Currilat, shkatërrimi i bukurisë natyrore
Duke ecur në ditët me diell të këtij janari 2010, buzë detit në zonën e Currilave, shikon me dhimbje se si po degradohet çdo ditë një pjesë e zonës bregdetare ndër më të bukurat e Durrësit. Dimri me leshterikët e tij ardhur në breg nga dallgët e tërbuara të detit, por edhe dora vrastare e njeriut, që nuk mungon të mbushë me dhera dhe inerte bregun e detit, duket se nuk vihen re fare nga ruajtësit e ligjit, nga Policia Bashkiake dhe ajo e Inspektoratit Ndërtimor. Plazhi i Currilave, ndër më të frekuentuarit nga durrsakët, prej vitesh është kthyer në zonë të banueshme, madje në zonë ku njeriu guxon e “mbjell” produktet e stinës. Në gjirin piktoresk durrsakët po shohin me sytë e tyre tjetërsimin pa kthim të këtij plazhi. E gjithë zona bregdetare me një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë, tashmë i ngjan një are të mbjellë me shkurre dhe barishte. Plazhi fantastik rrëzë kodrave po degradon dita-ditës, nën sytë e zyrtarëve lokalë. Ujërat e zeza të familjeve informale derdhen në det, madje disa prej tyre formojnë edhe “delta”, të cilat ndotin vazhdimisht ujin e detit. Mjafton servirja e këtij imazhi për të larguar përfundimisht nga kjo zonë dikur perlë për durrsakët, madje edhe më nostalgjikët e më fanatikët. Në çdo sezon turistik, premtohet rehabilitimi i Currilave, akomodimi i sipërfaqeve të shkatërruara, por deri sot , madje do të vijnë edhe dhjetëra sezone verore, dhe ajo zonë do të mbesë si mos më keq. Tek i pyet, qytetarët shprehen me të drejtë se edhe gjatë sezonit veror 2009, në Currila nuk u mbajt asnjë premtim madje siç shihet edhe sezoni veror 2010, do të jetë dhe do ta gjejë sërish atë me atë infrastrukturë degraduese. Kanë mjaftuar 20 vite tranzicioni dhe pas shpërbërjes së diktaturës komuniste, qindra familje zaptuan kabinat prej kompensate, troje dhe objekte të tjera ish-shtetërore, duke i përshtatur ato në banesa apo lokale. Prej vitesh ata banorë jetojnë në sipërfaqe shumë të ngushta. Ndodh rëndom që në një dhomë kompensate me sipërfaqe 12 metra katrorë, të banojë një familje me 6-7 persona, madje atje është ngritur edhe ndonjë banjë prej llamarine, tubat e të cilave zbrazen mbi rërën e plazhit. Metamorfoza 20-vjeçare, ku ndërthuren problemet ekologjike, infrastrukturore dhe sociale e ka fshirë nga harta turistike plazhin e Currilave. Familje të ardhura nga zona të ndryshme të Shqipërisë tjetërsuan plazhin e bukur dhe të virgjër, të ndodhur vetëm pak kilometra në veri të Durrësit që deri asokohe mbi popullohej në verë dhe braktisej në dimër. Qysh nga viti 1992 një komunitet prej 600 banorësh e ka kthyer këtë plazh në një rezidencë të përhershme, duke e shndërruar atë zonë në një ndër lagjet më të paintegruara të periferisë së Durrësit. Ish-kabinat verore të punuara me dërrasë dhe tulla fine u përshtatën në gjithfarë trajtash me kthina, banjë, apo shtesa të tjera, të cilat i kanë dhënë perlës turistike imazhin e një zone të mjerë. Të kërcënuar nga mungesa e perspektivës shumë prej banorëve të zonës, pjesa dërrmuese e të cilëve adoleshentë, merren me peshkim nga mëngjesi në darkë. Ata u ofrojnë vizitorëve të rastësishëm oktapodë, arragosta dhe peshk të freskët, prodhime këto të cilat kanë vlerën e mbijetesës në një realitet mjaft të vështirë. Ata shprehen se “rrallë furnizohemi me ujë dhe me drita, nuk ka kanalizime dhe i biem shkurt duke i derdhur në det ujërat e zeza”. Sipas tyre, “bashkë me plazhin këtu ka dështuar edhe frekuentimi i bareve dhe restoranteve, zona po përballet me mungesën e kushteve urbanistike”. Përmirësimi i situatës për biznesin mund të punësonte njerëz nga ky komunitet i varfër, por fillimisht atje duhet një projekt për rehabilitimin e krejt zonës. Ndërmarrjes Komunale Plazh, e cila ka në administrim 60 kabinat, rinovon kontratat atje çdo vit, kurse kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, u shpreh për “standard” se “aktualisht bashkia ka një projekt të qartë dhe konkret për Currilat, shumë shpejt do të nisë zbatimi i tij në terren, duke i rikthyer asaj zone imazhin dhe namin e dikurshëm për durrsakët dhe gjithë vizitorët që vijnë në qytetin tonë”.