dhe pagesës së TVSH-së nga Y dhe ndërkohë është e zbritshme brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit të TVSH-së për furnizuesin X.

3. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë.
Ministri i Financave
Ridvan Bode

“Dritat, s’do ketë rritje të çmimit, por kontroll”

Pas privatizimit të shpërndarjes nuk do të ketë rritje të çmimit të dritave.
Ministri i Financave ka hedhur poshtë zërat dhe kërkesat e FMN-së dhe Bankës Botërore për shtrenjtim të energjisë. Sipas Bodes, privatizimi do të shërbejë për maksimizimin e pagesave të energjisë, gjë që do të sjellë në gjendje financiare të shëndoshë edhe kompaninë. Ai i është referuar kostos së ulët të energjisë nga hidrocentralet si kompensim për shtrenjtimin e importeve.
Energjia
"Nuk ka ndonjë rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Sikurse e keni parë, dinamika e rritjes së çmimeve në Shqipëri nuk ka pasur atë të vendeve të tjera në BE. Por ne jemi të vetëdijshëm që KESH ka mundësi për të ulur nivelin e humbjeve dhe rritur nivelin e arkëtimeve. Kontrata e privatizimit ka si objektiv pikërisht administrimin e mirë të rrjetit. Nuk është qëllim rritja e çmimit. Ne mendojmë se Shqipëria ka një potencial për të mbajtur një çmim të ulët nga tregu rajonal. Pasi kemi kaskadën e Drinit që ofron energji me çmim të ulët. Por them se përmirësimi i administrimit, trajtimi më profesional i sistemit të shpërndarjes, do të krijojnë kushte që në vijimësi të kemi një kompani më të mirë nga ana financiare. Pra, privatizimi nuk do të sjellë rritjen e çmimit. Ajo që fitohet në këtë mes është se nuk do të kemi më qytetarë që nuk paguhen".
Taksat
Shumë i ashpër ka qenë kreu i Financave me pushtetin vendor. Sipas bilancit të tij, deficiti i shkaktuar nga mosvjelja e tatimit mbi biznesin e vogël arrin në 3 miliardë lekë, rreth 33 milionë dollarë. Bode theksoi se pushteti vendor po krijon situata jo konkurruese mes bizneseve. Sipas tij, edhe pse shumë taksa janë decentralizuar, vendorët nuk kanë krijuar infrastrukturën e nevojshme për mbledhjen e tyre. "Ritmet janë jo në përputhje të plotë me objektivat që kemi vendosur. Ende buxheti lokal krijon një deficit të konsiderueshëm prej rreth 3 miliardë lekë, që është i domosdoshëm që të rikuperohet". Në bilancin e 7-mujorit, Bode theksoi se të ardhurat në buxhetin e shtetit u realizuan 19% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. "Si 7-mujor, shpenzimet e buxhetit të shtetit janë realizuar në masën 86%. Nëse të ardhurat në total janë 160 miliardë lekë, shpenzimet janë në nivelin 155 miliardë lekë. Situata financiare e buxhetit në tërësi nga e programuar me një deficit prej 20 miliardë lekësh, është në një gjendje suficiti prej 5 miliardë lekësh", tha Bode. Këtë vit synohet të rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit 21% në krahasim me 2007, ose të arkëtohen në buxhetin e shtetit 52 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Gati në vjeshtë godina e doganës së re

Shumë shpejt do të ndërtohet terminali i ri doganor. Ministri i Financave parashikon që ky investim të mbyllet në vjeshtë. "Ne jemi në procedurat e konkludimit të ndërtimit të këtij terminali doganor. Shpresojmë që brenda vjeshtës së këtij viti të përfundojnë të gjitha procedurat. Është një terminal mjaft i rëndësishëm, me një sipërfaqe rreth 25 hektar, i mjaftueshëm për të pasur të gjitha lehtësirat e nevojshme, dhe me një pozicion i cili mundëson transportin hekurudhor dhe atë rrugor në mënyrë të gërshetuar. Përbën një risi të madhe për modernizimin e sistemit doganor në vendin tonë. Ky terminal do të jetë madje më i madhi krahasuar me vendet e tjera".

Fondi për të përndjekurit

I pyetur për kompensimin e të përndjekurve, ministri i Financave tha se është në pritje të listave nga Ministria e Drejtësisë. "Është një çështje që e ka Ministria e Drejtësisë. Kur kjo ministri të paraqesë, listat ne do të nisim të bëjmë pagesat. Por procedurat janë pak të ndërlikuara për llogaritjen e gjithë përfituesve nga kompensimi". Lidhur me fondet, të cilat nuk do të përdoren deri në fund të vitit për të përndjekurit, Bode theksoi se ato do të shkojnë për sektorë të tjerë, por duke mos u djegur, apo mos u paguar asnjë i përndjekur që do të shkojë nga listat e drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›