Një program i ri investimi parashikon përfitimet ekonomike e sociale për aspirantët e anëtarësimit në Bashkim
Program ekonomik i BE-së për të përfituar Ballkani e Turqia
Një fond i ri investimi për Ballkanin Perëndimor do të ofrojë burime për ndërtimin dhe modernizimin e sektorëve të rëndësishëm si transporti, energjia, mbrojtja e klimës dhe sektorët socialë, njoftoi kohët e fundit Komisionari i Zgjerimit të BE-së Stefan Fyle, si pjesë e programit për zgjerimin e bashkimit në gjysmën e parë të 2013-ës. "Komisioni Evropian është gati të ndihmojë qeveritë e Evropës Juglindore të luftojnë ekonominë gri, të punësojnë personel të ri dhe të përmirësojnë kushtet ekonomike," u tha Fyle përfaqësuesve nga Ballkani që ndoqën një takim të kohëve të fundit të Parlamentit Evropian. Ekspertët ekonomikë e interpretojnë vendimin e BE-së për të investuar në Ballkan si të vonuar, sidomos duke ditur pasojat e krizës ekonomike. "[Një plan] duhej të ishte zbatuar pesë ose gjashtë vjet më parë apo edhe më parë, përpara sesa ekonomia të goditej nga kriza. Por nuk është kurrë tepër vonë, mund të priten pasoje të ardhme pozitive nga investimet e BE në një shkallë të madhe në Ballkan," tha Zhivko Atanasovski, profesor në fakultetin ekonomik të Shkupit. Analistët janë veçanërisht të interesuar sesi investimet e njoftuara ekonomike të BE në Ballkan do të përmirësojnë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, që qeveris tregtinë rajonale dhe në vazhdim, investimet. "Në qoftë se BE investon në Ballkanin Perëndimor, pasoja me siguri do të jetë pozitive. Fillimisht, kërkesa do të rritet, porositë do të rriten dhe puna e kompanive do të rritet, gjë do të rezultojë në kërkesë pune dhe pajtime të reja në punë," tha Shenaj Haxhimustafa, profesore e ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Evropës Juglindore të Tetovës. Fyle tha se plani i rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe rritja e tij në punësim është pjesë e strategjisë së zgjerimit të komisionit që është pranuar nga udhëheqësit e BE-së. Duke iu referuar "pasojave sociale të zgjerimit," ai vuri në dukje se komisioni doli me strategjinë e "reformës sociale dhe të punësimit" për të gjitha vendet në rrugën e BE-së. Programi i bashkimit për krijimin e punëve, reformat sociale dhe hapat e tij praktikë për Ballkanin Perëndimor do të nisë këtë vit për Turqinë dhe Malin e Zi dhe në 2014 do të përfshijë Serbinë dhe Maqedoninë. Megjithatë, shumë shtetas të vendeve aspirante të BE të Ballkanit janë skeptikë. "BE është më së shumti e zënë me problemet e saj ekonomike, veçanërisht gjendjen në Greqi, Qipro, Spanjë dhe tani Sllovenia, gjë që sugjeron se politika e saj ekonomike nuk është e mbështetur në parametra realistë," tha Bojan Kostevski, një student i shkencave politike në Shkup. "Me këtë plan ekonomik, BE kryesisht ka për qëllim të mbrojë investimet e saj ekzistuese në Ballkan. Duhet të kuptojmë se vetëm puna e dijenitë e shumta mund të arrijnë diçka, jo ndihma e huaj," tha Milka Trajkoviç, nga Nishi, Serbi. Programet e BE-së priten të identifikojnë problemet kryesore në fushat e politikave sociale dhe punësimit dhe të propozojnë orientime përfundimtare të politikave për Turqinë ku niveli i papunësisë është tani 9.60 përqind e norma e papunësisë së paregjistruar është 37.4 përqind deri në dhjetor 2012. "Turqia do të jetë pionieri midis vendeve kandidate," tha Egemen Bagis, ministri i Turqisë për punët e BE dhe kryenegociator. Sipas Bagisit, programet e papunësisë dhe të reformës sociale në Turqi duhet të përfundohen deri nga fundi i viti e mund të kontribuojnë në dialogun politik midis BE-së dhe Turqisë, radhitjen me të drejtën komunitare, politikat e përfshirjes dhe të të mbrojtjes të BE-së. "Programi mund të kontribuojë në reformat e punësimit në Turqi; të përmirësojnë pjesëmarrjen e ulët të forcës punëtore dhe nivelet e punësimit veçanërisht për gratë dhe të rinjtë, të ulin punën e lartë të paregjistruar, aftësitë e përputhura keq në tregun e punës dhe kalimet nga shkolla në punë, në qoftë se kjo është përgatitur siç duhet dhe zbatuar me efektshmëri," tha Bagisi. Bahadir Kaleagasi, ekspert i BE-së dhe koordinator ndërkombëtar i Shoqatës turke të Industrisë dhe Biznesit, tha se propozimet e komisionit tregojnë një metodologji të mirë duke përfshirë Turqinë përtej një kornize dypalëshe dhe në politikat që po formësojnë të ardhmen e Evropës. "Siç nënvizojnë reformat e kohëve të fundit, Turqisë i duhet një reformë tërësore e tregut të punës për të pakësuar ekonominë jozyrtare [më e larta në Evropë] dhe për të futur më shumë fleksibilitet për sipërmarrësit dhe siguri sociale për punëtorët," tha Kaleagasi. Analistët në Turqi thanë se nga forcimi i anëtarëve të shoqatës së tregtisë së lirë do të përfitojë Turqia në tregti dhe bashkëpunim më të ngushtë ekonomik. "Rajonin i Evropës Qendrore e Lindore është pjesë e një boshti më të madh euro-aziatik ku Stambolli është një shpërndarës ndërkombëtar, jo vetëm me aeroportin e tij, por gjithashtu biznesin e tij ndërkombëtar lulëzues. Përveç kësaj, më shumë konkurrencë e brendshme, kushte më të mira institucionale, logjistike dhe të infrastrukturës mund të rezultojnë në një rinovim tërësor të klimës së investimit," tha Kaleagasi. Sipas Bagisit, "ndonëse Turqia ka një tepricë tregtie me vendet [evropiane qendrore të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë], tregtia midis Turqisë dhe [vendeve të marrëveshjes] është e kufizuar. Kështu që ndikimi neto i rishikimit të [Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore] mbi Turqinë do të ishte i tërthortë dhe i papërfillshëm".